Punësimi i 43 punëtorëve të rinj gjatë vitit 2014 në Televizionin e Kosovës, në bazë të të dhënave të Raportit vjetor dhe atij financiar të RTK-së, i ka kushtuar mediumit publik shpenzime në paga në vlerë prej rreth një milion eurosh.
Kjo, pasi ky medium në vitin 2013 ka paguar rreth 6 milionë euro për paga dhe mëditje për 655 punëtorë, ndërsa më 2014 ka paguar rreth 7 milionë për 698 punëtorë, shkruan sot Koha Ditore.
Dallimi në shpenzime për paga është paraqitur në Raportin financiar, i cili u është dorëzuar deputetëve javën e kaluar, ndërsa dallimi në numrin e të punësuarve me kontrata të rregullta është paraqitur në Raportin vjetor të këtij mediumi publik, që po ashtu është dorëzuar në Kuvend. Të dyja këto dokumente i ka gazeta.
Në pjesën ku flitet për burime njerëzore, në Raportin vjetor, menaxhmenti i RTK-së ka pohuar se nga 16 dhjetori i vitit 2013 deri në fund të dhjetorit të vitit 2014, janë shpallur konkurse për 54 pozita, katër prej të cilave interne. Në të janë dhënë diagrame dhe tabela për numrin e të punësuarve në janar dhe në dhjetor të vitit 2014. kohaislame