2.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Pazar me Ahiretin!

Më të lexuarat

Kemi folur vazhdimisht për KMSH, herë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por më shumë të nënkuptuar dhe sigurisht që një pjesë e mirë e atyre që na lexojnë janë bezdisur apo edhe nuk na kuptojnë si duhet rreth shqetësimeve dhe problematikave që ngremë në adresë të këtij institucioni komunitar. Një pjesë e di që na kanë marrë inat dhe madje na paragjykojnë se pas këtyre reagime parimore fshihen qëllime personale apo sektare, por kjo nuk na detyron të heshtim, për aq sa të kemi frymë dhe mundësi. Para pak kohësh një tjetër skandal doli në dritë nga zyrat hermetike dhe sektare të KMSH, shitja e godinës së Medresesë së Korçës, fakt ky që kaloi gati në heshtje si lajm dhe pa ndonjë reagim masiv nga besimtarët.
Godina vakëf e Medresesë së Korçës u shit dhe rrugës duket që është ndoshta edhe ajo e Kavajës.

Por çfarë ka ndodhur në fakt?

Qyteti i Korçës ka pasur një kompleks arsimor dhe xhami të ndërtuar nga një shoqatë arabe islame në vitet 90’. Më e gjitha u rrafshua për tu ndërtuar një godinë medreseje e re dhe më pas një xhami, nga shoqata ithtare e Fetullah Gylenit, Sema, e cila u tha se kishte marrë me marrëveshje tridhjetë vjeçare për administrim disa prej medreseve të KMSH. Ndërkohë vetëm para pak javësh, sipas prononcimeve të vetë drejtuesve ilegjitim të KMSH, ish godina e medresesë së Korçës iu shit një personi privat, pasi fillimisht kësaj medreseje dhe asaj të Kavajës iu mbyllën (në mënyrë absurde) licencat (të nxjerra që nga 2002) me kërkesë të vetë KMSH, me justifikimin e krizës ekonomike dhe rënies së numrit të nxënësve në to! Ndërkohë që do të kishte mjaftuar vetëm kalimi në gjendje jo aktive, pa qenë nevoja e mbylljes së licencës. Por jo, mesa duket ky veprim ka pasur arsye të tjera, të cilat mendojmë se kanë lidhje me atë që ndodhi më pas:
Së pari mbyllja e këtyre licencave u trumbetua në shtypin turk, ndoshta me qëllim, sikur u bë nga shteti shqiptar për këto institucione gyleniste, ndërkohë që e vërteta ishte krejt ndryshe dhe qëllimi qe për tu hedhur hi syve qeverisë turke se ja po goditen gylenistët në Shqipëri!
Së dyti, mbyllja e licencës për këto dy shkolla kishte për synim mesa duket shitjen më pas të godinave të tyre, të cilat për çudi rezultuakan në pronësi të fondacionit Sema dhe jo të KMSH!

Nga ky fakt i fundit bëhet e qartë se pse u mbyllën pikërisht këto dy medrese dhe jo të tjerat. Veprime të tilla në mënyrë të përshkallëzuar gylenistët bëjnë vazhdimisht, dhe gjithmonë i paraqesin dhe justifikojnë si të detyruara nga rrethanat, por ndërkohë janë pjesë e planeve të tyre afatgjata për t’i kaluar pa u ndjerë dhe në mungesë të plotë transparence.

Tashmë muslimanët e Shqipërisë kanë një vakëf më pak dhe rrugës do të jetë edhe vakëfi tjetër në Kavajë. Paratë e shitjes së godinës së medresesë së Korçës shkuan në xhepin e Semas, ndërsa në buxhetin e KMSH u derdh vetëm 1/5 e vlerës që përkon me çmimin e tokës që ajo kishte në pronësi, vlerë kjo që është thënë se me të do të blihet një vakëf tjetër!

KMSH sot u kërkon të gjitha shoqatave dhe individëve që ndërtojnë xhami në toka që nuk janë në pronësi të KMSH, që ta kalojnë atë më parë në pronësi të KMSH, dhe xhamia që ndërtojnë sigurisht kalon në pronësi të KMSH. Por ndërkohë Sema-s i është lejuar të marrë pronësinë e godinës së ndërtuar prej tyre edhe pse toka ishte pronë vakëf e KMSH!

Epo si Sema si drejtuesit gylenist të KMSH sot, janë i njëjti soj dhe asgjë nuk i ndan mes tyre, kështu që gylenistët duket se me dhelpërinë e tyre i kanë paraprirë që herët kësaj situate kritike për ta, me këtë masë preventive, duke treguar një rast unik të nijetit të keq dhe djallëzor dhe sektar të kontributit të kushtëzuar që kanë dhënë për bashkësinë e muslimanëve të Shqipërisë. Kjo e bën këtë rast të turpshëm të paprecedent në historinë e këtyre tre dekadave të KMSH.
Si mundet një organizatë jofitimprurëse fetare, si Sema, që punon me donacione të besimtarëve, të shes një vakëf për arsye se falimentoi apo ka ndërmend të largohet? A nuk mendon ajo për sevapin e atyre nga të cilët ka marrë parat për këtë vakëf apo për sevapin e vet për këtë ndërtim, duke e shitur atë madje edhe me shumë mundësi me fitim?
Ata mund të thonë se ato para do t’i investojnë diku tjetër po vakëf. Po pse kështu i bëni vakëfet ju, që kur të mos jeni më vetë t’i merrni me vete ngado që të shkoni?! Pra vakëfi juaj paska qenë i kushtëzuar me prezencën tuaj, dhe jo një vepër për hir të Zotit, që do t’i ngelte të gjithë muslimanëve të atij vendi më pas edhe kur ju të mos jeni më. Ku është parë e dëgjuar kjo pafytyrësi e juaj?!
Mund të thoni mes justifikimeve të tjera se e kemi lënë si kusht që edhe ai që e bleu ta përdor si medrese. Po nëse ai që e blen nuk e zbaton këtë kusht, sepse fundja prona e tij është dhe një ditë të bukur mund të bëj çfarë të dojë me të, çfarë ju ngelet juve?! Po edhe sikur ai që e ka blerë, ta bëj medrese dhe t’ia dhurojë si pronë KMSH më pas, kjo është në nderin e tij dhe në turpin tuaj, që nuk ja dhuruat ju KMSH këtë pronë, por e mbajtët për vete, duke detyruar pas kaq vitesh edhe KMSH të firmos për shitjen e tokës, nisur nga fakti se prona juaj kishte vlerë më të madhe sesa toka e KMSH. Në fakt ju jeni dy duar të një koke, kështu që praktikisht kryesia e KMSH nuk është veçse një zgjatim i Semas gyleniste.

I gjithi ky veprim është një akt turpi dhe pazari në fakt me Ahiretin tuaj dhe të atyre që ju u keni marrë paratë për këtë godinë, një pazar i ulët, si të bënit tregti për një pasuri tuajën personale të kësaj bote, dhe jo me një pasuri vakëf që i dhurohet besimtarëve dhe është në pronësi të veçantë të Allahut dhe nuk lejohet shitja apo tjetërsimi i saj, vetëm se në kushte ekstreme dhe me kushtin për tu zëvendësuar me të njëjtin destinacion dhe me të njëjtën masë përfitimi apo më të madhe. Tani çfarë vakëfi do të bëhet më i mirë dhe me të njëjtin destinacion medrese, nga Sema? Apo paratë do të shkojnë për drejtime të tjera, qofshin edhe arsim, por që nuk ka lidhje me medresenë?!
A është për t’iu zënë besë këtyre njerëzve që, në largim e sipër ndoshta, nuk duan të lënë asnjë investim të bërë prej tyre në KMSH?!
Dikush prej tyre tha se i kemi lënë xhaminë që bëmë pranë medresesë, me vlerë aq e kaq milion! Subhan Allah! Ky justifikim është më i turpshëm sesa vetë akti i shitjes, është në të njëjtën linjë mendësie pazari dynjaje me të cilën këta njerëz i trajtojnë këto vakëfe. Ju kemi dhënë xhaminë kështu që mos hapni gojën për medresenë! A thua se aty nuk kishte xhami më parë, paçka se mund të kishte vlerë monetare më të ulët dhe jo aq pompoze ajo që u bë më pas?!
Nëse vërtetë shitjen e godinës së medresesë e kanë kushtëzuar që të ngelet me të njëjtin destinacion, pse e mbyllën licencën e saj atëherë? Pse pas para dorëzimit të kësaj godine e zbrazën nga çdo pajise mësimore, dhe i shitën ato në treg, ndërkohë që mund t’ia shisnin edhe ato blerësit?! Po instalimet elektrike pse i kanë shkulur si dhe të tjera dëme që i kanë shkaktuar godinës?! Sigurisht të gjitha këto për t’i ardhur në ndihmë atij që e ka blerë që ta bëj përsëri medrese!
Ndërkohë për të vazhduar me të njëjtën logjikë justifikuese, dhe tymnajë, puçistët e KMSH kanë hedhur si justifikim faktin se ata e kanë ndërtuar xhaminë në një pjesë toke, jo aty ku ishte më parë, pasi sipërfaqja e tokës aty është shtuar, duke aluduar pa u shprehur qartë, se kjo shtesë toke është produkt i tyre, ndërkohë që e vërteta është se ajo tokë shtesë është dhënë nga Bashkia, pa asnjë lekë, si kompensim i një sipërfaqe të njëjtë vakëf dikur tjetër, që Bashkia donte ta bënte lulishte. Veç kësaj xhamia është ndërtuar gati dy vjet më pas nga godina e medresesë, dhe me këmbënguljen e xhematit të Korçës, që vërtetë “fitoi” një medrese, por humbi një xhami. Kështu që nga kjo kuptohet se përse gylenistët qajnë për paratë “e humbura” për xhaminë që ndërtuan. Kjo nuk është aspak habi kur kujton fjalët e liderit të tarikatit të tyre, që pretendon se flet me Allahun dhe Profetin, se ata duhet të ndërtojnë shkolla dhe jo xhami.

Në këtë situatë të përsëritur skandalesh, që janë vetëm pjesa e bërë publike, i bëj thirrje ndërgjegjes së shumë prej atyre gylenistëve, që kanë akoma një fije ndërgjegje besimtari dhe nder burri, të ruajnë edhe atë pak fytyrë të turpëruar që u ka mbetur, e të mos iu binden abilerëve të tyre për të shitur edhe godinën e medresesë së Kavajës. Le ta lënë atë për hir të Zotit, ashtu siç e kanë taksur ata që kanë dhënë parat për të dhe të mos marrin mbrapsht sevapin e kësaj godine, sepse Allahu nuk ua humb atë ditën e Kiametit, kushdo që të vij pas tyre në krye të KMSH. Mos ecni me politikën e tokës së djegur të humbësit, nëse keni frikë Allahun dhe Ditën e Gjykimit.

E di se shumë prej jush janë njerëz të sinqertë, dhe u dhimbsen paratë vakëf të muslimanëve, por ashtu siç një pjesë e xhematit tuaj kundërshtoi pagesën një milion dollarësh, që iu ju bë ish presidentit Bill Klinton, për të lavdëruar liderin dhe xhematin tuaj, duke e konsideruar këtë para të dhënë haram, ashtu edhe ju sot, që të mos iu vrasë ndërgjegjja nesër, mos pranoni më që ky turp të përsëritet me shitjen e ndonjë vakëfi tjetër. Dhe është në nderin tuaj të tërhiqeni nga uzurpimi ilegjitim që i keni bërë institucionit përfaqësues të muslimanëve të Shqipërisë, duke i dhënë legjitimitetin dhe gjithpërfshirjen që i takon të ketë. Përndryshe shumë prej besimtarëve të këtij vendi do t’i keni hasmit tuaj Ditën e Gjykimit, ndaj bëni gati defterët për atë ditë!

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit