3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Konsumatorët besojnë që ushqimi i shëndetshëm ka shije të keqe

Më të lexuarat

Pse po dështojnë fushatat ndërgjegjësuese shëndetësore t’i ulin normat tejet të larta të obesitetit? Sipas një studimi të ri në Journal of Public Policy & Marketing, konsumatorët vazhdojnë t’i marrin vendimet e tyre të ushqyerjes vetëm në bazë të shijes.
 
“Pavarësisht një trendi të kohëve të fundit ndaj shprehive të shëndetshme të ngrënies, shumë konsumatorë ende priren të konsumojnë tepër ushqime të pashëndetshme për shkak të dy fakteve që funksionojnë të kombinuara”, shkruajnë autorët Robert Mai dhe Stefan Hoffmann (Universiteti Kiel, Gjermani).
 
“E pashëndetshmja është e lidhur gjerësisht me të qenët e shijshme, dhe shija është nxitësi kryesor i vendimeve rreth ushqimit. Ka shumë pak hulumtime mbi konfliktin në mes të të shëndetshmes dhe shijes”.
 
Pjesëmarrësve të studimit u janë dhënë jogurtë të ndryshëm, të cilët dallonin në sasi të sheqerit dhe yndyrës. Edhe kur u ishte dhënë informacion më i mirë në lidhje me përbërësit, kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta inkurajuar përzgjedhjen e jogurtit më të shëndetshëm. Strategjia ishte veçanërisht e paefektshme për konsumuesit që kishin nevojë më së shumti për të, sepse konsumuesit të cilët ishin më pak të vetëdijshëm për shëndetin kishin edhe më pak të ngjarë ta merrnin në konsideratë ndonjë informacion të ri shëndetësor.
 
Edhe pse disa konsumues të ndërgjegjshëm për shëndetin e modifikuan sjelljen e tyre paksa kur u ishte dhënë informacion më i mirë për produktin, si konsumuesit e informuar ashtu edhe ata të painformuar të pashëndetshëm i shprehën mendimet e tyre të palëkundura se jogurtët më pak të shëndetshëm ishin më të shijshëm, transmeton Koha.net. Ishte ky faktor i shijes ai që, në fund, çoi në marrjen e vendimeve si për konsumuesit e shëndetshëm ashtu edhe ata të pashëndetshëm, dhe ai nuk u ndikua dot vetëm duke e ngritur vetëdijen për shëndetin.
 
“Planifikuesit e politikave në vend të ngritjes së vetëdijes duhet të gjejnë mënyra për ta bërë ushqimin të shëndetshëm më tërheqës, duke e përmirësuar shijen aktuale si edhe paketimin dhe marketingun, dhe duke investuar në fushata sociale që punojnë në emocionet e konsumatorëve dhe e inkurajojnë një ndjenjë që ushqimi i shëndetshëm është i mirë dhe prestigjioz. Në përgjithësi, nevojitet urgjentisht një qasje holistike në të cilën kompanitë e ushqimit, konsumatorët, dhe krijuesit e politikave, në vend që të punojnë kundër njëri-tjetrit, të arrijnë t’i gjejnë strategjitë reciprokisht të dobishme për ta luftuar epideminë alarmante botërore të obesitetit”, përfundojnë autorët.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit