Shkruan: Abdullah Klinaku
Bindjet e individit kryesisht përcaktohen nga sistemi i vlerave në të cilat beson. Me bindjet që kemi dhe me vlerat në të cilat besojmë nuk duhet të bëjmë kompromise të vazhdueshme. Në rast se në vazhdimësi bëjmë kompromis me vlerat tona atëherë do të humbim identitetin tonë, shenjat tona dhe në fund edhe besimin tonë. Sistemi i vlerave në të cilat besojmë janë ngjyrosje e bukur midis vlerave Hyjnore dhe natyrore, duke qenë se që të dyja burimin e kanë nga Zoti. Pra, besojmë në Zotin e Madhërishëm si burim i çdo gjëje, kombin si vlerë identitare, përkatësi kolektive dhe detyrim hyjnor për ruajtjen e tij si dhe besojmë në familjen si rend hyjnor me detyrimin primar e të natyrshëm për ruajtjen dhe zhvillimin të gjinisë njerëzore duke u bazuar në dashurinë dhe dhembshurinë reciproke të çiftit!
Kombi ynë, në përgjithësi gjatë historisë e në veçanti prej vitit 1912 e deri tani, familjen e ka pasur folenë kryesore të idealit dhe vlerave. Familja shqiptare në Shqipëri është përballur me regjimin më të egër komunist dhe karshi tij e ka mbrojtur dhe kultivuar, Besimin në Zotin e Madhërishëm, moralin e mirë, nderin, fisnikërinë, besnikërinë, dashurinë ndaj atdheut shqiptar duke përfshirë edhe Kosovën, kujtesën historike, motivin për lirinë dhe shpirtin kryengritës deri sa e përmbysi regjimin.
Familja shqiptare në Kosovë, e cila ra nën pushtimin gjenocidial serbo-sllav që vitit 1912 ishte mburoja kryesore e qenësisë tonë kombëtare. Familja shqiptare e Kosovës gjatë gjithë kësaj kohe e ka ruajtur qenësinë kombëtare, dashurinë ndaj atdheut shqiptar pjesë e së cilës e ka besuar edhe Kosovën, Besimin në Zotin e Madhërishëm, kujtesën historike, minaren, shaminë, Kur’anin, respektin ndër kulturor e ndër fetar, besën, bujarinë, dhe motivin për tu organizuar për liri kundër nja armiku shekullor.
Liria jonë dhe lufta jonë kombëtare burimin e ka te familja. Te familjet e Kosovës në krye me familjen legjendare, familjen Jashari.
Ta dimë qartë se një komb pa shtet e pa pushtet mund të ekzistojë vetëm me familje të fortë. Vendi ynë është në fazë tranzicioni, institucionet i ka në ndërtim e sipër, luhatjet politike dhe pa siguria janë përditshmëria e shtetit tonë, dhe streha më e sigurt dhe më e fuqishme e tij është familja. Prandaj, mos e shkatërroni kalanë dhe institucionin më të qëndrueshëm të vendit tonë, familjen!
Qeveria aktuale ka ardhur në pushtet me votën e të majtëve dhe të djathtëve, fetarëve dhe jo fetarëve, konservatorëve e liberalëve, teistëve dhe ateistëve, dhe në fund sakrificën e parë që e bëri në interes të nuk e di kujt, e bëri familjen. Sakrifikoi vlerën esenciale, të kombëtarëve, fetarëve e konservatorëve. Deklarata e shefes së grupit parlamentar më të madh në Kuvend se duhet të miratohet ky Kod, është gabimi i radhës pas atij të miratimit nga Qeveria dhe nga Komisioni për Legjislacion.
Besojmë se duhet të rritet presioni ndaj Qeverisë e cila duhet ta tërheq këtë kod, sipas nenit 56 të Rregullores së Punës së Kuvendit, në të kundërtën, përpjekja jonë për familjen duhet të vazhdojë individualisht me deputetët dhe me të gjitha partitë politike. Këtë presion mund ta ushtrojnë bashkësitë fetare të Kosovës, pa dallim, në krye me Bashkësinë Islame, shoqëria civile, intelektualët dhe në fund qytetarët me mbledhjen e 10.000 nënshkrimeve për mbrojtjen e familjes, proces i cili do të nis së shpejti, dashtë Zoti!