0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Globalizimi dhe zhdukja e dritëhijeve

Më të lexuarat

Bruna Zadeja

Mëvetësia e domethënies së festës dhe atmosferës festive detyron ndarjen mes qëndrimit hulumtues mbi historikun e një feste të caktuar, e cila është një gjë, dhe impaktit emocional që shkakton atmosfera e saj e cila është një gjë tjetër. Nga kjo ndarje lind e drejta për të shqyrtuar nëse të qenurit festiv shkon në përputhje me parakushtin (në aspekt parimor) për të qenë edhe i informuar.E tillë shqyrtesë edhe si pyetje retorike mund të duket e tepërt, e pazakontë, e shtirur sa kohë që elementi informativ (sqarues) që i përgjigjet karakterit historik të festës nuk shihet më si kusht i cili garanton një përjetim të vërtetë e të plotë festiv, por si një tangërllik logjik i panevojshëm, i zëvendësuar tashmë me idenë e mjaftueshmërisë së faktit “festë”. Pra nuk ka rëndësi për cfarë feste bëhet fjalë, rëndësi ka ndodhia, eventi, pavarsisht shkakut.Festa është gjithmonë e mirë, kurrë s’mund të jetë dicka e keqe.Gjithcka ajo përcjell është e paprekshme, e pagjykueshme dot…

Duke ndjekur logjikën e mësipërme, si një logjikë që evidenton si më të rëndësishme atmosferën festive në krahasim me simbolikën e saj, bëjmë një ndarje tjetër sipas së cilës festa si e tërë mes dy tipareve të sipërpërmenduara, përvec funksionit argëtues , që e njehtipari i atmosferës, vepron edhe si rrol orintues të cilën duhet ta njohë, por që nuk e njeh,tipari i simbolikës së saj.Duke qenë se ky i fundit po humbet në rendin e ligjërimit që përkufizon festën, rroli orientues i festës(sidomos në kuadrin e globalizimit të padrejtë të cilin e quajmë kështu sa kohë përjashtohen sisteme vlerash dhe të tjerë syresh konsiderohen të absolutizuara) po spostohet dhe po gërshetohet me rrolin argëtues të saj.Që do të thotë se rroli orientues i festave të importuara në Shqipëri vepron më së shumti në subkoshiencën e mendësisë sonë më tepër se sa në koshiencën e saj.Dhe jo vetëm festat në fakt por cdo gjë e re e cila serviret si model i gatshëm, mbi të gjitha i testuar dhe prej këndej automatikisht i besueshëm.

P.sh BE-ja dhe përfshirja në të, në perceptimin tonë tingëllon si një ideologji spiderman-i apo superman-i më tepër se si model politik i sugjeruar për të përmirësuar situatën politike të një vendi me kontekst komunist në të shkuarën e tij.Shqiptarëve iu kërkohet të ndryshojnë paradigmën nga qytetarë me mendësi shqiptare në anëtarë me mendësi europiane.Cfarë mund të kërkohet me tej duket shqetësuese dhe lehtësisht e arritshme.Asnjë populli të cilit i mungon tradita e mendimit të pavarur nuk i nevojiten heronj dogmatikë, asimilues e përvetësues (pretendim formal ky të cilin e kushtëzon i njëjti qëndrim formal i politikave hegjemoniste të cilët fshihen pas maskës së më të fortit që bën edhe “të mëshirshmin”). Megjithatë rilidhemi me cka u tha më lartë, vini re kalimin nga “shqiptarë” në “anëtarë”, nga përfaqsues në të përfshirë, nga përkatësi e vecantë në përkatësi të përgjithshme. I gjithë ky kalim në dukje i parëndësishëm ndodh në kurriz të identitetit shqiptar dhe vlerave të vecanta e të papërsëritshme që në fund fare na bëjnë ato që jemi.Skepticizmi se në të ardhmen do të mund të funksionojmë si kukulla të vetvetes lind prej zhvlerësimit të tipareve autentike dhe zëvendësimit të tyre me tipare të përgjithshme apo të përbashkëta.

”Përfshirja në BE” vetëlegjitimohet si ideologji sepse në vend që të sugjerojë, ajo kushtëzon, mandej kërcënon me përjashtim, sa kohë që nuk cdramatizohet në normalitet apo natyrshmëri absurdi i predispozitës për të qenë të detyruar të pranojmë e të duam atë që është e huaj për trurin e një populli (si kushtëzim fizik) dhe shpirtin e një populli.Ne na kërkohet të shohim si normale amoralen, homoseksualizmin, licensimin e përdorimit të drogave të lehta, transportimin e të moshuarve nga familja në azile, instrumentalizimin e figurës së gruas, sekularizmin(sidomos në Shqipëri për shkak të Islamit si mundësi e njeriut për të krijuar kontakt konkret me realitetin), festimin e festave të pakuptimta në përputhje me mënyrën se si shqiptarët kënaqen, të tilla si Halloëeen-i p.sh, apo edhe konvertimin e popullsisë nga muslimanë në të krishterë duke u përpjekur t’i gjejmë rrënjët krishtere edhe aty ku nuk janë.Dhe e gjitha kjo sepse në dukje kristianizmi i qëndron më për shtat epokës moderne, ose më saktë ofron një shtrat më elastik për të qenë edhe kështu edhe ashtu, edhe religjiozë edhe bashkëkohorë, edhe në ajër edhe në tokë.

Gjithsesi këtu nuk bëhet fjalë vetëm për fanatizmin e një populli për të lënë të paprekur traditën përkatëse të vlerave, bëhet fjalë mbi të gjitha për të lënë të paprekur traditën humane të vlerave.Popujt janë të ndarë kulturalisht duke përfshirë këtu edhe fenë, megjithatë kanë një emërues të përbashkët, vlerat humane tek të cilat të gjithë ata bashkohen. Ky tip vlerash i përket fondit të përbashkët të vlerave njerzore në tërësi, përkundrejtë vlerave autentike(ritet, zakonet, religjioni, kultura etj). Që do të thotë se vlerat elementare njerzore të miratuara nga të gjitha fetë, nga i gjithë religjioni në tërësi mbështeten, legjitimohen prej Hyjnores në emër të përbashkësisë, unitetit.Përkundër vlerave kombëtare (autentike) të cilat personalizojnë, tipizojnë, skicojnë fytyrën e një populli. Duke vazhduar më tej konstatojmë se paradigma e vlerave të përbashkëta nuk mund të identifikohet me globalizimin (si përpjekie e gënjeshtërt në këtë drejtim), sepse ky në fakt nënkupton shkrirjen e vlerave autentike të disa kulturave në emër të një kulture që mendohet të jetë më e përkryera. E kujt i shërben një fond i ri i përbashkët vlerash kur tashmë prej kohësh e kemi një të tillë?!

Pra globalizimi edhe si gënjeshtër edhe si alternativë nuk mund dhe nuk duhet të funksionojë, sado pozitive qoftë ideja, sepse premisat i ka të gabuara.Si alternativë globalizimi nënkupton klonim shoqërish dhe jo zhvillim të tyre, përmes zhdukjes së vlerave specifike, atyre që i dallojnë popujt njërin nga tjetri, mekanizëm i cili në fund fare i jep kuptim shkëmbimit ndërkulturor. Cfarë do të mund të shkëmbenim nëse do t’i zhduknim ato?! Megjithatë rreziku nuk ndalet këtu, sepse shkrirja e një kulture nënkupton për pasojë edhe zhdukjen e historisë së vlerave përmes spostimit të saj në harresë, e më tej në pavetëdije, meqenëse historia është lëndë e cila merr jetë vetëm si mekanizëm në funksion përtej vetes. Me fjalë të tjera globalizimi është ftesë dhe përpjekie për ta parë botën vetëm me njërin sy, nga një këndvështrim i huaj, i vetëm, fillikat dhe jetim në duart e panevojës për Zot. Që do të thotë se ai kërkon të zëvendësojë një paradigmë vlerash të cilat nënkuptojnë dhe legjitimohen prej religjionit, me një paradigmë tjetër e cila e përjashton Hyjnoren, ose sugjeron ta spostojë si vlerë të rëndësisë së dytë e në këtë mënyrë duke e shkarkuar nga detyra e saj si parakusht ekzistencial, në alternativë të rëndësisë së njëjtë bashkë me ateizmin e të gjithë llojet e tjera të ideologjive.(kujtojmë këtu thirrjen dhe ftesën e LGBT-së drejtuar KMSH-së për solidarizim me to në përpjekien për t’u pranuar normalisht në shoqëri, si garanci për në BE).

I gjithë ky shtjellim nuk nënkupton aspak, qoftë shkarazi idenë e pavlefshmërisë së festave, përkundrazi ka si qëllim t’i trajtojë ato në fund fare si një përjetim krejt intim të një populli të cilat s’mund t’i kalohen një tjetri.Festa thjesht nuk mund të dhurohet dhe është krejtë e pavend dhe e padrejtë që të shërbejë si mjet përmes të cilit vlerat përcillen jo në koshiencën por në subkoshiencën e tjetrit(materializimi i konceptimit festë). Dhe asnjë model tjetër nuk mund të bëjë kështu, maksimumi vlerat mund të pasqyrohen, por kurrsesi të përthithen përmes imitimit si një mekanizëm në fund fare alternativ, krahas opsionit për të mos idealizuar “tjetrin” dhe vlerën që ky përcjell. Ky manipulim i panevojshëm në emër të zhdukjes së civilizimit shpirtëror, është një mekanizëm që përdor globalizimi për të lënë gjurmë e veta në emër të zhdukjes së gjurmëve. Prej këtu përbledhim dhe bëjmë dallimin e domethënies së paradigmës hyjnore e cila i shërben unitetit, bashkësisë njerzore duke lënë të paprekura tiparet dalluese të një populli, e në këtë mënyrë duke ruajtur origjinalitetin përkatës të secilit prej tyre, nga paradigma moderne (ateiste) e cila i shërben uniformitetit(ose individualizimit të shoqërisë) duke tentuar t’i shpërbëjë, t’i shkrijë këto tipare dalluese, e për pasojë duke e shtrirë më gjerë konceptin e turmës brenda një shoqërie, drejtë një turme shoqërish.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit