Nga: Erblin Iskurti
Kriza ekonomike dhe nacionalizmi
Periudhat e krizave ekonomike shpesh herë kanë çuar në një rritje mjaft të madhe të nacionalizmit e që më vonë në të shumtën e rasteve është përkthyer në luftëra të ndryshme ku më e madhja dhe e përgjakshmja ishte Lufta e Dytë Botërore .Hitleri mundi të shfrytëzonte mjaft mirë krizën ekonomike që kishte mbërthyer Gjermaninë,dhe duke u bërë thirrje ndjenjave nacionaliste të bashkëkombësve të tij të dëshpëruar nga kriza,arriti të bëjë një ndër katastrofat më të mëdha njerëzore.
Ka dhe raste të tjera ku kriza ekonomike ka çuar në luftëra (siç ishte sulmi që ndërmori Argjentina ndaj ishujve Falkland më 1982) dhe arsyen e tyre e shpjegon mjaft mirë Robert Putnam me teorinë e tij të « Two Level Game ». Sipas kësaj teorie, për të arritur një marrëveshje ndërkombëtare, përveç negociatave ndërmjet të dy palëve duhet që patjetër secila palë të ketë negociuar paraprakisht në nivel kombëtar. Pra në realitet sipas Putnam-it kemi 3 marrëveshje dhe jo një, nga një marrëveshje që secila palë ka kryer në nivel kombëtar me grupet e tyre të interesit dhe marrëveshja mes te dy palëve. Putnam e çon më tej arsyetimin e tij duke shpjeguar që shpeshherë elitat politike veprojnë në arenën ndërkombëtare për të përfituar në vendin e tyre ose anasjelltas, veprojnë në vendin e tyre për të përfituar sa më shumë në arenën ndërkombëtare.
Atëherë çfarë ndodh në kohën e krizave ekonomike? Për të tërhequr vëmendjen nga problemi i vërtetë, elitat politike ndërhyjnë në arenën ndërkombëtare në çështje që janë delikate dhe të ndjeshme për elektoratin e tyre. Thënë me fjalë të tjera, ne rastin e Argjentinës kur junta sunduese nuk po arrinte ta menaxhonte siç duhej krizën që kishte mbërthyer vendin, atëherë ndërhynë në një çështje ndërkombëtare mjaft delikate për ta siç ishte sovraniteti i ishujve Falkland dhe në këtë mënyre shpresonin që të tërhiqnin vëmendjen e tyre nga kriza e thellë ekonomike dhe politike ku ishte zhytur vendi në atë periudhë.
Po kriza e fundit që mbërtheu kryesisht Evropën, a pati një ndikim të tillë ?Mund të themi që po. Grupe të shumta raciste dhe të djathtat ekstreme me politikat e tyre ksenofobe njohën një periudhë lulëzimi. Në Evropën veriore u shtuan shumë mbështetësit e partive antiemigrante dhe sidomos antimyslimane. Në vende me ndasi etnike si Belgjika u forcuan shumë partitë regjionaliste që kërkojnë ndarje të vendit siç është rast i NV-A. Me fjalë të tjera, shkaku i një krize të tillë u pa tek tjetri i cili ishte i ndryshëm,i përkiste tjetër etnie, kishte tjetër mentalitet dhe sigurisht q ëtek ai u projektua shkaku i çdo të keqeje dhe krize që na përfshin.
Sigurisht që panorama nuk do ishte e plotë nëse nuk do kishte pjesë të Ballkanit. Futja e Agimit të Artë në parlamentin grek, zgjedhja e Nikoliçit si president i Serbisë dhe së fundmi forcimi gjithnjë e më shumë i Aleancës Kuq e Zi në Shqipëri (disa sondazhe së fundmi i japin 14% duke e renditur si forcë të tretë mbas PS-së dhe PD-së, mos harrojmë që këto do jenë zgjedhjet e para ku do konkurrojë ky formacion politik). Duke qenë që shqiptarët janë populli më proamerikan në Ballkan dhe mbase në Evropë, është normale që ShBA-së ti interesojë forcimi i pozitave të vendit tonë në rajon. Ndaj dhe shpesh dëgjojmë të flitet për një lloj suporti që ShBA i jep në mënyrë indirekte AKZ-së.
Dozat e nacionalizmit u panë të arrijnë kulmin e tyre gjatë festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë, ku përveç të tjerëve u pa i mbërthyer nga euforia e nacionalizmit edhe kryeministri i cili për hir të së vërtetës , që pas ardhjes në pushtet në vitin 2005 është treguar mjaft i kujdesshëm në dhënien e deklaratave që mund të shkaktonin hatërmbetje tek fqinjët tanë të përkëdhelur jugorë. A po luan edhe ai në « Two Level Game » për të tërhequr vëmendjen nga kriza që ka përfshire Shqipërinë, apo thjesht po mundohet të rifitojë një pjesë të elektoratit të cilën presupozohet që ja ka marrë tashmë AKZ-ja ?Apo ndoshta politika shqiptare po kërkon vërtet të bëhet faktor në rajon duke kërkuar të drejtën e vet të mohuar ndër shekuj? Kjo e fundit është më pak e mundshmja, dhe nëse supozimi im është i vërtetë dhe karta nacionalizmit po përdoret vetëm për të fituar votat ne zgjedhjet që po vijnë apo për tërheqjen e vëmendjes nga kriza, atëherë mund të themi se është e vërtetë shprehja që « Nacionalizmi është streha e fundit e maskarenjve ».
*Autori eshte student ne Marredhenie dhe Siguri Nderkombetare ne Universitetin Libre de Bruxelles, Belgjike
…
