Nga: ardhmeriaonline
Intervistë me ministrin e jashtëm turk, Ahmed Dautoglu (2)
Gazetari:”A nuk do të ndikojë kthimi i një Egjipti të fuqishëm, në ambiciet e Turqisë për të qenë një aktor i rëndësishëm në rajon?”
Dautoglu:”Unë nuk mendoj se kjo do e kufizojë rolin e Turqisë. Kthimi i Egjiptit në pozitat e tij, bazohet tek dëshira dhe vullneti i popullit. Kthimi i Egjiptit si një aktor i rëndësishëm në të ardhmen e rajonit të Lindjes së Mesme, do të stabilizojë vlerat dhe parimet tek të cilat ftojmë dhe i mbrojmë. Ne nuk kemi ambicie për pushtet dhe për më shumë influencë në asnjë pjesë të rajonit. Madje, as që e kemi menduar, pasi i konsiderojmë të gjithë popujt e rajonit miqtë, vëllezërit dhe partnerët tanë. Transformimet që po përjeton rajoni, jo që nuk do e reduktojnë rolin tonë, por përkundrazi, do e përforcojë rolin e Turqisë, si dhe do u japë shtysë vlerave historike të përbashkëta të rajonit. Kështu, ne do të kemi një rol më të madh në nivel ndërkombëtar. Për ne, vlerat janë thelbësore. Kështu, nëse pushteti ndërtohet mbi vlera si ajo e të drejtave të njeriut, transparencës, mirëqenia e këtij rajoni etj… dhe një Turqi e Egjipt ndërveprues për vlera të tilla, padyshim që do të realizojnë projekte gjigande në rajon. Nëse këtij projekti i bashkohen edhe shtetet mike të gjithë Lindjes së Mesme, por që i besojnë këtyre vlerave, do i dhuronin këtij rajoni mirëqenien, stabilitetin dhe sigurinë e dëshiruar.
Gjatë formimit të Unionit Evropian për shembull, roli gjermano-francez nuk ndikoi në rolin e shteteve të tjera evropiane që ishin në formim e sipër të Unionit. Përkundrazi, roli i dy shteteve të cituara, ishte plotësues dhe integrues.
Nëse ne do të arrinim të krijojmë një union që bashkon ekonomitë e vendeve të rajonit, nën një kuadër politik të fuqishëm në bazë të vlerave të përbashkëta, padyshim që të gjithë do të fitonim. Kjo nuk është një lojë me rezultatin zero. Të gjithë do të fitojnë kur parimi është interesi i ndërsjellë. Nëse do e bashkonim Egjiptin dhe Turqinë në një bosht të vetëm, na krijohet pellgu më i madh që nga burimi i Nilit deri në Detin e Zi. Nga ky këndvështrim, ne e konsiderojmë Egjiptin aleat strategjik. Kurrë nuk na ka shkuar mendja për të rivalizuar Egjiptin, apo se roli ynë do të fishket me ngritjen e Egjiptit. Përkundrazi, nëse unifikohen përpjekjet e Turqisë dhe Egjiptit, do të ofrojmë zgjidhje për problemet më të vështira. E njëjta gjë vlen edhe për unifikimin e përpjekjeve mes Egjiptit, Sirisë, Irakut, Algjerisë dhe Tunizisë. Vetëm kështu Lindja e Mesme mund të transformohet në një rajon ku të gjithë fitojnë. Nëse do të mund ta kapërcejmë këtë prag, ku të gjithë janë fitimtarë, do u lëmë fëmijëve tanë një Lindje të Mesme të lulëzuar, për të cilën do të jenë krenarë dhe jo t’ju vijë turp. Ajo që ndodhi në Egjipt, është një rikthimi i rolit aktiv të këtij vendi. Çdo egjiptian ndjeu se mund të kontribuojë pozitivisht në rrjedhën e historisë së vendit të tij. Në të njëjtën formë triumfoi demokracia edhe në Turqi. Tek ne, çdo qytetar që votoi për neve në zgjedhjet e fundit, ndjen se me votën e tij ka kontribuar në rrjedhën e historisë të popullit të vet.
Ajo që na i ngjall shpresat, është kthimi i egjiptianëve në arenën historike dhe dëshira për ta përcaktuar ata të ardhmen, gjë e cila duhet respektuar. Përvoja egjiptiane meriton çdo admirim dhe respekt. E theksoj dhe një herë, se askujt nuk i lejohet të manifestojë shqetësim dhe frikë nga këto zhvillime brenda popullit egjiptian. Nga ana jonë, konfirmojmë se shpresat tona veç rriten me ndryshimet demokratike në Egjipt. Të dy palët, Turqia dhe Egjipti, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do të ndërtojmë një rajon krejtësisht të ri, por pa harruar dhe popujt e tjerë miq të Lindjes së Mesme.”
Gazetari:”A mendoni se keni krijuar modelin e duhur, me qëllim që popujt arabë të ndjekin të njëjtën platformë derisa të krijojnë qeveri demokratike?”
Dautoglu:”Ne nuk kemi pretenduar asnjëherë se përfaqësojmë ndonjë model ideal për asnjë shtet të botës. Ne po përjetojmë përvojën tonë vetjake, si shumë shoqëri të tjera. Popujt dhe shoqëritë e tjera mund ta studiojnë përvojën tonë dhe të përfitojnë prej saj. Ne personalisht nuk kemi bërë ndonjë orvatje për tu shfaqur si model për të tjerët. Thjesht ne jemi përpjekur ti përgjigjemi kërkesave të popullit tonë në formën më të mirë. Përvoja turke, tregoi se vendet e tjera të rajonit, janë munduar të krijojnë regjime të forta për shkak të situatës dhe luftërave me Izraelin. Prandaj, qëllimi kryesor i këtyre qeverive ka qenë krijimi i një ushtrie dhe shteti të fortë, me qëllim që të garantohet siguria dhe rendi. Disa prej tyre mendonin se demokracitë sjellin kaos dhe rrëmujë në vend, duke ndikuar negativisht në stabilitetin dhe sigurinë kombëtare. Sakaq, përvoja turke provoi se demokracia siguron stabilitet, zhvillon ekonominë dhe theksoi se shtetet demokrate mund të reagojnë më fuqishëm karshi Izraelit dhe çfarëdo reprezaljeje të tij.
Ne jemi të gatshëm ta ndajmë përvojën tonë me këdo që dëshiron nga vëllezërit tanë. Ne jemi të gatshëm ta ndajmë përvojën tonë ekonomike të suksesshme me të gjithë. Turqia nuk u prek aspak nga kriza ekonomike, e cila goditi ekonominë botërore. Kjo i ka bërë shumë vende të na pyesin mbi sekretin e këtij suksesi. Ne duam t’ju ofrojmë përvojën tonë të gjithë fqinjëve. Ne duam që Siria të ketë një ekonomi të fortë përbri ekonomisë tonë. Ashtu siç duam që Iraku të ketë ekonomi të fortë. Ne duam integrimin dhe ndarjen e eksperiencës me ta. Për këtë, kurrë nuk do të kursejmë asgjë. E rëndësishme është që fqinjët, vëllezërit dhe miqtë tanë, të jenë më të fuqishëm, duke parë nga e ardhmja me shpresë. Ne duam ti ndajmë përvojat dhe informacionin, pa dashur që të eksportojmë dhe regjimin apo modelin tek të tjerët.”
Gazetari:”Ju thatë se do të ofroni ndihmën tuaj për popujt arabë, të cilët në këto momente po përjetojnë “dhimbje lindjeje”, a është e mundur ta përcaktoni këtë lloj ndihme?”
Dautoglu:”Fillimisht, duhet që respekti të jetë i ndërsjellë mes të gjithëve. Fqinji duhet të përpiqet ta kuptojë fqinjin e tij, pa u frikësuar nga ndryshimi. Pikë së pari, ne duhet ti kuptojmë mirë kërkesat e popujve të revoltuar. Kjo është forma e parë e solidaritetit dhe bashkëpunimit. Sakaq, solidariteti ekonomik bëhet duke ofruar ndihma ekonomike të cilat ne nuk do ia kursejmë askujt që ka nevojë nga vëllezërit tanë. Por, pa bërë që ndonjë shtet të ndihet i kërcënuar. Secila palë jeton në kushtet e saj dhe përpiqet të ndihmojë të tjerët në kuadrin e situatës. Bazuar në parimin e ndarjes së përvojave të suksesshme, ne duhet ndjekin rrjedhën e historisë në harmoni të plotë. Lumenjtë e Lindjes së Mesme janë të vrullshëm. Tigris, Eufrati, Nili etj… vërshojnë drejt grykëderdhjeve të tyre në mënyrë harmonike. Kjo harmoni e lumenjve, e motivon të gjithë rajonin për më shumë bashkëpunim dhe shfrytëzim të kapaciteteve nga ky vërshim, për të garantuar një të ardhme të lulëzuar.”
…
