Enes Neza
Lazarati është kthyer edhe njëherë në qendër të vëmendje së opinionit publik. Një operacion policor i shkuar keq, i mori jetën efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha, ndërsa dy të tjerë mbeten të plagosur. Ibrahimi i shpëtoi luftës në Afganistan dhe Irak si pjesëtar i forcave shqiptare komando për të lënë jetën nga plumbi i një adoleshenti në Lazarat.
Menjëherë pas ngjarjes, mediat e afërta me qeverinë nxituan ta etiketonin këtë krim si “terrorizëm islamik” dhe të rinjë e përfshirë si “terroristë”. Ishte pikërisht ish-kryeredaktoria e Gazetës Shqiptare, Anila Basha dhe gazetari Mero Baze të cilët e hodhën të parët këtë tezë në mediat e tyre online, respektivisht newsbomb.al dhe gazetatema.net. Kjo më pas u përhap edhe në mediat e tjera online. Sipas tyre, të rinjtë kishin frekuentuar disa herë xhaminë e fshatit dhe me shumë gjasa ishin infektuar nga ideologjia e të ashtuquajturit “islami politik”, por se kush i kishte infektuar dhe si, këtë nuk e thonë. Fotot e postuara në Facebook të të rinjve me gishtin e ngritur lart, një simbol se Zoti është Një, dhe disa foto të ISIS-it, kanë mjaftuar që këta gazetarë të ngrënë në këmbë një teori të tërë komploti për ekzistimin e një celule të ISIS-it në Lazarat. Për ta ngjarja kishte ngjyrat e një krimi me motive fetare. Por këto ngjyra i panë vetëm ata. Ndërkohë, këta gazetarë dështuan t’i tregojnë opiniont publik se efektivi i vrarë ishte gjithashtu një besimtar musliman i devotshëm, i cili la jetën për të mbrojtur rendin në këtë vend duke qënë agjerueshëm.
Një skemë e tillë, të cilën u përpoqën ta ngrenë në këmbë Anila Basha me Mero Bazen (ky krimineli që mban sadopak era musliman trajtohet si terrorist), nuk është diçka e shpikur prej tyre, por përdoret prej dekadash nga mediat e mëdha perëndimore, sidomos pas 11 Shtatorit.
Kjo skemë mediatike parasheh se çdo sulm/krim i kryer nga një përson i besimit islam, apo nga dikush që ngjan sadopak me një musliman, (mjafton të jetë arab, lëkurëerrët, të ketë emër lindor etj.) duhet të konsiderohet si akt terrorist i nxitur nga feja. Gjithashtu, sulmet terroriste të kryera nga përsona jo-muslimanë, kryesisht të bardhë, nuk konsiderohen si akte terroriste por si raste të veçuara të përsonave me probleme.
Sulmi ndaj një kishe të komunitetit të njerëzve me ngjyrë në Kaliforninë e Jugut në Shtetet Bashkuara ku mbeten të vrarë 9 përsona, përfshirë edhe pastorin kësaj kishe e tregon më së miri këtë. Ngjarja u trajtua nga mediat dhe nga politika si “çmenduri” e një përsoni të vetmuar i varur nga droga. Por profili i autorit ne Facebook tregon të kundërtën. Pavarësisht se ky krim dukshëm ishte nxitur nga urrejtja racore, askush nuk mori guximin ta quante akt terrorist.
Nga ana tjetër, “rreziku” nga “terrorizmi islamik” është fryrë qëllimisht nga mediat perëndimore për të krijuar në mendësinë e opinionit publik përshtypjen e një armiku i cili mund të na sulmojë në çdo moment në shtëpitë tona. Kjo përputhet në fakt edhe me narrativen e vetë grupeve terroriste si ISIS-i. Ideja se çdo musliman është një terrorist i mundshëm është bërë pjesë e narratives normale të medias. Pavarësisht se faktet dhe realiteti flasin krejt ndryshe.
Edhe në rastin e Lazaratit, dy gazetarët e sipërpërmendur, të cilëve iu bashkangjiten më pas edhe kolegët e tyre të Gazetës Shqip, u munduan në mënyrë të dëshpëruar të përdornin të njëjtën narrativë. Mero Baze foli për disa të rinjë “të indoktrinuar nga islami politik i ISIS”, ndërsa Anila Basha tha se kishte fakte për ekzistimin e një kampi trajnimi “të ngjashëm me formacionet e ISIS-it”. Por as ajo vetë nuk di të na tregojë se “kush i drejton, financon dhe trajnon këta të rinjë të besimit islam.” Sipas saj i riu i cili qëlloi mbi forcat e RENEA-s ishte “musliman dhe agjëronte.” Për Anilën nuk kishte asnjë dyshim, nëse i riu ishte musliman atëhere edhe krimi i tij duhet të ishte nxitur nga fryma ekstremiste dhe urrejtja fetare, e jo nga droga apo krimi i organizuar.
Të njëjtën tezë u mundua të hidhte edhe gjatë emisionit Opinion të Blendi Fevziut. Por, e gjendur përballë ekspertëve, zonja Basha nuk qe në gjendje ta mbronte tezën e saj deri në fund.
Por e vërteta rreth të rinjve dhe përkatësisë së tyre fetare u sqarua nga imami i fshatit Gential Pollo në një intervistë për News24. Ai sqaroi se nuk kemi të bëjmë me besimtarë të rregullt, por thjeshtë me disa të rinj, të cilët kanë qëlluar të shkojnë ndonjëherë në xhami bashkë me moshatarët e tyre. Por assesi me besimtarë të rregullt, me parime fetare të shëndosha.
Droga dhe krimi i organizuar janë kryefjala e ngjarjes në Lazarat, jo ekstremizmi fetar.
Ndërhyrja e dhunshme e policisë një vit më parë, ndërpreu prodhimin e kanabisit, por dështoi të ndalonte aktivitetin kriminal të disa personave problematikë në këtë fshat. Ishte pikërisht aktiviteti kriminal i këtyre personave që i mori jetën Ibrahimit Bashës në krye të detyrës.
Lazarati është një nga fshatrat e paktë me muslimanë në jug të Shqipërisë. Fshati ka diku rreth 40 familje muslimane. Vitin e kaluar ato u bënë krenaria e të gjithëve kur u bë publike se asnjëra nga ato nuk kishte pranuar të kultivonte hashashin, pasi besimi i tyre ua ndalonte këtë. Në vend të kësaj ato kishin preferuar të punonin tokën e djerrë të Lazaratit e të jetonin si bujq.
Por, përveç besimtarëve të rregullt, xhaminë e Lazaratit e frekuentojnë herë pas here edhe të rinjtë e tjerë të fshatit. Disa nga këta njihen nga banorët por edhe nga shteti si tipa problematikë. Por sigurisht, dera e xhamisë është e hapur për këdo që dëshiron të pastrojë shpirtin e të gjejë paqen me vetveten. Tek e fundit, xhamia për këtë shërben.
Në Shqipëri, frekuentimi i xhamive nga të rinjë është kthyer në diçka normale. Të gjendur përballë krizës së identitetit, të rinjtë me raste e provojnë edhe kontaktin me fene. Por disa nga ata janë thjeshtë kalimtarë; turistë shpirtërorë të një udhëtimi sipërfaqësor. Për ta, edhe frekuentimi i xhamisë, ashtu si çdo gjë tjetër, shihet më shumë si aventurë e moshës apo thjeshtë si një nxitje e rastit nga të njohurit, por assesi si një zgjedhje e vetëdijshme përfundimtare, e cila do t’u ndryshonte jetën rrenjësisht. Njerëz të tillë tregohen të dobët përballë tundimit të një jete mes drogës, alkoolit dhe dhunës. E çuditshme, por një jetë e tillë është tunduese për të rinjtë tanë, të cilët vuajnë nga pasja e një modeli për t’u ndjekur, e në vend të kësaj, zgjedhin modelin që u ofron media. Pa përmendur këtu dështimin e politikës për t’u ofruar të rinjve alternativa punësimi dhe integrimi në shoqëri.
Më shumë gjasa, të tillë kanë qënë edhe pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmoi forcat speciale të RENEA-s. Sipas raportimit të mediave, banorët e Lazaratit kanë deklaruar se ata nuk njiheshin si besimtarë të devotshëm e të rregullt. Profilet e tyrë në Facebook flasin vetë. Përveç disa rasteve sporadike ku ata shfaqen me shenja fetare, pjesa tjetër e fotove të shoqëruara me uiski tregon se ata ishin shumë larg të qënit besimtarë muslimanë të devotshëm.
Atëherë pse kjo përpjekje nga media për t’i mëshuar anës fetare në këtë ngjarje?
Dështimi i mediave shqiptare për të bërë gazetari cilësore të bazuar në fakte është padyshim një arsye që i shtyn këta gazetarë që t’i hyjnë kësaj aventure gazetareske alla shqiptarçe. Dëshira e madhe për audiencë, e cila më pas do të sillte përfitime materiale, i shtyn ata deri në dëshpërim që të farkëtojnë histori të tilla me ISIS-a e “xhihadista” ne territorin shqiptar. Tema të tilla, aktuale edhe në arenën ndërkombëtare, janë padyshim një mënyrë e mirë për të tërhequr audiencë.
Strukturat shtetërore janë bërë pjesë e këtij komplori mediatik.
Dështimi i qeverisë për ta normalizuar situatën në Lazarat edhe pas një viti që droga nuk është më burim kryesor është arsye e vlefshmë që gazetarët në shërbim të pushtetit ta largojnë vëmendjen e opinionit publik nga shkaktarët e vërtetë. Politikat përjashtuese të qeverisë kanë çuar rrjedhimisht edhe në dështimin e vendosjes së rendit në këtë fshat, i cili e ka parë veten gjithmonë të sulmuar dhe të diskriminuar nga politika. Mediumet që i mëshuan tezës së ekstremizmit fetar thanë se informacionet i kishin marrë nga prokuroria, e cila ka deklaruar se fajtorët fillimisht akuzohen për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, por në rast se vërtetohet përfundimisht se ata janë besimtarë muslimanë, atëherë “më vonë, akuza mund të ndryshojë akuzën, në akte për qëllime terroriste…”. Pra, u dashka të jesh besimtar musliman për t’u akuzuar për terrorizëm.
Trillimi i lajmeve të tilla me mbështetjen e organeve shtetërore ka për qëllimi diskreditimin e banorëve të Lazaratit, muslimanëve aty, por edhe të komunitetit të muslimanëve shqiptarë në përgjithësi. Ka për qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj tyre për shkak të përkatësisë fetare dhe largimin e vëmendjes nga problemet reale. Në një shtet funksional, Anila Basha dhe Mero Baze, bashkë me gazetarët e tjerë që po i fryjnë këtij zjarri, do të jepnin llogari penale për nxitje të urrejtjes dhe për shpifje. Por shteti shqiptar nuk është funksional. Me anë të mediave sherbëtore ai kërkon të gjejë një “kokë turku” për të fshehur paaftësinë e vet për të bërë shtet. Tek e fundit, kjo është natyra e qeverive totalitare, të dështuara dhe anti-demokratike.
Nëse sot ka të rinjë që i kanë profilet e tyre në Facebook të mbushura me foto me armë në dorë, e që i bëjnë elozhe dhunës, duke arritur deri në veprime të dhunshme, kjo është vetëm për shkak të modelit të gabuar që përcjell media dhe shoqëria ku jetojmë. Dhuna vizuale në media është e mjaftueshmë për të alienizuar edhe adoleshentët më model. Nga ana tjetër, shoqëria ku jetojmë i jep të rinjve mesazhin e gabuar se në këtë vend vetëm më të “fortit” dhe ata që kanë para respektohen. Për pasojë, rritet një brez i cili nuk njeh tjetër veçse gjuhën e forcës dhe të armëve. Feja këtu nuk ka asnjë rol. Fajtori duhet gjetur diku tjetër!