Ceremonia e varrimit e personalitetit më të madh musliman në Serbi
U përcoll për në botën tjetër me një varrim madhështor dhe përlotës, figura më e madhe islame e Serbisë. Muamer Zukorliç, 52 vjeç, humbi jetën krejt papritmas një ditë më parë, teksa po mbante një ligjëratë me studentë të tij.
Varrimi i tij, është pasqyrimi më i qartë i saj se ç’përfaësonte ky personalitet.
Një përshkrim të asaj se ç’model udhëheqësi fetar që i ndjeri, vjen nga Justinuan Topulli, një figurë e mendimit islam në Shqipëri.
“Ish-myftiu i Sanxhakut, hoxha intelektual, akademik, politikan dhe një lider i rrallë islam i kohës sonë, Muamer Zukorliç, ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të Gjithësisë, në moshën 51 vjeçare. Lusim Allahun ta mëshirojë dhe ta bëjë prej banorëve të Xhenetit.
Sigurisht që ata që e kanë njohur nga afër, mund të flasin më mirë dhe gjerë e gjatë për të, por me aq pak sa na u dha mundësia ta njohim, qoftë drejtpërdrejt apo edhe përmes miqve, mund të themi pa hezitim, se ishte me të vërtetë një model frymëzues i kohës sonë, se si duhet të jetë një lider i vërtetë islam, që bashkon mes identitetit fetar, krenarisë për atë që përfaqëson, dijes dhe aftësisë intelektuale për të mbrojtur të vërtetat e fesë, pa asnjë lloj kompleksi inferioriteti, si dhe punës së palodhur në terren për ngritjen, organizimin dhe mbarëvajtjen jo vetëm të jetës fetare, por edhe asaj sociale, arsimore, ekonomike e kulturore të vendit ku ai jetoi.
Edhe pse në një terren tepër të vështirë, nën sundimin e një shteti që ka pasur historikisht marrëdhënie jodashamirëse dhe konfliktuale të ashpra me muslimanët, ku iu rrezikohej ekzistenca, Zukorliç diti të ngrejë dhe organizojë një komunitet që është për t’u pasur zili, dhe që iu mungon madje edhe shumë bashkësive fetare islame, që janë gjendur në kushte shumë më komode politike dhe historike sesa ato të Sanxhakut. Përtej të gjitha tipareve të tij personale, vlen të theksohet guximi, trimëria dhe burrëria, për t’u përballur, për të thënë të vërtetën dhe për të pasur një vizion të qartë për komunitetin e tij dhe për të punuar për të, shpesh edhe i vetëm dhe madje ndonjëherë i keqkuptuar edhe nga muslimanë të tjerë dhe i sulmuar nga jomuslimanët.
Figura të tilla të frymëzojnë, edhe pse vendi i vogël ku jetoi dhe kontribuoi dhe koha relativisht e shkurtër, ia kufizojnë jehonën e asaj që bëri, në veshët e shumë njerëzve, por personalitetet tek Zoti vlerësohen për atë që bëjnë, në varësi të kushteve, rrethanave dhe mundësive që kanë pasur. Kështu që askush që nuk e ka njohur, të mos habitet për këtë dedikim për të, sepse kjo është minimalja e detyrimit moral e fetar ndaj një njeriu të tillë, që përveç të tjerave, gjeje në të edhe hise shqiptari”, shkruan Topulli. /tesheshi.com/