Gjatë fjalës së tij në prezatimin e rezultateve të kompanisë për tremujorin e dytë të vitit 2015, drejtori financiar i Google, Ruth Porat ka folur edhe për rritjen marramendëse të cilën po e përjeton gjiganti global i kërkimit edhe në shërbimin YouTube.
Koha e përgjithshme e shikimit të videove në YouTube është rritur për 60 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, dhe kjo shkallë e rritjes ka shënuar rekordin më të mirë të kompanisë në dy vitet e fundit.
Më tej është thënë se ajo që është edhe më interesante si statistikë është koha e shikimit të videove në YouTube nga pajisjet mobile, e cila është dyfishuar nga viti i kaluar.
Zyrtarët e Google kanë njoftuar se sesioni mesatar i shikimit të videove në YouTube nga pajisjet mobile është rreth 40 minuta i gjatë.
Ndërsa me iniciativat e reja të ngjashme me atë të YouTube Gaming dhe YouTube Kids, pritjet janë që shërbimi dhe platforma më e madhe në botë për video të rritet edhe më shumë, si dhe të krijojë përdorues të rinj. (Telegrafi)