Banorët e fshatit Llapushnik të Drenasit po e kundërshtojnë projektin që promovon përçarjen e këtij fshati të vogël me shumicë musliman. Me vendim të njëanshëm Kryetari i Komunës së Drenasit, një parcelë prej 2 hektarë e gjysmë u ka ndarë familjeve që pretendojnë se janë bërë katolik, që të ndërtojnë një kishë dhe të kenë varreza të reja të ndara nga bashkëfshatarët e tyre.
Prona publike, ishte shpallë zonë e mbrojtur, si lokalitet me vlera historike dhe të luftës, ku janë zhvilluar beteja të ashpra në luftërat çlirimtare të vendit.
Një gjë të tillë po e kundërshtojnë banorët shumicë të besimit mysliman të fshatit Llapushnik. Këshilltari komunal në Drenas, nga radhët e PDK-së, Bujar Thaçi, pohon se komuna mori vendim të jashtëligjshëm pa e marrë pëlqimin e këshilltarëve të tjerë në kuvend.
Zëdhënësi i Komunës së Drenasit, Bekim Dobra, thotë se i kanë ndjekur të gjitha procedurat ligjore pasi që toka ka qenë nën menaxhimin e AKP-së dhe me kërkesë të komunës së Drenasit ajo është shpronësuar.
Don Fatmir Koliqi, nga Ipeshkvia e Kosovës, nëpërmjet telefonit ka konfirmuar se ajo hapësirë do të shfrytëzohet për varreza të komunitetit katolik nga Llapushniku dhe nuk përjashtohet mundësia që aty të ndërtohet edhe kisha për nevoja të komunitetit.
Llapushniku ka gjithsej 5 mijë banorë, ndërsa pas vitit 2000 rreth 20 familje pohojnë se tashmë janë bërë katolikë.