20.6 C
Pristina
Saturday, September 21, 2024

MEDRESEJA E “ISA BEUT” SHKUP – Nga shkollat më të vjetra dhe më me traditë në Ballkan

Më të lexuarat

Një nga shkollat më të vjetra dhe më me traditë në Ballkan është Medreseja e “ISA BEUT” në Shkup. Ajo është themeluar pesë shekuj e gjysmë më parë, në vitin 1440. Historia e arsimit e njeh me emrin e Isa Beut, themeluesit të saj.
Këtë emër ajo e mban edhe sot. Në rrugën e saj qindra vjeçare ajo pësoi disa rrënime. Ajo u shkatërrua deri në themel në vitin 1689, kur qytetin e Shkupit e dogji Pikolomini, komandant i ushtrisë Austro-Hungareze. Gërmadhat e saj janë ruajtur deri para Luftës së Parë Botërore.
Luftërat që u zhvilluan në këtë periudhë dhe shndërrimi i trojeve shqiptare e më gjerë në sheshe lufte, siç qe ajo Ballkanike dhe ajo e Luftës së Parë Botërore, por në menyrë të veçantë pushtimi serb, e penguan seriozisht zhvillimin normal të punës në këtë medrese. Dëshmohet gojarisht nga shumë ish- nxënës të saj që mësimet(natyrishtnë mënyrë të reduktuar) i bënin privatisht në shtëpitë e mësuesve të tyre. Kjo praktikë ndikoi shumë në ruajtjen e besimit, si edhe në mosasimilimin e shqiptarëve.
Në fillim të viteve tridhjetë presioni i popullit qe i madh për ta zgjeruar dhe për ta forcuar këtë institucion. Një gjë të tillë qeveria jugosllave nuk e shihte me sy të mirë. Në një qarkore zyrtare serbe të vitit 1933, shpaloset qartë politika sllave. Në të urdhërohen organet e arsimit të Mbretërisë Jugosllave që “Nxënësit e shkollave fillore të marrin njohuri elementare, por vend të posaçëm duhet t’i jepet mesimit të fesë në frymën e jugosllavizmit,”besimit të mbretit dhe të kishës.”
Politika e Mbretërisë Jugosllave ishte antishqiptare dhe antiislame në mënyrë konseguente. Në vazhdim të traditave të lëna nga kisha ortodokse-sllave, e cila synoi në shkombëtarizimin dhe pastaj sllavizimin e shqiptarëve, organet e Mbretërisë Jugosllave ndoqën një plan diabolik, duke shfrytëzuar të gjitha rastet e mundshme për t’i lënë shqiptarët myslimanë në errësirë, të paarsimuar.
Pas rikonstruktimit në vitin 1932, kësaj medreseje më 2 tetor 1936 iu bë edhe inaugurimi. Por jeta e saj qe e shkurtër, ajo veproi vetëm pesë vite (1936-1941).
Në prag të Luftës së Dytë Botërore numëronte tridhjetë e dy nxënës. Në një dokument tjetër zyrtar të Ministrisë së Arsimit të Jugosllavisë të nënshkruar nga Andrea Grazhdanoviq, ministër arsimi i Mbretërisë Jugosllave të asaj kohe, thuhet: “…i nënshkruari mendon (ministri) se nxënësit myslimanë me gjuhë turke apo shqipe nuk duhen të shkollohen të gjithë, por vetëm një pjesë.”
Me aktivizimin e partisë komuniste dhe me ardhjen e saj në pushtet, aktiviteti i kësaj medreseje vazhdoi të jetë i ndërprerë, për gati katër dhjetëvjeçarë.
Por, ajo arriti të krijojë tradita të forta, përgatiti breza të tërë besimtarësh, kështu që populli i Shkupit priste rastin e përshtatshëm për ta ringjallur atë.
Përpjekjet e para u bënë më 1978, duke shfrytëzuar konjukturën politike. Megjithatë, për rrethana të ndryshme, ajo mundi të rifillojë punën e saj normalisht vetëm më 15.10.1984. Kontributi i popullit, dëshira e besimtarëve ishte që ajo të trashëgonte denjësisht atributet e paraardhësve të saj dhe njëkohësisht t’i pergjigjet kërkesave bashkëkohore, duke u administruar, drejtuar e funksionuar nga kuadro të kualifikuar me arsim të lartë teologjik dhe shkencor, duke u pajisur me një plan e program mësimor në bazë të arritjeve të fundit.
E gjithë veprimtaria e këtij institucioni zhvillohej në bazë të statutit, ku përcaktohen synimet, siç janë përgatitja e kuadrove fetare-edukative-mesimore, formimi i tyre dhe perpunimi i kategorive etike e fetare. Në bazë të planit mësimor, në këtë medrese zhvilloheshin 26 lëndë gjatë 4 viteve.
Lëndët ndahen në tre grupe:
a) Lëndët profesionale që synojnë formimin fetar: Drejtshqiptimi i Kur’anit (kiraet), Mësimi i besimit (akaid), Drejtësia islame (fikhu), Historia islame, Etika ose edukata islame, Komentimi i Kur’anit (tefsiri), Tradita e
Muhammedit a.s. (hadithi), Filozofia islame, Bukurshkrimi arabisht.
b) Lëndët e kulturës së përgjithshme: Filozofi e përgjithshme, Kultura dhe civilizimi islam, Pedagogji, Psikologji, Sociologji, Histori, Gjeografi, Biologji.
c) Grupi i lëndëve të gjuhëve si: të gjuhës shqipe, maqedonase dhe turqishte (që konsideroheshin si gjuhë amtare), arabe (gjuhë profesionale) dhe angleze (gjuhë e huaj). Në shkollë zhvillohej edhe edukata fizike. Sikurse shihet në këtë shkollë mbizotërojnë lëndët me përmbajtje fetare, por jo pak vend zinin lëndët e tjera të shkencave humane e natyrore si dhe gjuhët e huaja. Kjo dëshmon për përgatitjen e shëndoshë e të kompletuar të kuadrove që mbaronin këtë shkollë. Në këtë medrese shumica dërrmuese e nxënësve janë shqiptarë.
Gjatë viteve 1984-1993 kanë mbaruar gjithsej në këtë medrese 157 maturantë. Nga këta të diplomuar, më se 40 kanë vazhduar studimet e larta në Fakultetin Teologjik të Sarajevës, 20 në Universitetin Al- Az’har të Kajros, të tjerë në universitete të tjera jashtë vendit. Duke filluar nga viti shkollor 1990-91 pranë këtij institucioni është organizuar edhe mësimi me korrespondencë për vajza, numri i të cilave arriti në 108, nëntë prej të cilave janë diplomuar. Në bazë të librit të amzës, deri në vitin shkollor 1991-92 janë regjistruar 867 nxënës, nga të cilët 529 janë nxënës të rregullt.
Realizimi i të gjitha këtyre kërkesave diktonte zgjerimin e këtij institucioni.Kështu grupi i caktuar i inxhinierëve për këtë çështje zgjodhi në periferi tëqytetit të Shkupit fshatin Kondovë, ku filloi ndërtimi i kompleksit të medresesë, me tre objekte madhështore, që zënë një sipërfaqe prej 7000 m2. Ndërtesa e shkollës ka, përveç nëntë klasave mësimore të mobiluara më sëmiri, bibliotekën, sallën e leximit, ku mbahen dhe konferencat, librarinë, një mesxhid, dy kabinete gjuhe, fonolaboratorin, një kabinet biologjie, sallën e mësuesve dhe anekse të tjera funksionale së bashku me konviktin dhe kompleksin sportiv. Medreseja e Isa Beut ndiqet dhe nga nxënës të nacionaliteteve të tjera, si nga muslimanët bullgarë, turqë etj

Burimi:”ZHVILLIMI I KULTURËS ISLAME TE SHQIPTARËT GJATË SHEKULLIT XX”
Dr. Ramiz Zekaj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit