0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Shpërnguljet prej serbëve: një letër nga Turqia e vitit 1862

Më të lexuarat

Efendiu i larguar i shkruan kolegut të mbetur në Serbi



Kur më 22 nëntor 1862 u mbajt një konferencë ndërkombëtare e fuqive të mëdha në Kanlixha në Bosfor, në të cilen u urdhërua dëbimi i myslimanëve nga Serbia e cila po krijohej, familje të tëra nga fshatrat dhe qytetet që i përkisnin Principatës së sapoformuar të Serbisë u dëbuan me dhunë.

Në këtë konferencë të fuqive të mëdha është marrë vendim që muslimanët e mbetur (shqiptarë, boshnjakë, turq…) të shpërngulen me dëshirë ose me zor nga kjo principatë – Serbia (duke përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë si pjesë e spastrimit)… Një shembull i tillë është edhe qyteti Uzhice, ku u shkatërruan sistematikisht 34 xhami, si dhe shumë vakëfe tjera.

Duke qenë se muslimanët e Uzhicës (tani qytet në Serbi) nuk donin të largoheshin nga pronat dhe shtëpitë e tyre, u zbatua një metodë e dhunshme e dëbimit të tyre, e cila u shfaq me grabitje, përdhunim, zjarrvënie dhe vrasje etj. Pra, metoda e njëjtë sikur në luftrat e fundit që i kanë bërë serbët në ish-Jugosllavi (sidomos në Bosnje dhe Kosovë) kundër popullatës muslimane.

Në atë kohë një zotëri i përndjekur, Efendiu Huseini i Uzhices (viti 1887), pas 25 vjet dëbim i dërgoi një letër nga Turqia në qytetin e Bijelines, mikut dhe kolegut të tij Hafiz Ibrahim-Efendiut. Kjo letrër ia vlen të lexohet sepse vlen edhe per te gjitha trojet nga u shpërngulen popullata joserbe për në Turqi.

“Dosti im i virtytshëm dhe i lavdëruar,

Në këto kohë, për një moment edhe shpirti im u qetësua pak, kështu që mora një penë dhe një letër për t’ju dërguar lajme nga kjo jeta ime e re, nga kjo botë që as që mund ta imagjinoja deri dje, dhe tani e pranoj atë si timen.

Kanë kaluar vite që kur u larguam nga atdheu, nga vendlindjet tona. Tani bëhen 25 vite dhe, kur më duhet t’u lajmërohem ty ose dikujt tjetër atje, jam aq i trishtuar, aq i dobët, sikur deti të më hudhë pa ndjenja jashtë, kur më rëndon shumë, që mezi e mbaj penën në dorë. Më hapen plagët në zemër, sikur të ishte dje, apo sikur të mos ishte kurrë, sikur të kisha parë një ëndërr të keqe, ndaj mezi pres të zgjohem. Por edhe sikur s’po mundem që të zgjohem.

Befas, para syve më doli Uzhica jonë, e ndritur dhe e madhe, siç ishte, që Stambolli i’a kishte zili. Kushdo që vinte aty mezi kthehej mbrapsht, se e ka të vështirë të ndahet nga ajo bukuri.

Uzhica ishte e njohur në të gjithë botën po aq e famshme sa Kordoba dikur. Nëse Abdel Rrahmani, Allahu e mëshiroftë, do të ngrihej nga varri, asnjë qytet tjetër në tokë nuk do të na kishte përzgjedhur për të jetuar përveç në Uzhicë, pasi Kordoba e tij nuk është më dhe nuk mund të jetë. Ah Vetëm Uzhica. Uzhices do i kishte kënduar, Uzhicë e bukura Uzhicë.

Sikur të na kishte goditur rrufeja, të na kishte shtypur shejtani me grusht të nxehtë, të hapej kodra, asgjë nuk do të na shqetësonte aq shumë sa lajmi se duhet të iknim nga vatrat tona. Se ne duhet të shkojmë, se duhet t’ia bëjmë hallall tokës tonë nga ajo që ka qenë e jona një përjetësi e tërë, e gjatë dhe e pandërprerë. Dhe sapo mbyll sytë, më sillet në kokë ajo flaka e fortë, kur u djeg e tërë Uzhica jonë. Dhe vajzat tona, nga dëshpërimi kënduan:

“Oj Uzhice, Kostandinopoja e vogël,

deri sa ishe, ah sa e mirë ishe.”

Dhe ne u larguam. Ata që deri dje na quanin vëllezër (serbët), na larguan me poshtërime dhe sharje të padëgjuara. Dhe në pak muaj na erdhën lajme të zeza. Shembën dhe rrafshuan gjithçka që kishte mbetur nga shenjat tona, çdo tra e çdo mur të varfër. I zhdukën si të shkatrroheshin nga dora e ferrit, xhamitë, mektebet dhe hamamet, hanet; të gjitha shtëpitë tona i uzurpuan dhe i shkatërruan. Asnjë gjurmë më të vogël nuk e lanë, asnjë grimcë nuk mbeti nga qindra vjet jetesë që aty ishim, o hafizi im. Asgjë. Sikur Uzhica jonë të mos ekzistonte kurrë.

Ndonjëherë, natën, pa arsye, zgjohem i frikësuar. Shikoj në errësirë dhe pyes veten: “Zot i mëshirshëm, a do të kthehemi ndonjëherë në jetët tona, të kaluara?” /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit