3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Faraonizmi – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Faraonizmi është një sjellje tipike e atyre mediokërve që kanë një lloj pushteti në dorë, qoftë ky i madh ose i vogël, dhe që ndjek modelin e Faraonit që Allahu na e sjell si shembull në Kuran.
Kur Faraoni nuk kishte asnjë argument për t’i bërë ballë të vërtetës së Musait (alejhi selam), për të ruajtur autoritetin dhe legjitimitetin e tij fals, kërkoi nga lakenjtë e tij që ta linin që ai të vriste Profetin e Zotit, sepse ai na paskësh qenë një ngatërrestar dhe përçarës i madh, ose ndryshe me gjuhën e sotme, një ekstremist i dhunshëm apo edhe terrorist potencial!
Befas këta njerëz ilegjitim bëhen predikues fals të një morali që vetë nuk e kishin kur erdhën në pushtet, por që tani ja predikojnë atyre që ua thonë të vërtetën në sy!
Kur Musai (alejhi selam) u përball me Faraonin dhe të pavërtetën e tij, nuk e bëri këtë se kërkonte pushtetin e Faraonit, ai donte vetëm lirinë e popullit të tij dhe ngadhënjimin e së vërtetës, por tirani i trembej pikërisht rënies së pushtetit të tij, ndaj e përçmoi dhe intimidoi Musain, që i tha të vërtetën në sy, dhe pretendoi se ai ishte më i mirë se Musai, sepse ai nuk merrej vesh kur fliste!
Edhe sot kur dikush të thotë të vërtetën në sy edhe në publik, pasi ta ka thënë shumë herë në privat dhe me të butë, për të intimiduar në sytë e njerëzve të akuzojnë se e bën për post dhe pushtet!
Verbëria që shkakton pushteti, i bën njerëzit të sillen si tiranë, dhe forcës së të vërtetës dhe logjikës së argumenteve t’i përgjigjen me logjikën e forcës së pushtetit. Për ta nuk ka rëndësi e vërteta, por bindja ndaj autoritetit të tyre, sepse ata janë vetë “e vërteta” që nuk ka nevojë për argumente!
Dhe Faraoni nuk u mjaftua me kaq, ai se mori seriozisht asnjëherë të vërtetën e Musait (alejhi selam), por e përndoqi atë dhe ndjekësit e tij deri në fund, si të ishin kriminelë! Dhe ajo e vërtetë që ai e nënvleftësoi e mbyti atë në zullumin e tij.
Kështu dhe çdo faraon apo grup faraonik, do të mbyten një ditë, herët ose vonë, në detin e padrejtësive, amoralitetit dhe ilegjitimitetit të tyre, bashkë me moralin e tyre fals.
Allahu ju ardhtë hakut zullumqarëve dhe i ndriçoftë të verbrit!
Justinian Topulli
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit