Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, do të zhvillojë të martën një vizitë zyrtare njëditore në Iran.
Në dalje publike rreth kësaj vizite, zëdhënësi i Presidencës turke, Ibrahim Kalin, bëri me dije se Presidenti Erdogan në Teheran do të ritheksojë sërish se ngjarjet në Irak, Siri dhe Jemen nuk kanë asnjë aspekt të pranueshëm, si dhe që të gjitha shtetet e rajonit, përfshirë Iranin, duhet të marrin përgjegjësi për këtë çështje.
Sa i përket lajmeve në lidhje me një letër, që disa deputetë iranianë i kanë dërguar Presidentit Hassan Rouhani rreth vizitës së Erdoganit, zëdhënësi Kalin u shpreh me këto fjalë: “Në vend që të bëjnë populizëm, deputetët iranianë duhet të punojnë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Ai nënvizoi gjithashtu se Presidenti Erdogan do të përsërisë në Teheran opinionin e tij se konfliktet me bazë sektare nuk duhet të vendosin popujt e rajonit përballë njëri-tjetrit.
Nga ana tjetër, pasi nënvizoi se marrëveshja kornizë në lidhje me programin bërthamor iranian, arritur javën e kaluar në Lozanë të Zvicrës ndërmjet Iranit dhe grupit P5+1 (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania, Franca, Kina, Rusia dhe Gjermania), është pritur me shumë kënaqësi nga Turqia; Ibrahim Kalin u rikujtoi gazetarëve të pranishëm në sallën e konferencës për shtyp se Ankaraja ka mbrojtur që prej fillimit idenë e zgjidhjes së problemit me anë të negociatave.
“Turqia dhe Irani kanë një vëllim tregtar të shumanshëm, prandaj heqja e embargove ndaj Iranit i intereson në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe ekonomisë turke”, shtoi ai.
Gjatë vizitës njëditore në Iran, Presidenti Erdogan do të shoqërohet edhe nga disa ministra.
Sipas programit të publikuar nga Presidenca e Republikës së Turqisë, Erdogan do të marrë pjesë në Mbledhjen e 2-të të Bashkëpunimit Strategjik me Nivel të Lartë Turqi-Iran; si dhe do të shqyrtojë me homologun Rouhani të gjitha detajet e marrëdhënieve dypalëshe.
Në këtë vizitë, gjatë të cilës pritet të vlerësohen gjithashtu zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, Presidenti Erdogan parashikohet të ketë një takim edhe me liderin suprem iranian, Ali Khamanei.kohaislame