Prishtinë, 3 qershor – Ligji për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme duhet të përfshijë kohën edhe para hyrjes në fuqi të ligjit. Ky është qëndrim i partive opozitare, të cilat thonë se do të votojnë kundër Draft-ligjit, nëse nuk merren parasysh rekomandimet e tyre, transmeton RTK.
Draft-ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, nuk do të kalojë lehtë në Kuvend. Kështu të paktën vërehet nga disponimi i deputetëve të opozitës, edhe pse ata thonë se nuk janë njoftuar plotësisht se çfarë përmban ai. Deputeti nga radhët e LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se periudha duhet të përfshijë gjithsesi edhe kohën para miratimit.
“Është absurde që të vlejë ky ligj prej momentit kur të hyjë në fuqi. Kjo i bie se kush ka vjedhë ka vjedhë dhe si thuhet në popull t’i bëhet hallall. Kjo nuk duhet të vjen në shprehje, sepse do të ishte shumë e dëmshme dhe do të legalizonte hajnitë, korrupsionin dhe pasurimin e paligjshëm”, thotë Beqiri.
Edhe Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje, ka qëndrim të njëjtë.
“Natyrisht se duhet të përfshihet periudha nga viti 1999, sepse pasuria e krijuar nga politikanët në Kosovë që për disa është edhe përrallore, është e krijuar sipas të gjitha gjasave në mënyrë të paligjshme, meqenëse nuk ka pasur kurrfarë mundësie që me gjithë pagat e larta të krijojnë atë nivel të pasurisë. Andaj institucionet e Kosovës duhet ta kenë atë mundësi që këtë pasuri që në një formë i është vjedhë këtij populli t’ia kthejnë përsëri popullit”, thekson Ymeri.
Këtë qëndrim e ka edhe Aleanca Për Ardhmërinë e Kosovës. Deputeti Burim Ramadani thotë se do të votojnë kundër nëse nuk merren parasysh rekomandimet e tyre.
“Definitivisht ka shumë vërejtje, rekomandime dhe sigurisht amendamente që do t’i japim. Dhe, nëse këto nuk merren parasysh do të votojmë kundër”, tha Ramadani.
Vlefshmëria e Ligjit për Konfiskimin e Pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme edhe për periudhën para hyrjes në fuqi, është kërkesë edhe e 10 OJQ-ve, të cilat së fundi u tërhoqën nga grupi punues i Ministrisë së Drejtësisë, për ligjin në fjalë.kohaislame