3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Kurti: Serbia refuzoi propozimin e KFOR-it për heqjen e barrikadave dhe largimin e Njësive Speciale nga veriu

Më të lexuarat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në konferencën e përbashkët me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von Der Leyen, ka folur për takimin e sotëm në Bruksel dhe propozimin e KFOR-it për zëvendësimin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në veri.

Kurti ka thënë se shpreson që në takimin e sotëm në Bruksel të gjendet zgjidhja për situatën në veri.

“Në këto momente kur ne po flasim po zhvillohen takimet në Bruksel, sa jam në dijeni zëvendëskryeministri Bislimi do të zhvilloj takim ndaras me emisarin special, Miroslav Lajaçak dhe më pastaj ndoshta do të ketë takim edhe me homologun e tij nga Serbia në këtë takim. Uroj dhe shpresoj që të gjendjet zgjidhja aty”, ka thënë Kurti.

Kurti shtoi se gatishmërinë për zgjidhje të situatës e kanë shprehur edhe të hënën në takimin që kishte pasur me gjeneralin e KFOR-it, Franco Federici. Kryeministri theksoi se gjenerali Federici i kishte propozuar zëvendësimin e Njësive Speciale me ushtarët e KFOR-it.

“Gatishmërinë e kemi treguar edhe të hënën kur erdhi në takim gjenerali i KFOR-it, Franco Federici i cili dha një propozim racional që nënkuptonte heqjen e barrikadave për liri të lëvizjes dhe zëvendësimin e Njësive Speciale nga pjesëtarët e KFOR-it deri në një qetësim të situatës. Aty do të vazhdonin të qëndronin policia jonë kufitare e cila do të vazhdonte me zbatimin e marrëveshjes së reciprocitetit”, ka deklaruar Kurti.

Kurti shtoi se këtë propozim të KFOR-it, nuk e pranoi Serbia.

“Në parim ne e kemi pranuar këtë, dhe sa i përket orarit të tërheqjes së Njësive Speciale kemi ngelur të bisedojmë me Policinë e Kosovës. Ne paraprakisht jemi konsultuar edhe PK-në, pasi që vendimet që ne i marrim nuk janë vetëm politike. Ne kemi qenë dakord, mirëpo Serbia e ka refuzuar këtë. Pra Serbia javën e kaluar ka refuzuar dialogun në Bruksel, këtë javë e ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga KFOR-i”, tha Kurti. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit