Sot është dita e dytë e bllokimit të fluturimeve në aeroportin e Rinasit për shkak të revoltës së kontrollorëve të kompanisë “AlbControl”. Ka shkuar në 24 numri i personave që janë shoqëruar nga Policia e Shtetit pasi Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për situatën e krijuar nga dita e djeshme në aeroportin e Rinasit.
Teksa nuk ka ende asnjë zgjidhje për situatën e krijuar në Aeroportin e Rinasit, TIA ka njoftuar në faqen zyrtare anulimin e fluturimeve të paradites së sotme, transmeton TCH.
Pas kallëzimit që Albcontrol bëri ndaj disa emrave konkretë të kontrollorëve të trafikut ajror në Rinas që mendohet se nxitën bllokimin e punës në Rinas, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet.
Pasditen e një dite më parë, ushtria dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë zbarkuan në Rinas, ndërsa Forcat e Armatosura morën nën kontroll aeroportin.
Shumica qe kontrollorëve të trafikut ajror kanë ndaluar punën ditën e djeshme se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe kanë deklaruar paaftësi për punë.
Kërkesat e kontrollorëve janë:
Rikthim i kolegëve në punë;
Shfuqizim i vendimeve të bordit;
Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive;
Transparencë financiare e plotë për vitin 2020;
Një anëtar sindikate të jetë anëtar bordi.
Për këtë ngjarje të rëndë pati reagime shumë të ashpra nga autoritetet shtetërore. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e kanë cilësuar si një grusht shteti të nxitur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe presidenti Ilir Meta.
Kryeministri ditën e djeshme u bëri thirrje kontrollorëve që t’i rikthen punës. Në lidhje me këtë çështje edhe presidenti Meta tha se kontrollorët duhet të nisin punën dhe të mos e ndërpresin atë, ndërsa bëri thirrje që të uleshin në dialog për të zgjidhur këto tensione.