13.8 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

Interesi qiellor dhe ai tokësor

Më të lexuarat

Pikëpamjet materialiste mbi jetën njerëzore dhe në veçanti ajo marksiste, e kanë reduktuar thelbin e veprimit njerëzor tek interesi material. Aq shumë është ngulitur ky koncept tek njerëzit dhe aq shumë është përhapur, saqë shpesh gjen edhe besimtarë të përshpirtshëm të mendojnë kështu, duke gjykuar veprimet e njerëzve me këto syze ideologjike, shpesh edhe pa e kuptuar. Por ky keqvështrim, që e shikon materien si burimin e vetëm dhe thelbësor të aktivitetit njerëzor, nuk përfshin vetëm leximin e veprimtarisë së të tjerëve, por jo rrallë edhe një pjesë të veprimtarisë së vetë këtyre njerëzve, të cilët në thelb besojnë tek ekzistenca e shpirtit dhe e botës tjetër. Një nga këto veprimtari, obligative për një besimtar, është edhe ndryshimi i së ligës dhe lartësimi i së mirës.

Ne si besimtar jemi urdhëruar që të përpiqemi të ndryshojmë të keqen dhe nxisim të mirën, me atë mjet që kemi mundësi, dhe jemi urdhëruar gjithashtu që krahas qëllimit të pastër që duhet të motivojë këtë veprim tonin, rruga e ndjekur të jetë ajo të cilën na mëson Zoti. Pra sinqeriteti dhe saktësia e rrugës së ndjekur. Përtej këtyre dy elementëve, nga ne nuk kërkohet asgjë e tretë. Nuk kërkohet nga ne që të jemi përgjegjës për efektivitetin në terren të asaj që do të ndodhë, dhe të fajësojmë vetveten për diçka që nuk është në dorën tonë. Njerëzit gabojnë kur mendojnë dhe gjykojnë se vërtetësia e drejtësia ose jo e një kauze apo veprimtarie vendoset gjithmonë nga ngjarjet në terren dhe se koha është përherë peshorja e vetme e cila mat vërtetësinë e gjërave. Jo. Vërtetësinë dhe drejtësinë e ndan vetëm Krijuesi dhe në mënyrë absolute kjo do të ndodh vetëm në botën tjetër dhe jo domosdoshmërish në çdo rast edhe në këtë botë. Ka kaq shumë shembuj nga Kurani dhe tradita profetike, madje edhe për popujt dhe profetët e mëparshëm, të cilat sanksionojnë qartë se suksesi, drejtësia dhe vërtetësia e parimeve dhe praktikës së njerëzve në këtë botë varen pikërisht nga sinqeriteti dhe saktësia e rrugës së ndjekur dhe jo nga rezultati në terren, i cili shpesh, për shumë njerëz, mund të jetë zhgënjyes.

Natyrisht që është njerëzore që çdo njeri i drejtë dhe i vërtetë të kërkojë dhe këmbëngul për suksesin e së mirës që në këtë botë, dhe të ndjehet keq kur ajo nuk përmbushet, pas gjithë përpjekjeve të tij. I tillë ndjehej shpesh edhe Profeti (aleji salatu ue selam) në Mekë, kur shihte se njerëzit nuk ndryshonin, por po ashtu si ai edhe ne kemi nevojë për këshillat hyjnore të Allahut, i Cili na qartëson se suksesi i parimeve dhe së vërtetës që ne mbartim nuk është në dorën tonë për të përcaktuar kohën e suksesit të tyre. Obligimi ynë është përpjekja e duhur, ndërsa rezultati do të vijë në kohën, momentin dhe vendin e duhur.

Ne do të merremi në përgjegjësi pikërisht për veprimin ose mosveprimin tonë, për pastërtinë e qëllimit dhe rrugën e ndjekur, por jo për rezultatin, i cili është vetëm në dorë të Zotit. Nëse ky botëvështrim fetar është i qartë, atëherë nuk ka aspak vend për stepje, hezitim, ngurrim dhe tërheqje nga betejat me të keqen dhe lufta për lartësimin e së mirës. Jeta e kësaj bote e tillë është me beteja që fitohen dhe humben, por një besimtar që synon të mirën dhe përpiqet maksimalisht për të, do të jetë i fituari moral i çdo beteje dhe i asaj përfundimtare, ditën kur do të dal para Krijuesit të tij.
Kështu që nëse kërkojmë kënaqësinë e qiellit, do të kemi edhe kënaqësinë e tokës, por nëse kërkojmë vetëm suksesin dhe kënaqësinë e tokës, mund ta humbim edhe atë qiellit edhe të tokës së bashku.

Hoxhë Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit