Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe të Bullgarisë, Dimitar Kovaçevski dhe Kiril Petkov, të premten, më 18 shkurt, kanë theksuar nevojën për vazhdimin e dialogut mes dy vendeve për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme, që sipas tyre do të ofronte të ardhmen evropiane për të dy vendet.
Dy kryeministrat janë takuar në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, me c’rast shprehën kënaqësinë për procesin e dinamizimit të bashkëpunimit dypalësh përmes grupeve të punës, aktiviteteve dhe propozimeve specifike që kanë dalë nga puna e tyre e deritanishme.
“Kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov besojnë se bashkëpunimi dhe dialogu do të sjellin përfitime më të mëdha për qytetarët dhe të çojnë dy vendet drejt një të ardhme të përbashkët evropiane”, thuhet në njoftimin e qeverisë maqedonase.
Takimi mes krerëve të dy qeverive vjen një ditë pasi VMRO DPMNE-ja bëri të ditur se “nuk do të pranonte asnjë marrëveshje me Bullgarinë, nëse zgjidhja që mund të arrihet do të dëmtojë interesat kombëtare dhe shtetërore të Maqedonisë së Veriut .
Kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, dyshon se ekipi negociator maqedonas po synon të arrijnë një marrëveshje të dëmshme duke “hequr dorë nga heroi kombëtar maqedonas, Goce Dellçev, duke pranuar se ai është me prejardhje bullgare, por edhe duke lëshuar vijat e kuqe mbi gjuhën dhe identitetin maqedonas”.
Këto pretendime janë hedhur poshtë nga kryeministri, Dimitar Kovaçevski duke thënë “se çdo marrëveshje që mund të arrihet me palën bullgare do të jetë transparente”.
Ndërkohë, mediat në Shkup kanë publikuar një anketë të opinionit publik në Bullgari ku ka ndasi sa i përket raporteve me Maqedoninë e Veriut.
Qasja e re e qeverisë bullgare ka mbështetjen e 31 pët qind të qytetarëve bullgarë, vetëm dy muaj pas zgjedhjes së kryeministrit, Kiril Petkov, sipas sondazhit të agjencisë Alpha Research.
Ndërkohë, qëndrim “të fortë” ndaj Shkupit kërkojnë 49 për qind e bullgarëve të anketuar, por kjo përqindje është më e ulët në krahasim me anketat e mëparshëme, kur më shumë se 55 për qind e bullgarëve ishin për mos heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.
Sofja në nëntor të vitit 2020 ka bllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut duke e kushtëzuar me marrëveshjen për gjuhën dhe identitetin maqedonas. Bullgaria kërkon nga Shkupi të pranojë se gjuha dhe identiteti i tyre deri para vitit 1945 kanë pasur “rrënjë bullgare”. /rel