1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Dita e paraqitjes para Zotit të madhëruar

Më të lexuarat

Nga: Mustafa Husni

Dita e paraqitjes para Zotit të madhëruar

Kjo temë do të jetë e përqendruar rreth Ditës së Llogarisë. Zhvillimet dhe ndodhitë e kësaj dite do të ndodhin para se njerëzit të hyjnë në xhenet.
Secili prej nesh e ëndërron dhe uron atë ditë kur të hyjë në xhenet, të takohet dhe të përqafohet me të dërguarin e Zotit a.s, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndoqën rrugën e tij. Padyshim që çastet më të lumtura të secilit, do të jenë ato çaste kur secili do shohë madhështinë dhe hijeshinë e Zotit që ka adhuruar në këtë botë.
Ditën e Llogarisë, do të thërrasë një zë, i cili fton njerëzit një e nga një, për t’u paraqitur para madhështisë së Zotit. Ky zë do të thotë duke iu drejtuar secilit:”Filani i birit të filanit, të vijë për t’u paraqitur para Allahut të madhëruar!”
Siç e kemi përmendur dhe në një temë të kaluar, shumë njerëz të mirë dhe të ndershëm kanë hyrë në xhenet tashmë, pa dhënë llogari për veprat e tyre, si rezultat i ndërmjetësimit të Profetit a.s.
Thotë Profeti a.s rreth kësaj dite:”Kush do pyetet gjatë, ka merrituar  të dënohet.”
Kur e dëgjoi këtë, gruaja e tij Aisheja e pyeti:”O i dërguar i Allahut! A nuk thotë Zoti në Kuran që:” Ai, të cilit do t’i jepet libri i tij në dorën e djathtë, do ta ketë të lehtë llogarinë dhe do të kthehet i gëzuar te të afërmit e tij.”  (Inshikak 7-9)
Atëherë përse do të dënohet, nëse e merr librin në dorën e djathtë?!”
Profeti a.s ia ktheu:”Ajo është për Ditën e paraqitjes para Allahut o Aishe!”
Kështu, llogari e lehtë është ajo e cila nuk përmban shumë diskutime, përse, si, ku , qysh etj… Ndërkohë që llogaria e vështirë do të jetë ajo ku Zoti do e pyesë robin mbi çdo vepër të keqe, shkakun e mospendimit etj…
 
Rregullat e kësaj Dite:
1 – Dita e drejtësisë, ku askujt nuk i bëhet padrejtësi. Çdo e keqe do të paraqitet ashtu siç është vepruar dhe çdo e mirë, sado e vogël do të  vlerlësohet dhe nuk humbet.
Thotë Zoti i madhëruar në Kuran:”Ndërsa ai që bën vepra të mira dhe është besimtar, nuk do të druajë nga padrejtësia, as nga pakësimi i asaj që i përket.” (Taha 112)
 
2 – Askush nuk do të vuajë dhe t’i kërkohet llogari për veprat e liga të dikujt tjetër. Askush nuk do të të kërkojë llogari për miqtë, shokët, vëllezërit, fëmijët dhe prindërit, nëse i ke këshilluar dhe i ke ftuar në rrugën e Zotit të madhëruar. Thotë Zoti në Kuran:” Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit.” (Fatir 18)
Nga ky rregull, do të bëjnë përjashtim një grup njerëzish. Po kush janë këta, dhe çfarë kanë bërë?
Shumë njerëz kanë vepruar vepra të liga, për shkak të dikujt tjetër. Shumë njerëz kanë rënë në greminë, të shtyrë dhe të nxitur nga të tjerë. Thotë Profeti a.s:”Kush shpik një risi të keqe në islam, të cilën e ndjekin njerëz të tjerë, përveç gjynahit të tij, ai do të mbartë dhe gjynahin e atyre që e veprojnë.”
Thotë Zoti në Kuran rreth këtij fakti:” Ata (mohuesit), do t’i mbartin barrët e veta e bashkë me to edhe barrë të tjera dhe patjetër, që do të pyeten Ditën e Kiametit
për gjithçka, që trillonin.” (Ankebut 13)
Ti o vëlla dhe o motër do e keni të vështirë të shfajësoheni për gjynahet tuaja atë Ditë. Përse i shton vetes edhe gjynahet e të tjerëve? Përse duhet t’i mbash ti të metat dhe të ligat e tyre? Ruhu dhe mos u bëj shkas që të marrësh më qafë dhe njerëz të tjerë.
 
3 – Llogaria do të bëhet në bazë të asaj që është shkruar në regjistrin e veprave të tua dhe jo gojarisht. Ty nuk të jepet mundësia t’i mohosh ato vepra, pasi i ke të shënuara në libër, i cili nuk ka harruar asgjë.
Thotë Zoti në Kuran:” Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!” (Isra 13-15)
 
4 – Një e mirë do të shpërblehet me dhjetë të tilla. Sado e vogël qoftë një vepër e mirë, do të gjesh përbri saj dhjetë të tjera. Madje, shpërblimi i një vepra të mirë, mund të arrijë deri në shtatëqind fish.
Thotë Zoti në Kuran:” Kush bën një vepër të mirë, do të shpërblehet dhjetëfish.
Kush bën një vepër të keqe, do të dënohet vetëm sipas gjynahut që ka bërë dhe nuk do t’i bëhet kurrfarë padrejtësie.” (En’am 160)
Për ata që do të kenë vepra të liga më shumë se vepra të mira atë Ditë, Ibnu Mesudi thotë:”I humbur është ai që njëshet do triumfojmë mbi dhjeçet atë Ditë.”
 
5 – Ai që është penduar në dynja, veprat e këqija do i kthehen në vepra të mira. Të gjithë ato vepra të liga, të gjithë shkeljet e urdhërave të Zotit, për të cilat robi është penduar para se të vdesë, do i shndërrohen në vepra të mira.
Kur të shohë veprat e mira të shumta, robi do të çuditet dhe do të pyesë:”O Zot! Unë kam bërë edhe shumë vepra të liga, të cilat nuk i shoh në libër!”
Atëherë do i tregohet se për t’a vlerësuar pendimin e tij të sinqertë, ato të meta, i janë shndërruara në vepra të mira.
 
6 – Atë Ditë, njeriu do të ballafaqohet edhe me dëshmitarë, të cilët do të dëshmojnë veprat e tij në këtë botë. Këta dëshmitarë janë:
 
a) Allahu i madhëruar. Thotë Zoti në Kuran:” Allahu është dëshmitar për çdo gjë.” (Ahzab 55)
b) Dy melekët që regjistrojnë veprat e tua.
c) Melekët që kërkojnë dhe qetësohen në kuvendet ku përmendet emri i Zotit. Këta melekë do e falenderojnë njeriun e mirë dhe të ndershëm duke i thënë:”Zoti të shpërbleftë me të mira! Gjithmonë jemi kënaqur me leximin tënd të Kuranit, përmendjen e Zotit etj…”
d) Gjymtyrët e trupit të njeriut, të cilat do të dëshmojnë për gjithçka kanë vepruar dhe kanë parë gjatë jetës.
 
Atë Ditë, do të thërriten disa njerëz që të paraqiten para Allahut të madhëruar. Teksa përgatiten për t’u paraqitur, ata befasohen me disa zogj të bukur të drejtuar drejt tyre, ose me re që lëvizin në atë drejtim. Ato i kalojnë të gjithë njerëzit e tjerë dhe këtë e bëjnë me qëllim që njerëzve që iu përmend emri. Njeriu do hedhë shikimin drejt kësaj reje dhe do të shohë të shkruar sipër saj emrat e sures Bekare dhe Al Imran.
Thotë Profeti a.s:”Ditën e Kijametit, do të sillen ata që kanë mësuar Kuranin, të paraprirë nga suret Bekare dhe Al Imran. Këto dy sure do të dalin në mbrojtje të robit që i ka mësuar, lexuar dhe vepruar sipas tyre.”
Do të vijë një njeri tjetër dhe me t’u paraqitur para Allahut, do i thuhet:”Ti ke qenë zemërgjerë dhe i falje gabimet e robërve të Mi. Unë e meritoj të jem më Falës se tij. Prandaj shko se të kam falur.”
Thotë Zoti në Kuran:” Çdo shpirt do të vijë i shoqëruar me një (engjëll) grahës dhenjë (engjëll) dëshmitar.  (Mohuesit do t’i thuhet): “Ti ke qenë i pavëmendshëm përkëtë. Tashti ta kemi ngritur perden (e syve), dhe shikimi yt sot është i mprehtë.” (Kaf 21-22)
“E shoqëruesi i tij (engjëll) do të thotë: “Këtu është (shënimi i veprave të tij) që kam gati”.  (Do t’u thuhet:) “Hidhni në zjarr çdo njeri jobesimtar, kryeneç, pengues të të mirave, shkelës dhe dyshues (në fe); çdo njeri që ka besuar në zot tjetër, përveç Allahut. Kështu pra, flakeni atë në dënimin më të rëndë!” E, shoku i tij (djall) do të thotë: “O Zoti ynë, unë nuk e kam mashtruar atë, por ai vetë ka qenë në humbje të madhe”. Atyre (Allahu) do t’u thotë: “Mos u grindni para Meje, Unë ju kam paralajmëruar me kohë. Fjala ime nuk ndryshohet dhe Unë nuk jam i padrejtë me robërit e Mi”. (Kaf 23-29)
Atë ditë do të thërrasë nëj zë:”Kujtdo që filani i ka bërë padrejtësi, le të vijë të dëmshpërblehet!”
Atëherë do të fillojnë të grumbullohen njerëz të shumtë rreth tij. Këta janë njerëz të cilët i ka mashtruar, i ka gënjyer, u ka ngrënë pasuritë pa të drejtë etj… Dikush do të thotë:”O Zot, ky më ka mashtruar!” Një tjetër do të thotë:”O Allah! Ky më ka përgojuar!” Një tjetër thotë:”O Allah! Ky më ka sharë….!” Nga kjo situatë e krijuar, personi do të hutohet dhe nuk do të dijë çfarë të thotë.
Thotë Zoti në Kuranin famëlartë:”Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë keqbërësit! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin).” (Ibrahim 42)
Një ditë profeti (a.s.) i pyeti shokët: “A e dini se kush është i falimentuar ( i varfër)?” Ata i thanë: “Tek ne i falimentuar është ai që nuk ka pasuri.” Profeti (a.s.) u tha: “I  falimentuar, është ai që ditën e kiametit do të vijë me shumë namaze, shumë agjërime dhe vepra të mira, por ka sharë dikë, ka qëlluar dikë tjetër, ka vrarë dikë, ka marë pa të drejtë pasurinë e njerëzve… Këto njerëz do t’i marrin të gjitha të mirat e tij derisa t’ i mbarojnë të mira. Kur ti mbarojnë të mirat,, do t’i japin nga të këqiat e tyre, dhe më pas do të hidhet në zjarr.”
Do të vijë një njeri tjetër, të cilit Zoti do i thotë:”O fil – nofkë përbuzese për filan – A nuk të dhashë rizk tëshumtë, a nuk të dhashë shikimin, dëgjimin … A nuk i nënshtrova për ty kafshët e tokës? A nuk i bëra lumenjtë të vërshejnë në shërbimin tënd? Si e harrove këtë ditë o fil?! Ashtu siç më harrove, do të të haroj dhe Unë në këtë Ditë.”H
Një njeri i tillë është i përjashtuar nga mëshira dhe falja e Allahut të madhëruar. Vallë ku do të gjejë strehë dhe qetësi ky person? Si do jetë e ardhmja e tij?
Këto tema, ne i diskutojmë me qëllim që të ndërgjegjësohemi dhe sensibilizohemi mbi atë që na pret në botën tjetër. Ne duhet t’i drejtohemi Zotit të madhëruar me përkushtim dhe përmallim. Duhet t’a lusim dhe t’a adhurojmë, duke u larguar nga veprat e liga. Ne duhet t’i kërkojmë Zotit falje dhe njëkohësisht t’u kërkojmë falje dhe të përfalemi me njerëzit të cilëve u kemi bërë padrejtësi.
Në fund, paqja e Zotit qoftë mbi ju!
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit