-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Jusufi a.s dhe syri i keq

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Jusufi a.s dhe syri i keq

Hyrje
 
Gjithësia është e mbushur me rreze dhe energji të shumta të cilat e kemi të pamundur t’i shohim dhe dallojmë me sytë tanë. Ekzistencën e tyre ne e ndjejmë vetëm nga ndikimi dhe pasojat e tyre. Këtu hyjnë rreze të tilla si ato ultravioletë, rrezet lazer dhe rreze të tjera të dëmshme.
Duke u nisur prej këtu, Sheriati islam ka përmendur dhe ekzistencën dhe ndikimin që lë syri i keq. Efekti i syrit të keq, vjen si rezultat i ndjenjave dhe anës emocionale të smirëkeqit.
Ashtu siç pranuam ekzistencën e rrezeve të ndryshme të cilat nuk i kap dot syri i njeriut, mund të pranojmë edhe energjinë që disa njerëz kanë, energji e cila kur shkarkohet mbi dikë tjetër e dëmton atë fizikisht.
Më poshtë, ne do të flasim mbi këtë fenomen të çuditshëm, do të përmendim tekste nga Kurani dhe suneti, do të flasim mbi shkaqet që shkaktojnë smirë, keqkuptimet e shumë njerëzve dhe shërimin nga kjo sëmundje. Të gjithë këtë, do e bëjmë nën hijen e historisë së Jakubit a.s dhe njëmbëdhjetë djemve të tij.
 
 
Historia e Jakubit a.s dhe djemve të tij.
 
Pasi u furnizuan herën e parë me ushqime dhe drithë, vëllezërit u kthyen në shtëpi, ku i rrëfyen gjithçka babait të tyre. Ata i treguan mbi respektin që u bëri ministri i Egjyptit, mbi nderin dhe mikpritjen. As ata dhe as babai i tyre Jakubi a.s, nuk e dinin se kush ishte ministri. Atyre nuk u vajti fare në mendje se ai që i nderoi dhe i furnizoi me ushqime, mund të ishte vëllai i tyre Jusufi a.s.
Gjithësesi, Jakubi a.s ishte i ndërgjegjshëm se fëmijët e tij ishin të shumtë në numër. Kështu, kur deshën të shkojnë sërish në Egjypt për t’u furnizuar me drithë, Jakubi a.s u frikësua për të ardhmen e tyre. Bashkë me Benjaminin, ata bëheshin njëmbëdhjetë vëllezër. Ata do të largoheshin nga fshati i tyre dhe do të udhëtonin drejt një vendi të panjohur, ku njerëz të ndryshëm mund të tentonin t’i mashtrojnë. Ashtu siç ishin të shumtë në frymë, të shumta do të ishin dhe ushqimet dhe drithërat që do të mbartnin. Nëse do të hynin në Egjypt nga e njëjta derë, si të huaj, do të binin në sy dhe tërhiqnin vëmendjen e të gjthëve. Veç kësaj, duke qenë se ishin të shumtë në numër, Jakubi a.s i druhej dhe smirës dhe syrit të keq. Ai e luste Zotin që t’i mbrojë djemtë e tij nga syri i keq dhe smira. Kjo tregon që njeriu nuk mund t’a shmangë syrin e keq dhe smirën, veçse duke i kërkuar mbrojtje Zotit. Thotë Zoti i madhëruar në suren Jusuf, mbi porosinë e Jakubit a.s:
“O djemtë e mi, mos hyni nga e njëjta portë (e qytetit), por nga porta të ndryshme. Unë nuk mund të largoj prej jush asgjë nga (ajo që ju ka caktuar) Allahu! Se pushteti i përket vetëm Allahut. Tek Ai mbështetem unë dhe tek Ai le të mbështeten ata që dëshirojnë të jenë të mbështetur (tek Allahu)”! Kur ata hynë (në qytet), ashtu siç i urdhëroi babai i tyre, dëshira e Jakubit u përmbush, por kjo nuk i ndihmoi aspak para caktimit të Allahut. Ai (Jakubi), në të vërtetë, ka qenë dijetar i madh, sepse Ne e kemi mësuar, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Jusuf, 67-68)
Thotë Kurtubiu rreth komentit të këtyre ajeteve:”Kur djemtë u nisën të dalin nga shtëpia, Jakubi a.s u frikësua se mos i prek syri i keq. Për këtë, i urdhëroi që të mos hyjnë në Egjypt nga një derë e vetme, por të shpërndahen dhe të hyjnë nga dyer të ndryshme. Muret rrethuese të Egjyptit asokohe kishin katër dyer. Ai u merakos se mos i prek syri i keq, pasi ishin njëmbëdhjetë vëllezër, të rinj, të hijshëm dhe elegantë. Diçka të tillë e ka thënë Abdullah ibnu Abasi, Katade dhe të tjerë.” (Tefsiri i Kurtubiut, 9/191)
 
 
Sheriati dhe syri i keq
 
Transmeton Aisheja – Zoti qoftë i kënaqur me të – se i dërguari i Zotit a.s ka thënë:”I kërkoni Zotit t’ju mbrojë, pasi syri i keq është i vërtetë.” (Ibnu Maxheh 2/1159, hadithi nr 3508)
Transmeton Esma bintu Amis  – Zoti qoftë i kënaqur me të – se e ka pyetur të dërguarin e Zotit dhe i ka thënë:” O i dërguari i Zotit! Djali im Xhaferi preket shpesh nga syri i keq, a t’i lexoj diçka nga Kurani?”
Profeti a.s ia ktheu:”Po. Nëse do të kishte diçka që i paraprin caktimit të Zotit, do të ishte syri i keq.” (Sunen Tirmidhij, 4/395, hadithi nr 2059)
Transmeton Seid El-hudrij – Zoti qoftë i kënaqur me të – se i dërguari i Zotit a.s kërkonte mbrojtje nga syri i keq, xhindët derisa iu shpallën suret Felek dhe Nas. Pasi iu shpallën këto dy sure, i la lutjet e mëparshme dhe kërkonte mbrojtje me to.” (Tirmidhij 4/395, hadithi nr 2058)
Transmeton Ebu Umame ibnu Sehl ibnu Hanif se Amir ibnu Rebia, pa një ditë Sehl ibnu Hanif duke u larë dhe tha:”Lëkurë të tillë nuk ka as nusja natën e martesës!” Në atë çast,  Sehl ibnu Hanif u mblodh dhe u përplas përtokë. Të pranishmit e morën dhe menjëherë e dërguan tek i dërguari i Zotit. Ata i thanë:”O i dërguar i Zotit! A ke diçka për Sehl ibnu Hanif? Për Zotin ai është sëmurë dhe nuk ngren dot as kokën.”
Profeti a.s i pyeti:”A akuzoni dikë për sy të keq?”
Ata iu përgjigjën:”Po, Amir ibnu Rebia.”
Profeti a.s e thirri Amir ibnu Rebia dhe me të ardhur i tha me zemërim:”Si është e mundur të vrasë vëllai vëllanë?! Përse nuk the mashalla kur e pe?! Tani lahu për vëllanë tënd!”
Amir lau fytyrën, duart, parakrahët, dy gjunjët dhe dy këmbët në një enë dhe ujin ia hodhën Sehl-it, i cili u ngrit në këmbë sikur të mos kishte qenë sëmurë.”
(El-muvetta 2/939, hadithi nr 1679)
 
Thotë Ebu Derda, Zoti qoftë i kënaqur me të:”Sa më shumë t’a kujtojë një person vdekjen, aq më pak do të gëzohet dhe aq më pak do të preket nga smira e keqe.”
Kurse Muavije thotë:”Unë mund t’i kënaq të gjithë njerëzit, përveç dikë që më xhelozon për një të mirë që më ka dhënë Zoti. Atë nuk e kënaq vetëm kur të më shohë të privuar nga ajo e mirë.”
Thotë Ibnul Kajjim – Zoti e mëshiroftë -:”Çdo sykeq është dhe ziliqar, por jo çdo ziliqar është sykeq. Përderisa zilia është më gjithëpërfshirëse, mbrojtja nga zilia përfshin edhe syrin e keq.” (Mjekësia profetike e Ibnul Kajjim, faqe 131)
 
 
Besimi në ndikimin e syrit të keq është i hershëm
 
Besimin në syrin e keq, njerëzimi e njeh që në kohët e hershme. Ai ka qenë i përhapur në të gjithë civilizimet dhe popujt e mëparshëm.
Atë e hasim tek faraonët dhe finikasit, të cilët për t’u mbrojtur nga syri i keq përdornin hajmalitë, varëset me ngjyrë blu etj…
Syri i keq njihej dhe nga grekët e lashtë. Ata kishin dhe një perëndi për zilinë, e cila quhej Phthonos.
Po kështu, syri i keq dhe zilia njihej edhe tek arabët, të cilët përdornin varëse, hajmali dhe formula të shumta për t’u mbrojtur nga syri i keq. Ata mendonin se ndër gjithë kafshët, ishin devetë ato që prekeshin më së shumti nga syri i keq. Për këtë, kur devetë e dikujt arrinin një mijë kokë, arabët i qëronin njërin sy devesë mashkull që mbanin për ndërzim. Nëse numri i tyre e kalonte një mijë kokë, ata i qëronin edhe syrin tjetër, për t’a mbrojtur nga syri i keq. Kurse beduinët i damkosin kafshët e tyre në fytyrë për t’i mbrojtur nga syri i keq.
 
 
Mësojini fëmijët të mos kenë zili
 
Është detyrë e prindërve  që t’i këshillojnë fëmijët të mos kenë zili dhe smirë për të tjerët. Ata duhet të edukohen në mënyrë të tillë që të mos urojnë që të tjerët të privohen nga të mirat që kanë. Zilia dhe smira janë të papranueshme dhe të dënueshme në islam.
Ndër shkaqet që e shkaktojnë dhe e zhvillojnë zilinë tek njeriu, janë:
Dëshira për t’a parë tjetrin të privuar nga ato të mira që nuk i ka vetë – shtimi i të mirave materiale dhe konkurrenca për të fituar sa më shumë – mendjemadhësia dhe egoizmi – urrejtja dhe armiqësia, sidomos kur nuk ka mundësi të hakmerret – dhënia pas diçkaje me vlerë – kopracia – dallimi në komunikim – dalja e ziliqarit jashtë etikës morale të Sheriatit – neglizhenca ndaj pasojave të zilisë etj…
Kështu, një pjesë e rëndësishme e edukimit të fëmijëve, duhet t’i kushtohet luftës për shmangien e shkaqeve të lartpërmendura. Kjo, me qëllim që fëmijët tanë mos u bien më qafë të tjerëve pa të drejtë.
Nëse prindërit vërejnë që një nga fëmijët e tyre ka zili një bashkëmoshatar për një arsye apo një tjetër, duhet t’a këshillojnë dhe t’ia sqarojnë se është Zoti Ai që i shpërndan të mirat dhe rizkun.
Thotë Ibnul Kajjim:”Zilia luftohet herë duke qenë i kënaqur me atë që të ka dhënë Zoti, herë duke u distancuar nga luksi i tepërt i kësaj bote, herë duke medituar rreth llogarisë së rreptë që do të japin njerëzit që kanë jetuar të rrethuar nga të mirat materiale dhe luksi.” (Muhtesar minhaxh kasidin, faqe 202)
 
 
 
 
Prindërit në mbrojtje të fëmijëve
 
Çdo familje duhet të nxjerrë mësime dhe të përfitojë nga këshillat që Jakubi a.s u drejtoi fëmijëve të tij për t’i mbrojtur nga syri i keq. Këtë, prindërit duhet t’a bëjnë duke respektuar hapat e mëposhtëm:
1 – Të mos i nxjerrin të gjithë fëmijët njëherësh dhe me një veshje unike që bie në sy, nxit kureshtje dhe shkakton xhelozi dhe smirë.
2 – Të tregohen të kujdesshëm teksa rrëfejnë dhuntitë, zgjuarsinë dhe aftësitë mendore të fëmijëve para njerëzve të tjerë. Nëse duan të përmendin dhuntitë dhe talentin e fëmijëve, le t’a shoqërojnë me fjalët: Mashalla, tebarekallah, la haule ve la kuvvete il-la bil-lah.
3 – Nëse ndonjë nga të afërmit e lëvdon fëmijën tënd dhe i numëron dhuntitë dhe aftësitë, duhet që prindërit t’ia kujtojnë të thotë Mashallah.
4 – Të mësohen fëmijët që të lexojnë suret  Felek dhe Nas, sidomos kur duan të flenë dhe kur janë të sëmurë. Veç sureve të mësipërme, ata duhet të mësojnë dhe formulën (rukje) që i mbron nga syri i keq. “Bislmilahi erkik, min kul-li shej’in ju’dhik, min sherri kul-li nefsin eu ajnin hasidin, Allahu jeshfik, bismil-lahi erkik.”
Nëse e mësojnë dhe e përsërisin herë pas herë, është më mirë për fëmijët.
5 – Ndërgjegjësimi i fëmijëve mbi risitë dhe metodat tradicionale të përhapura për t’u mbrojtur nga zilia dhe syri i keq. Shumë njerëz, duke dashur të shmangin syrin e keq dhe zilinë, kanë shpikur metoda nga më të çuditshmet. Disa prej tyre u hedhin krypë mbi kokë dy të sapomartuarve – disa mbajnë një dërrasë në dorë – disa ngjisin brum buke në derë – disa varin në qafë varëse ngjyrë blu – disa mbajnë patkua kali në makinë – disa përgjakin muret e shtëpisë së re etj…
 
 
Një hadith të cilin duhet t’a mësojnë fëmijët tanë
 
Transmeton Ibnu Abasi – Zoti qoftë i kënaqur me të – se ai një ditë ndodhej pas të dërguarit të Zotit, i cili e kapi për dore dhe i tha:“O djalosh, unë do të të mësoj disa fjalë. Ruaje Zotin (në zemër) të të mbrojë (nga të këqiat). Ruaje Zotin (në zemër) ta gjesh Atë pranë teje. Nëse kërkon diçka, kërkoje prej Zotit. Nëse kërkon ndihmë kërkoje prej Zotit. Dije që sikur të gjithë njerëzit të mblidheshin për të të bërë dobi, nuk do e arrinin veçse nëse e ka caktuar Zoti dhe nëse do të mblidheshin të të dëmtonin, nuk do e arrinin veçse nëse e ka caktuar Zoti.” (Tirmidhij 4/667, hadithi nr 2516)
Ky hadith është shumë i rëndësishëm, pasi e forcon besimin e fëmijës tek Zoti dhe caktimi i Zotit. Kështu, ai nuk do ketë zili askënd, nuk do urojë që Zoti t’i privojë të tjerët, do ndërgjegjësohet që vullneti i Zotit është mbi çdo vullnet tjetër dhe kështu do i drejtohet dhe lutet vetëm Atij. Diçka të tillë e hasim edhe në fjalët e Jakubit a.s që ia drejtoi djemve të tij:”
“Unë nuk mund të largoj prej jush asgjë nga (ajo që ju ka caktuar) Allahu! Se pushteti i përket vetëm Allahut. Tek Ai mbështetem unë dhe tek Ai le të mbështeten ata që dëshirojnë të jenë të mbështetur (tek Allahu)!” (Jusuf, 67)
 
 
Një histori për të qeshur mbi syrin e keq dhe zilinë
 
Thuhet, se mbreti u tha një ditë dy personave që e kishin zili njëri-tjetrin: Secili prej jush që më kërkon diçka, unë do i jap tjetrit dyfishin e asaj, prandaj kërkoni ç’të doni. Por të dy i kaploi ankthi dhe meraku. Si mund të duronte që mbreti t’i japë tjetrit, dyfishin e asaj që do të kërkonte ai? Si mund t’a përballonte faktin se kundërshtari i tij do të kishte më shumë? Nëse do të kërkonte një mijë dinarë, mbreti do i jepte kundërshtarit të tij dymijë. Asnjëri nuk po fillonte të kërkojë i pari. Duke qenë se koha po kalonte dhe asnjëri nuk po fillonte të kërkojë, mbreti i kërcënoi me vdekje nëse nuk do të fillonin. Duke parë se nuk kishte nga t’ia mbante, njëri prej tyre parashtroi kërkesën e tij. Ai i tha mbretit:”Dua që të më qërosh njërin sy!” Kjo, me qëllim që mbreti ti qëronte kundërshtarit të tij të dy sytë. Ai pranonte të jetojë qorr me një sy, vetëm që t’a shohë kundërshtarin të verbër plotësisht.
 
Përfundim
 
Inati dhe zilia e mbush zemrën e njeriut gjithë urrejtje dhe e bën të reagojë në mënyrë të çuditshme. Zilia dhe urrejtja që kanë kapluar zemrën e njeriut, e bëjnë të shkarkojë energji nëpërmjet syve, energji e cila bie mbi personin e urryer. Duke qenë se është energji që nuk shihet me sy, ajo është e vështirë të shmanget dhe të luftohet nga njeriu. Për këtë, Zoti na këshillon të kërkojmë mbrojtje nga e keqja e zilisë dhe smirës. Duke qenë se njeriu e ka të pamundur të mbrohet nga kjo energji e padukshme, duhet të kërkojë mbrojtjen e Zotit të madhëruar. Prandaj, sa herë që Profeti a.s përballej me një problem që ishte jashtë mundësive të tij, kërkonte ndihmë nga Zoti duke falur dy rekate namaz.
Është detyrë e familjeve muslimanëve të kenë njohuri të mjaftueshme mbi zilinë, pasojat e tij, si t’a shmangin dhe të kujdesen që t’i mbrojnë fëmijët e tyre nga kjo sëmundje.
Në fund, e lusim Zotin e madhëruar të na mbrojë neve dhe familjet tona nga zilia dhe syri i keq!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit