Në fjalën e rastit gjatë ceremonisë së përurimit të Kopshtit Popullor në Umranije të Stambollit, kreu i shtetit turk tha se kjo vepër publike, e cila tashmë u vu në shërbim të qytetarëve, do të jetë një adresë shumë e vizituar nga njerëz të çdo moshe falë kafeneve, tarracave panoramike, korsive për biçikleta dhe ecje, këndeve të lojërave për fëmijë, fushave sportive, hapësirave për piknik, bahçeve me fruta-perime dhe me shumë veçorive të tjera.
Pasi bëri me dije se deri më tani kanë projektuar 404 kopshte popullore me një sipërfaqe totale prej 66 milionë metrash katrorë në 81 provinca të vendit, Erdogani vijoi me këto fjalë: “Ne kemi përfunduar 111 prej tyre dhe i kemi vënë në shërbim. Objektivi ynë është që të përfundojmë të 404 kopshtet popullore në vitin 2023.”
Ai theksoi se projekti më i madh do të jetë kopshti popullor prej 7,7 milionë metrash katrorë që do të ndërtohet në hapësirën e Aeroportit “Ataturk” të Stambollit.
“Me lejen e Allahut, kopshti popullor që do të ndërtojmë në «Aeroportin Ataturk», do të renditet parqet kryesore të qyteteve në botë”, shtoi lideri turk.
Erdogani potencoi se është detyrë e qeverisë të groposë 7 pashë në dhe çdo sulm që synon pasuritë materiale dhe shpirtërore të Stambollit, së bashku me autorët e tij.
“Përmes qëndrimit tonë të palëkundur dhe luftës sonë pa kompromis, ne kemi mposhtur shumë përpjekje tinëzare, që synonin diskreditimin e Turqisë”, nënvizoi presidenti.
“Ne po ndjekim rrugën tonë me objektivin e investimeve, prodhimit dhe punësimit. Evropa është e habitur, bota është gojëhapur nga kjo ecuri e vendosur e jona. Ata u tronditën kur panë këtë ecuri”, vijoi ai.
Kreu i qeverisë turke u ndal gjithashtu mbi krizën klimatike në botë.
“Ndërkohë që bota po lëkundet përballë kërcënimeve që burojnë nga ndryshimi i klimës, ne shpallëm revolucionin e zhvillimit të gjelbër duke hartuar një udhërrëfyes të ri dhe koherent”, tha Presidenti Erdogan mes të tjerash. /trt