-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Vajza 13 vjeçare e ish ushtarit të UÇK-së po shkon drejt vdekjes në mungesë të barnave

Më të lexuarat

Fëmija, gjithçka që një prind thotë se ka në jetë, po i tretet para syve dhe po i ikën drejt vdekjes i ish- ushtarit të UÇK-së, të Batalionit “Atlantiku”, Muhamed Kuka. 

Pranverës 13 vjeçare, vajzës së tij të prekur nga një sëmundje të rëndë, ish ushtari i Batalionit “Atlantiku” Kuka që ka shitur pasurinë e tij në SHBA për të ardhur dhe kontribuar në luftën për çlirimin e Kosovës, nuk ka të holla për t’ia blerë as ilaçet.

I gjendur përballë me skamjen dhe xhepin e zbrazët, ky ish ushtar  i Zonës së Pashtrikut e ka vështirë të pranojë se është i lënduar nga mos përkrahja institucionale për shërimin e vajzës së tij jashtë shtetit. Ndonëse, e pranon se bashkëluftëtarë të tij në operacionin “Shigjeta”, tash politikan dhe në pushtet ia kthyen shpinën, nuk i ndihmuan për shërimin e vajzës kur Kuka iu trokiti në derë.

 “Tek qeveria kam humbur shpresat, as për barna nuk më kanë gjetur të holla se për shërim hiq se hiq”, thotë Kuka për “Zëri”.

Si zgjidhje, ai thotë se do të ishte edhe spitali i Tiranës. Por, përderisa nuk ka të holla ta dërgojë për analiza e fotografime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e tek ndonjë  ordinancë specialistike private, Kuka ka mbetur ndërmjet emergjencës së spitalit të Ferizajt ku e dërgon vajzën sapo t’i keqësohet gjendja për t’i dhënë ndonjë infuzion, si dhe shtëpisë ku ajo  (Pranvera) gjen prehje nga shikimi i ëmbël dhe vuajtës i të dy prindërve, të cilët nuk mund ta dërgojnë përtej shtëpisë për të kërkuar shërimin e saj.

Në klasën e shtatë të fillores, Pranvera ka filluar të humb tash edhe ecjen. Sëmundja, që  nuk ka mundësi t’i parandalohet për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në familjen e saj, ka filluar t’ia prek dhe organet vitale duke ia pamundësuar lirinë e lëvizjes normale për tek shkolla dhe mësimi, e aq më pak të mendojë për lojërat me shoqet e shokët e klasës.

Gjithçka që ajo mund të bëjë është të ulet në klasë dhe të hedh shikimin jashtë nga nxënësit tjerë në oborrin e shkollës, ku gjenden edhe miket e saj të ngushta.      

Buzëqeshja fëmijërore ia përshkruan fytyrën e zbehtë, pasi që dhimbjet që ia kanë kapluar barkun dhe gjoksin i reflektohen në fytyrë, kurse prindërit mundohen t’ia largojnë dhimbjet me fjalë, duke i thënë se : “Do të dal dikush do të na ndihmojë, ndonjë donatorë dhe t’i vajza jonë do të shkosh e shërohesh”.   

E diagnostifikuar me lloj-lloj nënshkrime të mjekëve në Kosovë, dhe me terapi mjekësore, që sipas babait të saj Muhamedit, vetëm sa ka numëruar ai kanë arritur 57 infuzione t’i jepen vajzës vetëm në një afat të shkurt kohor, Pranverës gjendja i është keqësuar edhe më shumë.

Një nga diagnozat që Kuka thotë të jetë më e qëlluar është ajo  “Epi fokal migroma”.

Kuka thotë se familja katër anëtarësh tash e fillon dhe mbaron muajin me vetëm 120-140 euro që i mbesin nga pensioni invalidor, pasi të hollat tjera të pensionit i ndalen që në fillim të muajit nga banka, ku ai ka dy kredi të marra që i ka shpenzuar duke kërkuar diagnozën dhe blerë terapinë shpesh jo të qëlluar të caktuar nga mjekët për vajzën e tij.

“Kam shitur çka kam pasur, kam hyrë kredi për të dërguar vajzën në kontroll ku vetëm një kontroll të kushton jo rrallë 90 euro. Pastaj mu deshën dhe të holla tjera, kështuqë kredinë e parë që mora ‘e futa brenda’ siç po shprehen bankat, si dhe mora edhe një kredi tjetër, duke i bërë të dyja bashkë. Tash për dy kredi më duhet të paguaj mbi 200 euro në muaj”, thotë invalidi i luftës Kuka.

 

Image

 

Nuk i është drejtuar askujt deri më sot për ndihmë. E ka vështirë të kërkojë të holla për shërimin e vajzës së tij, por në anë tjetër askush nuk i erdhi në ndihmë.

“Vajzës i është caktuar diagnoza siç po i thonë ‘ Epi fokal’, prej 12 vitesh, kemi dërguar disa incizime në Zvicër dhe na kanë thënë që vajza ka pasur gjakderdhje në tru, por këtu po e trajtojnë për Epi fokal.  Gjendja po i keqësohet për ditë e më shumë nga barna të ndryshme dhe diagnoza që po i caktojnë këtu”, thotë ai duke e parë vajzën tek vuan nga simptoma të ndryshme.

Tani vajza e tij, sipas mjekëve në Zvicër që iu janë dërguar incizimet dhe disa prej mjekëve në Kosovë ku ka vizituar vajzën, Kuka thotë se i është thënë se vajza është në rrezik t’i paraqitet sëmundja e Leukimia.

“Shpresojë që ndërgjegja për një fëmijë të pafat që pa fajin e vet përballet padrejtësisht me vuajtje dhe mjerim në Kosovën e ëndërruar të lirë të prek dikë dhe të na ndihmojë”, thotë ai që duke shtrënguar duart dhe hedhur shikimin tutje për të fshehur lotët tregon sesi nuk ka mundësi as për t’i blerë ushqim vajzës.

 

Image

 

“Në Tiranë disa barna të mjekëve që mi kanë dhënë këtu, atje mi kanë gjuajtur në kosh të plehrave. Tani më shumë më duhet ta dërgojë në privat tek ndonjë specialist për ta trajtuar ose në Tiranë, por shkaku i mungesës së mjeteve financiare nuk po mund t’i dal zot vajzës sime”, thotë ai për “Zërin”. 

Kuka rrëfen injorimin e institucioneve të shtetit ku iu është drejtuar për ndihmë si dhe shoqatave të luftës, e që nuk i kanë ndihmuar.

Ai thotë se ka përjetuar tmerr, e po gjendet brenda tij sepse vajza po i ikën nga duart pak nga pak, e ikjen e saj e sheh tek bota tjetër pasi që askush nuk po i del në ndihmë ta mjekojë.

Image

 

Ish ushtari i batalionit “Atlantiku”, thotë se është i zhgënjyer me institucionet e vendit, për ndërtimin e të cilave ai tregon sesi e la Amerikën dhe shiti firmën e tij që kishte në Filadelfia, madje me çmim të lirë vetëm që sa më shpejt me ato të holla t’i kontribuonte luftës dhe të ishte një nga ushtarët e Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës.  

Të interesuarit për të ndihmuar në këtë rast mund të shfrytëzojnë këto të dhëna:

Prindi i vajzës Muhamed Kuka, Ferizaj

Numri i telefonit: 044 271 843

Xhirollogaria : Raiffeisen Bank  1504001002610406

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit