“Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës, përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, u shpreh ministrja Rizvanolli.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar se Qeveria e Kosovës ka miratuar vendim për ndalimin e prodhimit të kriptovalutave në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Ministrja Rizvanolli bëri të ditur se në fund të vitit të kaluar me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës është themeluar Komiteti Teknik për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”.
“Ky Komitet Teknik ka mbajtur dy takime për të identifikuar dhe rekomanduar zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara nga kriza energjetike botërore”, u shpreh tha Rizvanolli në Facebook, duke shtuar:
“Duke u bazuar në rekomandimet e këtij Komiteti Teknik, javën e kaluar kam marrë vendimin për Masa të Emergjencës përmes të cilit ndalohet prodhimi i kriptovalutave në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”.
Ajo gjithashtu u shpreh se institucionet e rendit do të ndalojnë prodhimin e aktivitetit në fjalë me mbështetje të të gjitha institucioneve relevante të cilat do të identifikojnë lokacionet e prodhimit të kriptovalutave.
“Këto obligime kanë për qëllim trajtimin e çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë në mënyrë që të tejkalojmë krizën e energjisë pa rënduar më tej qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha ministrja Rizvanolli.
Kriptovalutat janë monedha digjitale ose virtuale, të krijuar për të funksionuar si një mjet këmbimi. Ato përdorin kriptografinë për të siguruar dhe verifikuar transaksionet, si dhe për të kontrolluar krijimin e njësive të reja të një kriptovalute të caktuar. (Anadolu Agency – AA)