1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Shtëpitë e shpërbëra

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Shtëpitë e shpërbëra

I ftuar i emisionit: Fehmi Huvejdij
Studiues, mendimtar dhe shkrimtar islam
Data e emisionit: 12/05/2000
Prof. Xhasim El-Mutava: “Esselamu alejkum! Ju urojmë mirëseardhjen në programin tonë javor “Shtëpitë e lumtura”, i cili zhvillohet nën moton “Ta bëjmë lumturinë, traditën tonë”.
Janë pikërisht këto emisione, hallka e cila na lidh me ju të dashur teleshikues.
Tema e këtij emisioni është “Shtëpitë e shpërbëra”, temë e cila duket disi e çuditshme në pamje të parë. Në fakt, shumë studime dhe kërkime, kanë provuar, se numri i lindjeve është në rënie në vendet e industrializuara dhe të zhvilluara.
Në vitet gjashtëdhjetë, Profesori Pol Herin shkroi librin e tij “Bomba e popullsisë”, ku paralajmëronte një shpërthim të numrit të popullsisë mbi tokë në të ardhmen. Kurse ekspertët demografikë dhe sociologët e sotëm kanë ndezur dritat e alarmit. Sipas statistikave dhe studimeve të mëparshme, numri i popullsisë së botës në vitin 2050 do të arrijë në nëntë miliardë banorë. Kurse parashikimet e sotme pohojnë, se numri i popullsisë së botës në vitin 2050 do të jetë shtatë miliardë e gjysëm. Kjo nënkupton, se rritja e popullsisë është në rënie.
Kush e shkaktoi këtë çrregullim? Cilat janë shkaqet? A do të ndikojë kjo rënie e popullsisë në familjen dhe stabilitetin e saj? A do të ndikojë kjo rënie e popullsisë së vendeve të industrializuara në ambientin, shtëpitë dhe lumturinë tonë?
Janë pikërisht këto pika, të cilat do i trajtojmë me të ftuarin e emisionit tonë Fehmi Huvejdij, të cilit i urojmë mirëseardhjen në këtë emision… Fillimisht, i drejtojmë këtë pyetje: Çfarë mendoni mbi titullin e emisionit të sotëm?
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Pa dyshim që është një titull i goditur dhe që trajton një problem, me të cilin po përballet bota e industrializuar. Madje diçka e tillë po kthehet në një model, nga i cili vuan e gjithë bota në tërësi. Shpresojmë që ky emision të jetë stimulues, që vendet tona të mos i imitojnë vendet perëndimore në vlerat, moralet dhe traditat e tyre. Ajo që u përmend më lart, është një realitet që shqetëson të gjithë perëndimin”.
Premisat e së ardhmes në Perëndim
Prof. Xhasim El-Mutava: “A është e mundur, që të na paraqesësh disa shifra mbi numrin e lindjeve në Perëndim, statistikat e fundit, përqindjen e lindjeve dhe premisat e të ardhmes?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Ashtu siç e përmende dhe ti, unë posedoj shumë të dhëna mbi këtë temë. Vetë tema mbi të cilën po flasim, ka qenë temë e një artikulli të një gazete në Argjentinë, e cila theksonte, që shtetet perëndimore janë të ekspozuara ndaj një ulje drastike të popullsive të këtyre vendeve. Ulja e numrit të popullsive të vendeve perëndimore gjer në vitin 2050 është shumë e frikshme.
Danimarka p.sh, në vitin 1997 kishte një popullsi prej pesë milionë e gjysëm banorë. Kurse në vitin 2025, sipas përllogaritjeve numri i banorëve të Danimarkës do të jetë katër milionë e shtatëdhjetë mijë banorë.
Në Austri, gjenden një milionë të pamartuar. Numri i tyre në vitin 2020 do të jetë një milionë e treqind mijë banorë, pra shohim një rritje prej 42 %.
Është një fakt që numri i të pamartuarve është në rritje, ndërsa numri i të martuarve është në rënie. Kjo çon në rënien e lindjeve, gjë e cila rrezikon zhdukjen tërësore të popujve.
 
Shkaqet
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Sipas mendimit tuaj, cili është shkaku që çon në këtë rënie të popullsisë? Mos është zhvillimi teknologjik? Mos është revolucioni shkencor? Mos ndikon mënyra sesi perëndimorët e konceptojnë familjen, koncept i cili është komplet i ndryshëm nga ai i yni? Si i konsiderojnë ata këto ndryshime dhe zhvillime? Çfarë masash kanë marrë për atë që po ndodh?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Së pari, mendoj që ky problem është rezultat i shpërbërjes së sistemit të vlerave dhe lindja e koncepteve të ndryshme, sidomos ai i familjes. Shpërbërja e vlerave dhe e familjes, i ngjan plumbit që sapo ka marrë rrugën e daljes nga gryka e pushkës dhe është e pamundur t’a rikthesh në fole”.
 
Një studiues thotë mbi shoqërinë amerikane: ”Shoqëria amerikane është një shoqëri, që është jashtë çdo kontrolli. Ajo që e udhëheq këtë shoqëri nuk janë më vlerat, por ligjet. Vlerat dhe moralet, nuk janë më pika reference për të. Të gjithë atje thërrasin:”Ligji dhe jo kisha” me të cilën kanë për qëllim fenë”.
Dimensioni fetar është i përjashtuar
Prof. Xhasim El-Mutava: “Kurse dimensioni fetar është i përjashtuar!”
 
Prof. Fehmi Huvejdi: “Sigurisht, madje institucionet fetare ndodhen në kolaps të plotë. Feja u përshtatet dhe u shërben koncepteve dhe ideve të reja. Madje, në disa kisha të Amerikës, lidhen martesa të të njëjtit seks dhe kjo bëhet, me qëllim që të nxitet dhe ruhet ajo që quhet familje”.  
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Atëherë kjo është ajo, që çoi në këtë denigrim që shohim tani. Janë pikërisht epshet e shfrenuara dhe emocionet e tepruara, ato që çuan në këto dukuri, të cilat as nuk imagjinoheshin në perëndim para 50 apo 100 vitesh.
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Kjo është e vërtetë dhe me këtë rast, më kujtohet një barcaletë e njohur në Angli. Në këtë barcaletë, tregohet se një burrë i shtyrë në moshë, vendosi të shpërngulet nga Britania e madhe, gjë e cila shkaktoi habinë e njerëzve që e njihnin. Ata e pyetën: ”Si ka mundësi që pasi ke jetuar një jetë të tërë dhe je thinjur në këtë vend, tani e braktis atë?” Ai u përgjigj: ”Për Zotin, deri dje perversiteti dhe shthurja morale ishte diçka, që ndëshkohej me ligj. Kurse tani ligji e mbron perversitetin dhe këta njerëz gëzojnë të drejtat e tyre. Unë po largohem, para se perversiteti të bëhet diçka e detyrueshme në Angli”.
A është në rritje popullsia botërore apo në rënie?
Prof. Xhasim El-Mutava: “Kameramani ynë doli dhe u takua me njerëz të ndryshëm, të cilëve u bëri këtë pyetje: ”A mendon se popullsia botërore është në rritje apo në rënie?” Shumica e të intervistuarve u përgjigjën, se popullsia botërore është në rritje. Cili është komenti juaj mbi këtë?”
 
Prof. Fehmi Huvejdi: “Diçka e tillë nuk mund të merret në tërësi, por ka nevojë të bëhet një ndarje mes shoqërive të industrializuara ku numri i lindjeve është në rënie, dhe shoqërive të paindustrializuara ku numri i lindjeve është në rritje. Vetë raporti i Kombeve të bashkuara në muajin e kaluar, theksoi nevojën e Europës për nëntë milionë punëtorë, të cilët do të vijnë nga Azia ose nga veriu i Afrikës. Mundësitë më të mëdha janë të Afrikës veriore, duke pasur parasysh distancën e shkurtër mes brigjeve të saj me ato Europiane.
Ndikimi nga Perëndimi nuk ka arritur në nivele shqetësuese
Prof. Xhasim El-Mutava: “A mendon se ide si ajo e planifikimit familjar, martesa pa fëmijë, bashkëjetesa etj…kanë depërtuar dhe ndikuar dhe në  vlerat e shoqërive tona? Është e mundshme që të vijë djali im, apo djali i njërit nga shikuesit tanë dhe të thotë: ”Përse të martohem o baba?” ose të thotë: ”Martohem por përse duhet të lind fëmijë?” A është e mundur që të përballen dhe shoqëritë tona me fenomene të tillë?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Ne kemi marrë dhe kemi importuar shumë ide dhe vlera nga perëndimi dhe kjo është diçka e pakontestueshme. Një shembull mbi këtë është të mjaftuarit me një grua të vetme. Martesa me një grua të dytë apo më shumë, po ndodh vetëm në raste përjashtuese dhe të domosdoshme. Ky është një tregues, që shoqëritë tona janë ndikuar nga këto ide. Madje jo vetëm në çështjen e martesës me më shumë se një grua, por jemi ndikuar dhe në çështjen e familjes së madhe, gjë e cila ka pësuar një kthim prapa. Të njëjtën gjë mund të themi dhe mbi planifikimin familjar, i cili do të ishte më i përshtatshëm nëse do të ishte planifikimi shoqëror, pasi ajo që është e domosdoshme për një shoqëri, mund të mos jetë për një shoqëri tjetër. Planifikimi mund të jetë i domosdoshëm në Indi, por jo në vendet e Gadishullit Arabik.
Gjithashtu kemi pasur vende të tilla në Lindjen e Mesme si Turqia, Irani, Egjypti etj… të gatshme për përvetësimin e ideve të eksportuara dhe të konservuara nga Perëndimi. Do të ishte shumë e pranueshme planifikimi i krahut të punës në shoqëri, të ardhurat dhe mënyra e shfrytëzimit të tyre, pasi çdo shoqëri ka dhe do të ketë nevojë për krah pune.
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Përmende pak më lart, se shoqëritë tona vazhdojnë të jenë konservatore përsa i përket çështjes së familjes, vlerave dhe traditave tona. Por dëgjo diçka, që më ka ndodhur mua personalisht, i cili tregon që ndikimi është shumë i madh.
Fëmijët e gjyshit dhe gjyshes time kanë qenë njëmbëdhjetë. Kurse brezi ynë, ka mesatarisht dy ose tre fëmijë në familje dhe kjo pasi t’i kemi bërë një mijë herë llogaritë. Kjo tregon që ne jemi ndikuar shumë në çështjen e lindjes së fëmijëve. Vallë sa fëmijë do të lindin fëmijët tanë në të ardhmen? Çfarë parashikon profesori ynë i nderuar?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Unë pohova që ne ndikohemi realisht, por ky ndikim është në nivele të ulëta dhe ky ndikim nuk shkakton përplasje të mprehtë me strukturën e besimit fetar. Koncepti i familjes në botën arabe, vazhdon të jetë po ai koncept i konsoliduar i kulturës sonë. Zhvillimet aktuale që po ndodhin në shoqëritë tona, vazhdojnë të jenë në atë rreth pa i kaluar vijat e kuqe. Është e vërtetë, që një vajzë në shoqëritë tona mund të dalë nga shtëpia e saj e lirë, madje mund dhe të bashkëjetojë me një djalë në një shtëpi. Në këtë rast, ne kemi hyrë në vijat e kuqe. Por dua të theksoj, se struktura e përgjithshme e shoqërisë, akoma nuk i ka kapërcyer vijat e kuqe. Ne vazhdojmë të jemi akoma mes mishit dhe dhjamit, siç thuhet rëndomtë.
Feja është mbrojtëse e familjes
Prof. Xhasim El-Mutava: “A do të thotë kjo, që feja vazhdon të jetë ndikuese dhe faktor i fuqishëm?
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Pa dyshim që feja vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm. Feja, akoma nuk është mposhtur në shoqëritë tona, ashtu siç është mposhtur dhe thyer në shoqëritë perëndimore dhe të industrializuara. Tek ne, feja përfshin të gjithë fushat e jetës dhe nuk kufizohet në kryerjen e disa riteve, siç është në perëndim. Atje i krishteri është i lidhur me fenë e tij vetëm një orë në javë, ku pjesa tjetër e kohës është e ndarë nga aktiviteti fetar. Tek ne, feja vazhdon të jetë mbrojtësi më i mirë i vlerave konsoliduese të familjes. Ajo që më frikëson dhe më shqetëson, është gjendja e muslimanëve në perëndim, të cilët janë të ekspozuar më shumë ndaj degradimit të familjes.
Statistika të çuditshme
Prof. Xhasim El-Mutava: “Unë kam në dorë disa statistika, të cilat kanë të bëjnë me këtë temë.
Në Britani, një në pesë gra refuzon të lindë. Në Spanjë, mesatarja e lindjeve është 1.05 për çdo grua. Kurse në disa zona të Spanjës, mesatarja arrin vetëm një fëmijë. Mesatarja e lindjeve në Bashkimin Europian gjatë vitit 1998, ishte më e ulëta që nga vitet e Luftës së dytë Botërore. Një grua në Indi, lind më pak fëmijë se ç’lindte një grua amerikane gjatë viteve pesëdhjetë. Në Kinë, Tajlandë dhe Kubë, numri i lindjeve është më i vogël se numri i vdekjeve.
Materializimi i jetës
Ndërhyrje e një muslimaneje nga Amerika me emrin Mirvete: “Mendoj se këndvështrimi ynë për jetën është materializuar 100 % dhe kjo bën që edhe kërkesat tona të kufizohen në gjëra materiale. Nëse dua të lind katër apo pesë fëmijë dhe nuk mund t’u siguroj kushte të mira jetese, atëherë përse duhet t’i sjell në këtë botë? Unë kam një fëmijë dhe pres një të dytë dhe nuk mendoj se do të lind të tjerë. Përse duhet të lind fëmijë të shumtë, kur nuk mundem t’ju siguroj shpenzimet e duhura si arsimimin në universitet apo udhëtimet për të vizituar të afërmit tanë në vendlindje? Gjithashtu mendoj se edhe arsimimi ka të bëjë me numrin e lindjeve. Injoranca dhe analfabetizmi bënin që njerëzit të mos mendonin në numrin e fëmijëve që lindnin më parë. Atyre nuk u shkonte në mendje arsimimi i fëmijëve, ashtu siç bëjmë ne sot”.
  
Prof. Xhasim El-Mutava: “Mendoj se kjo ndërhyrje ishte e rëndësishme. Ajo na rrëfen aktualitetin ku jetojnë muslimanët dhe të afërmit tanë në mërgim. Nga fjalët e saj, unë nuhas ndikimin e saj me vlerat dhe jetën perëndimore. Ajo ka një fëmijë dhe pret një të dytë, por nuk dëshiron të ketë fëmijë të tjerë. Cili është komenti juaj rreth kësaj?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Kjo është diçka e vërtetë mbi situatën në perëndim. Nëse atje nuk posedon paranë, nuk ka vend për ty në këtë jetë. Kurse në vendet tona, në raste të tilla ndërhyn familja dhe të afërmit, të cilët përkujdesen dhe japin përkrahjen e tyre, vlera të cilat vazhdojnë të ekzistojnë edhe sot.
Unë shoh që komuniteti musliman në perëndim është ndikuar në masë të madhe në krahasim me shoqëritë tona këtu në lindje edhe pse në shoqëritë tona gjenden individë, të cilët mendojnë ashtu siç mendonte teleshikuesja që sapo foli. Këtu dua të theksoj, se teksa dëgjoja teleshikuesen në ndërhyrjen e saj, më shkoi mendja tek vëllezërit e motrat tona në Palestinë. Atje lindshmëria nuk ka asnjë lidhje me arsimimin apo mos arsimimin e fëmijëve. Atje është një komb, që rrezikon të zhduket dhe një nga mënyrat më të mira për rezistencë të ligjshme, janë lindjet e shumta. Gjithësesi, atje është lufta dhe nuk bëhen krahasime.
Ajo që dua të theksoj është, që çdo shoqëri duhet të studiojë veçoritë dhe karakteristikat e saj, pa bërë përgjithësime. Problemi nuk qëndron kurrë vetëm në llogaritë ekonomike dhe materiale, ai është diçka më shumë. Unë njoh disa familje, të cilat kanë problem, për shkak se vajza e tyre kërkon të dalë dhe të shoqërohet me të rinj. Probleme të tilla janë kompleks dhe muslimanët në perëndim vuajnë prej tyre”.
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Mendoj se vendimi i familjes për të pasur një apo dy fëmijë, në rast pamundësie për t’u plotësuar nevojat, është më i pranueshëm se lindja e pesë-gjashtë fëmijëve, të cilët do të jenë barrë e rëndë për familjen dhe shoqërinë. Tani më kujtohet një djalë, i cili kishte ngritur padi kundër babait që kishte njëzet e tre fëmijë, për shkak se ai nuk e ndihmonte ekonomikisht. Babai justifikohej me faktin se ishte i varfër dhe se nuk kishte mundësi ta ndihmojë. Diçka e tillë është e papranueshme, pasi je ti shkaku i ardhjes në jetë të këtij fëmije, je ti ai që e mori këtë vendim dhe je ti ai që duhet të mbajë përgjegjësitë për rritjen dhe edukimin e tij”.
Një miliardë aktivë dhe jo një miliardë pasivë
Ndërhyrje e një teleshikuesi nga Algeria: “Uroj që të shoh një nga shtetet arabe, popullsia e së cilës të arrijë një miliardë siç ka ndodhur me Kinën dhe Indinë. Ne vërejmë që numri i popullsisë është në rënie, për shkak të kafshatës së bukës dhe vështirësisë së jetesës. Unë uroj që shtëpitë tona të gumëzhijnë nga fëmijët, pasi kjo do na shtyjë të punojmë më shumë, të bashkohemi dhe të jemi forcë dominuese mbi tokë”.
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Çfarë mendoni mbi urimin e teleshikuesit, i cili uron të ketë shtete arabe me numër popullsie një miliardë?” 
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Edhe unë uroj që të ketë një shtet arab me numër popullsie një miliardë dhe uroj që këta një miliardë të jenë aktivë dhe jo passive”.
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Ashtu siç thotë dhe profeti Muhamed a.s “Shkumë si shkuma e detit” dmth jo produktivë”.
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Është ky shkaku, për të cilin unë insistoj në idenë e rritjes së produktivitetit dhe zhvillimit, para se të flasim mbi planifikimin dhe uljen e lindjeve në vendet tona. Shumë prej nesh mendojnë, se kemi aftësi dhe shanse të kufizuara. Por unë besoj, se këto aftësi dhe shanse është e mundur që të dyfishohen. Pastaj, siç thamë dhe më lart, diçka e tillë ndryshon nga një vend një tjetër. Disa vende arabe, si shtetet e Gadishullit Arabik dhe Libia, kanë nevojë për krah pune dhe popullsi më të lartë se vendet e tjera.
Problemet e lindjes, janë të ndryshme nga ato të perëndimit
Ndërhyrje e një teleshikuesi nga Amerika (Abdullah): “Doja t’i shtoj diçka fjalës së parafolësit, i cili theksoi domosdoshmërinë e aplikimit të Sheriatit islam, gjë e cila sipas mendimit tim, varet nga tre gjëra:
1 – Duhet të fillojmë të ndryshojmë veten tonë. Secili prej nesh, duhet të përmirësojë veten, familjen, komshinjtë dhe më pas shoqërinë.
2 – Drejtësia me veten tonë, familjen dhe të gjithë.
3 – Përkushtimi të jetë gradual
Gjithashtu, dua të bëj një pyetje: Ju përmendët sistemin e degraduar të vlerave morale në perëndim. Po në vendet tona, mos vallë nuk ekziston imoraliteti?! Mos vallë në vendet tona nuk njihet divorci?! Po familja, a nuk duket që edhe tek ne ka probleme?”
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Cili është komenti juaj profesor Fehmi mbi atë që edhe ne në Lindje, kemi dhe vuajmë nga të njëjtat dukuri negative si në Perëndim. Edhe ne kemi tradhëti bashkëshortore, divorc, dështim në familje…? A nuk vuajmë edhe ne nga këto dukuri?”
 
Prof. Fehmi Huvejdi: “Sigurisht. Askush nuk tha që në perëndim jetojnë të këqinjtë kurse në lindje jemi ne të mirët. Atje jetojnë njerëz dhe tek ne jetojnë njerëz dhe ashtu siç ata kanë problemet e tyre, edhe ne kemi problemet tona. Kush tha që shoqëritë tona janë shoqëri pa probleme? Për shkak të zakoneve dhe traditave, disa rajone tonat kanë shumë problem, që kanë të bëjnë me divorcin, vonesën e moshës së martesës etj… Pa dyshim që edhe ne kemi probleme, por ndryshimi është në përqindje dhe në llojin e problemeve”.
Sa fëmijë dëshironi të lindni?
Prof. Xhasim El-Mutava: “Kameramani ynë doli në rrugë dhe i pyeti vajzat: “Sa fëmijë dëshironi të lindni? Shumica e të intervistuarave përgjigjeshin: ”Dy ose tre.” Cili është komenti juaj mbi këtë?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Diçka e tillë përfaqëson një shtresë të caktuar njerëzish në shoqërinë egjyptiane, ku shumica duan vetëm dy ose tre fëmijë. Unë ndjej një ndikim nga kulturat e tjera, ku vërehet se çiftet duan të lindin vetëm një djalë dhe vajzë, me qëllim që të mund t’i edukojnë mirë. Kjo, në një kohë që edukata e mirë nuk u ka munguar paraardhësve tanë, edhe pse numri i fëmijëve ishte shtatë dhe tetë”.
 
 
Egoja perëndimore
Prof. Xhasim El-Mutava: “Sapo na arriti një faks nga Mazin Ibrahim nga Gjermania, i cili flet mbi egon e tepruar në Perëndim. Ai thotë se mësuesja që i ka mësuar gjermanishten është vajzë e vetme. Prindërit e saj kurrë nuk kanë dashur që vetminë e saj, ta kompensojnë me lindjen e fëmijëve të tjerë. Vetë kjo mësuese, mendon se e rëndësishme për të është të jetojë e lumtur dhe e lirë edhe nëse kjo është në llogari të fëmijës së saj të vetëm gjithashtu. Dërguesi i faksit shton më tej: Shpërthimi i popullsisë, është një karakteristikë e kësaj kohe dhe shtetet dhe popullsitë në zhvillim, duke mos pasur luksin dhe nivelin ekonomik si ai në perëndim, përpiqen ta kompensojnë me fëmijë të shumtë. Por, a do të munden t’i luftojnë dhe t’u rezistojnë sëmundjeve dhe epidemive të përhapura në vendet e tyre? A do të mund t’a përballojnë thatësirën? A nuk do të ishte më i dobishëm për ta planifikimi familjar?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Përsa i përket asaj që theksoi mbi mësuesen e tij gjermane, mendoj se diçka e tillë hyn në modën dhe mënyrën e të menduarit në perëndim. Kurse përsa i përket popullsisë në rritje, duket që ka kontradikta, siç e përmendëm në fillimi të këtij emisioni. Janë vetë perëndimorët ata që flasin rreth kësaj çështje dhe e parashikojnë atë për të ardhmen. Nuk është aspak e pazakontë, që të ndodhë një lloj balancimi. Edhe pse nuk i duam, varfëria, luftrat, katastrofat etj… shkaktojnë një lloj balancimi dhe i ruajnë ekuilibrat e popullsisë botërore.
Bota e industrializuar vuan nga problemet e saj, të cilat janë të ndryshme nga problemet e botës së tretë, asaj islame dhe arabe. Në Afrikë psh, has probleme të tilla si: luftrat civile, thatësira, uria, katastrofa natyrore etj… të cilat i kanë dobësuar dhe kanë ndikuar për keq në shtetet afrikane.
Kush merret me edukimin e familjes?
Një teleshikues nga Amerika: “Unë kam një vërejtje, pasi shumë njerëz mendojnë se lindja e shumë fëmijëve ka të bëjë me gjendjen e mirë ekonomike dhe anasjelltas. Unë mendoj se është më e rëndësishme edukimi i fëmijëve sesa gjendja ekonomike. Çfarë vlere do të kishte të kesh shumë fëmijë, në një kohë që nuk mund të arsimohen dhe të edukohen siç duhet? Gjithashtu, mendoj se edukata fetare nuk është e domosdoshme”.
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Teleshikuesi nga Amerika mendon se nuk i duhet kushtuar rëndësi më shumë anës materiale, por duhet të përqendrohemi në thelbin e gjërave, ku edukimi është më i domosdoshëm. Gjithashtu, ai mendon se edukata nuk është kusht që të jetë fetare. Çfarë mendoni ju profesor Huvejdij?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Kjo është e vërtetë, por kush është ai që do ta edukojë? Ne shohim që kryetari i familjes sot nuk është më babai, por televizori. Atëherë në dorë të kujt do e lëmë edukimin? Kur do i edukojë babai fëmijët e tij? Babai dhe nëna janë gjatë gjithë kohës të angazhuar me punë dhe nuk kanë kohë të merren me edukimin e fëmijëve. Kjo i bën fëmijët pre të kollajtë të televizorit dhe programeve të tij, prej të cilave mësojnë shumë gjëra negative.
Teleshikuesi nga Amerika flet mbi atë që e urojmë të gjithë, por realiteti është krejt ndryshe”.
Lindjet dhe frika e varfërisë
Prof. Xhasim El-Mutava: “Sapo na arriti një faks nga një grua (Umu Abdurrahman), e cila shkruan: Një nga shkaqet e lindshmërisë së ulët, është dhe frika nga varfëria. Ajo tregon dhe një ngjarje ku thotë: Para pesë vitesh u martova me një burrë të varfër. Pas pak kohësh na lindi një djalë. Familja e burrit kërkuan që të mjaftohemi vetëm me një djalë. Pasi na lindi fëmija i dytë, të gjithë më kritikuan. Pas disa kohësh, gjendja jonë ekonomike filloi të përmirësohej në atë mënyrë saqë askush nuk mund t’a besojë, gjithçka është në dorë të Zotit dhe Ai furnizon kë të dojë pa llogari. Për këtë, unë u bëj thirrje të gjithëve, që në çështjen e fëmijëve, të mos frikësohen nga varfëria”.
 
Prof. Fehmi Huvejdi: “Umu Abdurrahman meriton një përshëndetje të ngrohtë, pasi ajo ka besim dhe bindje në furnizimin e Zotit të Madhëruar. Unë jam me atë, që kjo çështje nuk mund të zgjidhet thjesht me mbledhje dhe zbritje. Le t’i bëjmë llogaritë me mbledhje dhe zbritje, por kjo të mos përfshijë çdo detaj. Përvoja e Umu Abdurrahmanit është argumenti më i fortë për këtë. Nëse ajo do të ishte mbështetur në llogaritë dhe gjendjen ekonomike ku ndodhej, ajo nuk do të kishte lindur dy fëmijë por do të ishte mjaftuar me një. Shpresa në mëshirën dhe furnizimin e Zotit duhet të jetë e pranishme tek njeriu. Gjendja jonë është e prirur, të ndryshojë dhe të përmirësohet, por gjithçka duhet të bëhet duke pasur parasysh ekuilibrat, pa i tejkaluar apo neglizhuar kufijtë”.
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Arabët kanë një fjalë të urtë ku thonë “O ti që ushqen zogjtë e korbit…” Kjo, pasi kur çelin vezët e korbit, të vegjlit e sapo lindur janë me pupla ngjyrë të bardhë, kurse prindërit me pupla të zeza. Prindërit, duke parë që zogjtë nuk u ngjajnë atyre, i braktisin dhe i lënë të vetëm. Por Zoti bën, që nga lëkura e zogjve të vegjël, të dalë një aromë tërheqëse për krimbat dhe mizat, të cilat kthehen në mjet jetese për të vegjlit e korbit. Kjo vazhdon derisa ngjyra e puplave të kthehet në të zezë dhe në këtë kohë, prindërit e tyre kthehen dhe fillojnë t’i ushqejnë të vegjlit e tyre.
Shoqëritë e plakura në Perëndim
Prof. Xhasim El-Mutava: “Shpesh herë pyes: Shoqëritë perëndimore cilësohen si shoqëri të plakura, në një kohë që shoqëritë tona etiketohen si shoqëri të reja. Cili është mendimi juaj mbi këtë?”
Prof. Fehmi Huvejdij: “Diçka e tillë është e vërtetë, për shkak të lindshmërisë së pakët dhe shtimit të moshës së tretë në perëndim. Studimet vërtetojnë se atje fabrikat kanë filluar të prodhojnë makina të veçanta për të moshuarit dhe se të moshuarit po ndikojnë fuqishëm në jetën politike. Kjo, për vetë faktin se ata përbëjnë shumicën në votime.
Udhëzim + punë
Një teleshikues nga Zvicra (Ebu Sad): Zoti i Madhëruar thotë në Kuran: ”A nuk e kemi bërë Tokën vendqëndrim të të gjallëve dhe të të vdekurve?” (Murselat 25-26)
Zoti është Sunduesi i gjithësisë, i tokës dhe i qiellit dhe kjo është diçka thelbësore për ne muslimanët. Babai im ka nëntë fëmijë dhe nipërit e mbesat e tij kanë arritur në njëqind. Nëse ndjekim udhëzimin e Zotit dhe i përkushtohemi atij, ne do të vazhdojmë të jemi mire dhe nuk ka rëndësi nëse kemi dhjetë fëmijë apo më pak”.
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Udhëzimi, që përmendi teleshikuesi, është diçka e rëndësishme dhe e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrave në shoqëri dhe stabilitetit të saj. Ajo që dua t’i shtoj fjalëve të teleshikuesit, është se paralelisht me udhëzimin, ne duhet dhe të punojmë dhe të përpiqemi, gjë e cila do na sigurojë lumturinë në këtë botë dhe tjetrën.
Nëna gratis
Prof. Xhasim El-Mutava: “Nëna gratis, në perëndim është ajo nënë që qëndron në shtëpinë e saj dhe është përkushtuar ndaj edukimit të fëmijëve. Këtyre nënave të tjerët u thonë: Si është e mundur që e kaloni kohën duke edukuar fëmijët tuaj gratis?! Përse shpenzoni për to pa marrë asnjë shpërblim?
A është e mundur që një mentalitet i tillë të importohet dhe në shoqëritë tona këtu në lindje? A kanë filluar të shfaqen shenja të një mendësie të tillë tek ne?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Mendoj se për brezin e nënave tona, diçka e tillë është e pamundur. Por, mendoj se brezi i vajzave tona mund të ndikohet nga këto ide. Gjithashtu mendoj se ndikimi i ideve, vlerave dhe kulturës perëndimore është diçka, që e hasim kudo. Tashmë është normale, të shohim gratë tona të punojnë në institucione jashtë shtëpisë. Shohim që për çdo grua që punon jashtë shtëpisë, kemi një të tillë që merret me punët e shtëpisë dhe edukimin e fëmijëve. Ajo që punon në shtëpi, punon shumëfish dhe harxhon më shumë energji se ajo, që punon në institucionet jashtë shtëpisë. Kjo, pasi ajo është 24 orë në kontakt me punët e shtëpisë.
 
Ndikimet nga sistemi perëndimor
Një teleshikues nga Amerika (Mustafa Al-lam): “Doja të bëj një koment të shkurtër. Është fakt tashmë, që kushtet ekonomike ndikojnë tek i riu dhe e reja, që janë në moshën e martesës. Banesa e ngushtë, mediat dhe roli i shtetit, ndikojnë në numrin e fëmijëve. Në Egjypt psh, shohim që shteti ofron ndihmë vetëm për fëmijën e tretë. Nëna që është në kushte pune, i lejohet të marrë pushime, por nuk i paguhen këto pushime. Atje mungojnë kopshtet dhe çerdhet, që kujdesen për fëmijët. Vetë mediat trumpetojnë idenë, se kush ka më shumë se dy fëmijë, do të përballet me një jetë të vështirë”.
Prof. Fehmi Huvejdij: “Teleshikuesi flet mbi banesën, kushtet ekonomike, mediat, kopshtet dhe përkrahjen sociale të shtetit. Unë dua të them se çështja është shumë më e thellë se kaq. Problemi qëndron në ndikimin tonë nga vlerat dhe sistemet perëndimore. Ne edhe shtëpitë tona i dizenjojmë sipas modeleve perëndimore dhe pasi hyjmë brenda themi: Për Zotin shtëpia është e ngushtë dhe nuk na nxë.
Unë dua të vë theksin në atë, që çdo shoqëri ka veçoritë dhe karakteristikat e saj. Shoqëria egjyptiane psh, ndryshon nga shoqëritë e shteteve të tjera të veriut të Afrikës. Unë shoh që përgjithësimi nuk është i lehtë.
Roli i shoqërive në zgjidhjen e problemeve
Prof. Xhasim El-Mutava: “Një nga ligjet e zbatuara në Emiratet e Bashkuara Arabe është se çdo shtetas, që martohet me një shtetase të Emirateve, i jepet një shumë prej 70.000 derhemësh, e cila merret nga Fondi i martesës. Që prej dy javësh, është miratuar një ligj i ri i cili jep çdo shtetaseje të Emirateve mbi tridhjetë vjeçe një shumë prej pesë mijë dollarësh, gjë e cila padyshim ndikon në stabilitetin e familjes dhe të gjithë shoqërisë. Kohët e fundit në Suedi është miratuar një ligj, ku çdo familjeje suedese të cilës i lind një fëmijë, i ulen taksat që ka për të paguar dhe i jepet një përkrahje sociale. Kjo, pasi shoqëritë e tyre po shkojnë drejt zhdukjes. Ata ndodhen para dy zgjidhjeve: Ose të presin emigrantë të rinj, ose të stimulojnë rritjen e numrit të lindjeve.
Shpeshherë thuhet, që Kina ka një numër lindjesh vjetore aq sa është popullsia e Egjyptit. Vetë Egjypti ka një numër vjetor lindjesh sa popullsia e Kuvajtit”.
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Unë dua të bëj një koment mbi atë që tha teleshikuesi nga Amerika. Gjithmonë ne flasim mbi rolin, që duhet të luajnë qeveritë, por ku është roli që duhet të luajnë shoqëritë tona? Shoqëritë duhet të kenë dhe të luajnë një rol të rëndësishëm në lëvizjen dhe stimulimin e vlerave. Më sipër përmendëm rolin dhe kontributin që jep qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe duke kontribuar materialisht për vajzat, që kanë kaluar moshën tridhjetë vjeçare dhe nuk janë martuar. Padyshim që ato kanë nevojë për përkrahje dhe stimulim. Dua të theksoj edhe një here, që shoqëria duhet të mendojë mbi të ardhmen e saj. Shumica e aktiviteteve tona janë të përqendruara në fushën politike, kurse aktivitetet shoqërore neglizhohen dhe shpërfillen. Tema të tillë si: nxitja e martesës, ngritja e kopshteve për fëmijë etj… nuk duhet të presin vetëm qeveritë. Ideja që shoqëritë marrin dhe nuk japin, është një ide e papranueshme”.
Prof. Xhasim El-Mutava: “Gjithashtu mendoj se duhet të investohet dhe në Vakëfet shoqërore”.
Prof. Fehmij Huvejdij: “Në kohë të hershme, Vakfi kishte një rol të rëndësishëm social. Ky instuticion kontribuonte në zhvillimin dhe orientimin e shoqërisë gjatë gjithë kohës. Ne e shkatërruam një institucion dhe trashëgimi të tillë. Sa mirë do të ishte sikur të kishim një Fond Martese për ata të rinj dhe të reja, që u ka kaluar mosha e martesës”.
Të mbrojmë shoqëritë tona nga shpërbërja
Prof. Xhasim El-Mutava: “Ku e shihni zgjidhjen? Si të mbrojmë veten dhe familjet tona nga shpërbërja në të ardhmen, duke mos e kopjuar dhe imituar perëndimin në çdo hap, saqë edhe po të hyjnë në vrimat e hardhucave, të mos rendim pas tyre? Si t’i përvetësojmë të mirat e tyre dhe t’i mbajmë larg problemet?”
 
Prof. Fehmi Huvejdij: “Kjo është një nga pyetjet më të vështira, që u bënë në këtë emision. Ne po përjetojmë një disfatë të qytetërimit tonë, mbi të cilën Ibnu Halduni thotë: ”Më i dobëti është i prirur gjithmonë që të imitojë më të fuqishmin”.
Të mendosh që perëndimi sot është modeli më i mirë për t’u ndjekur, është gabim. Është e vërtetë që perëndimi ka krijuar një përvojë të pasur dhe të dobishme në shumë fusha dhe njëkohësisht të dëmshme në shumë fusha të tjera.
Nga ne si muslimanë kërkohet, që të jemi më të saktë me vetet tona, më të ndërgjegjshëm me fenë tonë, më të përkushtuar me mësimet e kësaj feje dhe të kemi vizion më të qartë. Ne po vuajmë një krizë në sistemin e vlerave tona dhe e ndjejmë, që mes familjes dhe shkollës nuk ka një bashkëpunim dhe koordinim të mjaftueshëm. Të rinjtë tanë duhet të jenë të qartë, që ata duhet të përfitojnë nga perëndimi dhe jo të imitojnë perëndimin. Ata duhet të jenë krenarë për fenë, vlerat dhe qytetërimin e tyre”.
Shkaqet e fëmijëve të shumtë
Prof. Fehmi Huvejdij: “Fëmijët e shumtë në shumë vende arabe, shihen si mundësi për të shtuar krahun e punës, aq shumë të nevojshëm në familje. Unë nuk mendoj se çështja e lindjes ka të bëjë me një motiv të caktuar, ajo është një nga ligjet, që ka caktuar Zoti i Madhëruar, për të garantuar vazhdueshmërinë e jetës në tokë”.
Drejtësia është themel i popujve
Prof. Xhasim El-Mutava: “Sapo na arriti një faks nga Reuf Ebadhine nga Gjermania, i cili thekson se ajo që i konsideron shtëpitë të shpërbëra janë dy gjëra: E para është imitimi i shoqërive, për të cilat Zoti ka caktuar shuarjen për shkak të mosbesimit të tyre. E dyta është konsensusi mes qeverive dhe shoqërive, për të mbajtur larg jetSTRONGës shoqërore ligjet e Zotit, gjë e cila shkatërroi moralet tona”.
 
Prof. Fehmi Elhuvejdij: “Unë nuk jam dakort me këtë që tha teleshikuesi mbi atë që Zoti ka caktuar shuarjen për ato popuj që nuk besojnë. Para pak kohësh po lexoja disa mendime të Ibnu Tejmijes, i cili theksonte se çështja nuk është besim dhe mosbesim, por është drejtësi dhe padrejtësi (Zoti e ndihmon një shtet të drejtë, edhe nëse është jobesimtar dhe nuk e ndihmon një shtet tiran, edhe nëse është besimtar). Është e qartë që teleshikuesi ndihet mirë me drejtësinë dhe hapësirat e lirisë, që ia ka garantuar shteti ku jeton. Unë nuk dua të shkoj aq larg dhe të parashikoj shuarjen e shteteve. Ne nuk synojmë ta ndërtojmë qytetërimin tonë mbi rrënojat e qytetërimeve të tjera, por të ndërtojmë një ndërtesë më të fortë dhe më cilësore. Përsa i përket mosbesimit të tyre, është Zoti Ai që do u kërkojë llogari. Madje, Ai mund t’i udhëzojë ndonjë ditë”.
 
Prof. Xhasim El-Mutava: “Në fund të këtij emisioni, unë ju falenderoj Profesor Huvejdij dhe derisa lumturia të bëhet traditë mes nesh, u përshëndesim:
 
Esselamu alejkum!”
 

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit