8.5 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Flluskë e fshehtë

Më të lexuarat

Nga: Dr Selman Aude

Flluskë e fshehtë

Kur një miku im filloi të flasë rreth një mikut të tij të vjetër, i cili tashmë kishte ndërruar jetë, duke cekur virtytet dhe tiparet e tij pozitive, nuk ndjeva aspak xhelozi. E kam kuptuar që jeta ka vend për shumë njerëz me virtyte dhe morale sublime, ajo vazhdon të jetë e nevojshme për njerëz të tillë. 
Ti fiton më shumë kur insiston të ndash gëzimin për dikë tjetër dhe kur e ushtron zemrën herë pas here me këtë gjë. Bëhu pjesëmarrës në lëvdatat e moderuara ndaj këtyre njerëzve të mirë, lutu për ta dhe bekoji. E nëse nuk i njeh fare, të paktën, shpreh ndonjë ndjesi pozitive që mes nesh ka njerëz të tillë, emri i të cilëve u kujtohet edhe pas vdekjes. S’prish punë që herë pas here, të habitesh me fjalët “Mashallah” “Kjo është mirësi që Zoti ia jept kujt të dojë. Zoti ua pranoftë këtë kontribut dhe u dhashtë bereqet!”
Asnjëherë mos mendo se arritjet e tyre, janë pengesa për arritjet e tua. Në fakt, ato janë sinonime dhe mbështetëse të arritjeve të tua. Askush nuk e merr rizkun e tjetrit. Shanset janë aq të shumta, po aq sa njerëz ka në tokë. Madje, nuk do të gaboja po të thosha se shanset, janë aq shumë, sa frymëmarrjet e njerëzve, nëse këta të fundit duan.
Nuk ka gjë tjetër që na fal kaq jetë dhe energji, si konkurrenca në punë të mira, gjë të cilën e motivon dhe Kurani fisnik, ku Zoti thotë:”Për këtë le të rivalizojnë rivalët” (Mutafifin, 26)
“dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet). Ata janë të afërtit (tek Allahu)…” (Vakia, 10-11)
“Prandaj konkuroni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij.” (Hadid, 21)
“ndërsa disa, me lejen e Allahut, shkojnë përpara me të mira (përtej detyrimeve); kjo është dhuntia e madhe.” (Fatir, 32)
Konkurrenca dhe veprat e mira në këtë kontekst, para se të jenë me gjëra të prekshme dhe materiale që shihen nga njerëzit, bëhen me zemërdëlirësi, marrëdhënie të forta me Zotin, qëllim të mirë, kërkesë llogarie me veten, opinion i mirë për njerëzit etj…
Pak njerëz bëjnë konkurrencë me zemër, pasi ajo është diçka e fshehtë, nuk duket. Prandaj dhe Profeti a.s për mikun e tij Ebu Bekrin thoshte:”Ebu Bekri gëzon superioritet mbi ju jo për shkak të agjërimit dhe lutjeve të shumta, por për diçka që ka në zemër.” Prandaj, konkurrenca e zemrës, është më e kërkuar se ajo me punë të prekshme. Aty ka shumë më pak konkurrencë, pasi ajo nuk duket, është e fshehtë dhe nuk preket.
Të vdekurit nuk kanë mundësi të mbrojnë qëndrimet e tyre dhe ti faktojnë, ata nuk u përgjigjen dot kundërshtarëve, të paktën kështu mendojmë ne.
Ndoshta, heshtja e tyre është më shprehëse sesa fjalët e shumë prej të gjallëve. Elvezir Elmagrebij, tregon se një herë kaloi pranë varrit të Abdullah ibnu Mubarek. Edhe pse ai ishte i vdekur dhe nuk fliste, në mendje i erdhën kushedi sa fjalë, mendime dhe këshilla të tij, tashmë të përjetësuara në mendje dhe libra të shumtë.
Kur miku im kaloi në anën tjetër, filloi të cekë të metat dhe gabimet e të tjerëve. Harroi se të gjithë ne gabojmë, se pagabueshmëria është cilësi vetëm e profetëve të Zotit, se të gjithë kanë të meta. Ato çaste, hetova zemrën time të cilën e gjeta të qetë dhe në rehati. Befas, më pushtoi një ndjenjë kureshtjeje… Ah sikur ta dija se përse flet ashtu, cili është qëllimi, cila është e meta që ka konstatuar tek tjetri… por pa guxuar ta pyes.
Vetja sikur mu përgjigj se e meta nga e cila vuan, është e njëjta e metë nga e cila vuan dhe ti. Kjo është çështja. Këtu ndjehesh rehat dhe nuk të bren më tej ndërgjegjja. Ja ku dhe të tjerët kanë pothuaj të njëjtat të meta.
Në çast, kërkova mbrojtje nga djalli i mallkuar, i kërkova Zotit falje për veten dhe për besimtarët e tjerë dhe mëshirë për ata që kanë ndërruar jetë. Folësi ma ktheu me kritikë aty për aty, e cila kishte të bëjë me faktin se iu dorëzova mangësive dhe gabimeve me pretekstin se çdo njeri gabon. Kjo, ndërkohë që duhej ta luftoja fort me veten time, siç thotë dhe Zoti:”
 “Ata që luftojnë për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do ti udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!” (Ankebut, 69)
“Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, me siguri do t’i radhisim në mesin e të mirëve.” (Ankebut, 9)
Pyeta veten:”Përse gëzohesh kur flitet mirë për dikë tjetër dhe i ceken vlerat, ndërkohë që zemërohesh kur kritikohet dhe i nxirren në pah të metat?”
Po, vetja ime. Ti je më e mirë se ata që gëzohen me shkarjet e të tjerëve, të cilat i përdorin për ti gozhduar, demaskuar dhe ulur moralin. Ti je më e mirë se ata që mërziten me arritjet e të tjerëve, me ata që u ngushtohet zemra dhe urojnë natë e ditë dështimin e tjetrit dhe disfatën e tij. Vetëm kështu u bëhet zemra mal, sikur të mos e kishin lexuar pasazhin hyjnor:”
 “A mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga të mirat e Veta?” (Nisa, 54)
Kjo u ndodh atyre që janë mësuar të gabojnë dhe ta përsërisin. Ndëshkimi i rrëshqitjes në gabime, sado i vogël të duket, njeriu fillon e mësohet me të, madje u kërkon dhe njerëzve që ta ndjekin.
O Zot! Falu zemrave tonë devotshmërinë dhe pastroji, Ti je pastruesi më i mirë i tyre, Ti je kujdestari dhe i dashuri ynë.
O Zot na fal neve, myslimanët dhe myslimanet, të gjallët e të vdekurit, miqtë dhe kundërshtarët, ata me shumë gjynahe dhe ata me pak!
O Zot, dhembshuria Jote ka përfshirë gjithçka, prandaj tregohu i dhembshur me ne!
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit