4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Intervistë me bashkëshorten e Mursit

Më të lexuarat

Intervistë me bashkëshorten e Mursit

Al – Jazeera Mubashir ka intervistuar Znj. Najla Mahmoud, gruan e presidentit Muhamed Mursi, të cilën e ka pyetur lidhur me vizitën e saj në burgun Borg Al -Arab, ku po qëndron bashkëshorti i saj.
AJM: Znj Najla, ju lutemi të na jepni detajet e vizitës suaj tek Presidenti.
Najla: Ishte një vizitë shumë normale, ashtu si të gjitha vizitat që i bënim kur Presidenti Mursi u burgos para Revolucionit. Çfarë e bëri këtë vizitë të veçantë ishte se ajo përkonte me Vitin e Ri islam dhe se kjo ishte hera e parë që ne ishim në gjendje për t’u takuar që nga rrëzimi i tij. Falënderimi i takon Zotit që arritëm ta takonim Presidentin, dhe u bindëm se ai është në shëndet të mirë. Rrugës për në burg bëra një premtim solemn se do të jem e fortë dhe mbështetëse, por në të vërtetë, fuqia dhe besimi ishin në anën e Presidentit. Ai ka qenë gjithmonë heroik, i fortë e rezistent, por edhe i durueshëm. Zoti i ka dhënë atij aq shumë forcë për ta përballuar këtë situatë. Ai është i vendosur për të vazhduar në rrugën e legjitimitetit, rruga që ai ka zgjedhur të udhëheqë, dhe është i përkushtuar ndaj parimeve të revolucionit të 25 janarit.
AJM: Cili ishte ndikimi i seancës së parë të gjyqit për presidentin e rrëzuar?
Najla: Së pari unë do të doja të komentoja termin që e përdorët, pra “president i rrëzuar”. Unë preferoj që ta quani “president legjitim, sepse ligjërisht ai është i vetmi president legjitim . Populli bëri zgjedhjen e tyre, dhe vendosmëria e tyre e shfaqur përmes protestave për katër muaj, ka minuar këtë grusht shteti.
AJM: Mirë, çfarë ka qenë ndikimi i seancës së parë të gjyqit për presidentin legjitim?
Najla: Ajo (seanca) vetëm sa e ka rritur rezistencën e tij dhe këmbënguljen në qëndrimin e tij. Ajo e bëri atë më të durueshëm dhe optimist. E vërteta është gjithmonë e më e fortë, dhe e pavërteta është e dobët dhe e brishtë. Edhe pse shumë njerëz e shohin gënjeshtrën dhe të padrejtën si fuqi të përkohshme, në realitet ajo është e dobët dhe e brishtë. Dhe e vërteta është në anën e presidentit Mursi. Ai i ka të dyja, të vërtetën dhe legjitimitetin.
AJM: A ju ka folur juve presidenti në lidhje me vizionin e tij për të ardhmen apo zgjidhjen e mundshme për fazat e ardhshme? A ju kërkoi ai juve që të jepni një mesazh për popullin egjiptian?
Najla: Mesazhi që ai donte t’i jepte popullit egjiptian ishte qëndrimi rezistent dhe i palëkundur. Thellë në vetvete ai ka dëshirë që populli të mos heqin dorë nga revolucioni dhe qëllimet e tij. Mursi nuk heq dorë deri në momentin e fundit të jetës së tij, ai do të mbrojë këtë legjitimitet dhe revolucionin e 25 janarit.
AJM: Si e parashikon Z. Mursi fundin e krizës së tanishme?
Najla: Sigurisht, gjendja aktuale është e qartë për të gjithë. Vullneti i popullit qëndron mbi të gjitha. Përkundër përpjekjeve nga forcat e ushtrisë si dhe ato nga jashtë Egjiptit për t’i dhënë fund këtij revolucioni, dashtë Zoti që populli i Egjiptit të përfundojnë revolucionin e tyre dhe të vazhdojnë jetën e tyre normale së bashku me presidentin e tyre të zgjedhur. Ky është edhe besimi që kemi në Allahun.
AJM: Për çfarë ju ka pyetur më së shumti presidenti gjatë kësaj vizite?
Najla: Siç e përmenda edhe më herët, kjo ishte hera e parë ne i bëmë vizitë presidentit në pothuajse katër muaj. Megjithatë, gjëja e parë që ai pyeti ishte: “Si janë njerëzit, si po e kalojnë ata këtë krizë?”
AJM: Mund të na e përshkruani në detaje krejt çfarë ka ndodhur gjatë kësaj vizite?
Najla: E pra, sigurisht, gjëja e parë që ne bëmë ishte një përshëndetje e ngrohtë. Pyetja e parë ai na e bëri ishte: Si po e përballon populli egjiptian këtë gjendje? ” Pastaj, “A është rritur kostoja e jetës për njerëzit? ” Ai bënte pyetje sikur të ishte ende në pushtet. Ai është gjithmonë i shqetësuar për njerëzit e tij, vendin e tij.
AJM: Dhe pastaj? A ju pyeti rreth figurave që janë aktualisht në pushtet?
Najla: Jo. Ne nuk duam të diskutojmë për njerëzit që janë aktualisht në pushtet , sepse ne nuk i konsiderojmë si udhëheqës legjitim. Presidenti nuk i pranon ata, ashtu edhe ne. Presidenti asnjëherë nuk ka diskutuar me familjen e tij ndonjë nga punët e brendshme të Egjiptit. Ne kemi punuar punët tona, si pjesa tjetër e popullit, në të njëjtën kohë, nuk kemi pasur lidhje me punët e brendshme të Egjiptit.
AJM: Edhe një pyetje lidhur me atmosferën gjatë vizitës, a ishte vizita konfidenciale? A ishin të pranishëm forcat e sigurisë gjatë vizitës?
Najla: Herë afroheshin, e herë largoheshin. Por falë Zotit, ne nuk kemi asgjë për të fshehur nga askush.
AJM: Sa zgjati vizita përafërsisht?
Najla: Përafërsisht një orë.
AJM: Lidhur me mesazhet e tij dërguar juve, a pati ndonjë mesazh që ai ju kërkoi të ju vijë juve apo fëmijëve tuaj në mënyrë specifike?
Najla: Mesazhet që na u janë dërguar ishin për të gjithë ne: Të vazhdojmë rrugën që ai na ka mësuar dhe të jemi të qëndrueshëm dhe të patundur. Ndërsa mesazhi që ne i dhamë atij ishte: Kjo është një betejë, dhe Zoti është në anën tënde. Vazhdoje këtë betejë duke u mbështetur në Zotin, se edhe ne jemi duke luftuar së bashku me ty.
AJM: A ju dha presidenti detaje rreth arrestimit të tij?
Najla: Ai foli gjerësisht. Koha ishte e limituar, dhe ai donte që të sigurohej se të gjithë anëtarët e familjes janë mirë. Pra, nuk folëm më shumë në shumë detaje.
AJM: A folët rreth ngjarjeve në Rabaa Al- Adavija apo Al- Nahda?
Najla: Jo, nuk kemi folur diçka të tillë.
AJM: A i keni diskutuar detajet e gjykimit?
Najla: Ai tha se u takua me avokatët dhe se nuk e njeh legjitimitetin e gjykimit. Ai diskutoi situatën e tij me avokatët dhe i siguroi ata në lidhje me kushtet e familjes sonë.
AJM: Cili ishte mesazhi i tij i fundit për ju, dhe mesazhi juaj për të?
Najla: Siç e përmenda më parë, ne kishim mesazhe të njëjta për njëri-tjetrin. Ji i fortë, rezistent dhe i durueshëm deri në fund . Kjo është rruga e drejtë, ne e zgjodhëm atë, dhe kur e zgjodhëm këtë rrugë, ne e dinim se çfarë do të duhet të sakrifikojmë për hir të Zotit. Ai ka përsëritur vazhdimisht se ne duhet të mbetemi të palëkundur në rrugën tonë, e që dashtë Zoti, do të përfundojë me fitore. Ne jemi duke shkuar kah fitorja, dhe falënderimi i takon vetëm Allahut.
AJM: Dhe e fundit, a është presidenti Mursi i njoftuar për atë që ka ndodhur në Egjipt përmes ndonjë forme të mediave?
Najla: Disponueshmëria e mediave si radio, televizion dhe gazeta, është shumë, shumë e kufizuar, pothuajse jo -ekzistente. Por ai ka ide rreth asaj se çfarë ka ndodhur në Egjipt. Ai mori disa informacione nga avokatët dhe formoi një vizion pothuajse të plotë rreth asaj që po ndodh brenda dhe jashtë Egjiptit.
AJM: Si ishte gjendja e tij shëndetësore ?
Najla: Falënderimi i takon Allahut, ai është në shëndet të shkëlqyer, fizikisht, emocionalisht, dhe shpirtërisht. /mesazhi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit