1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Dhjetë ditët e Dhul-hixhes

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e të gjitha botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje e çdo lajthitje të çon në zjarr.

Të nderuar besimtarë!
Kini frikë Allahun e Lartësuar, Krijuesin e gjithësisë, i Cili krijoi çdo gjë dhe zgjedhjen e bëri sipas dëshirës.
I Lartësuari Allah krijoi qiejt dhe zgjodhi qiellin e shtatë. Krijoi xhenetet dhe zgjodhi Firdeusin. Krijoi melaiket dhe prej tyre veçoi Xhibrilin, Mikailin, Israfilin. Krijoi njerëzit, por prej tyre përzgjodhi besimtarët, prej besimtarëve dalloi Pejgamberët dhe prej të Dërguarve cilësoi lart të Dërguarin e fundit, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mëshirë për mbarë njerëzimin.
Allahu e krijoi tokën, por Mekën e Bekuar e bëri të Shenjtë. Ai krijoi ditët dhe netët, por dalloi muajin e Ramazanit në mesin e muajve, ditën e xhuma prej ditëve të tjera, kurse prej dhjetësheve dhjetë ditët e para të muajit Dhul-hixhe.
Muaji Dhul-hixhe është njëri ndër muajt e shenjtë të cilësuar nga Allahu i Lartësuar qëkur u krijuan qiejt dhe toka. Krijuesi i Madhëruar thotë:

إِنَّ عِدَّةَ الشُّهُورِ عِنْدَ اللَّهِ اثْنَا عَشَرَ شَهْرًا فِي كِتَابِ اللَّهِ يَوْمَ خَلَقَ السَّمَوَاتِ وَالأَرْضَ مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ذَلِكَ الدِّينُ الْقَيِّمُ فَلا تَظْلِمُوا فِيهِنَّ أَنْفُسَكُمْ

“Vërtet që numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë muaj në vit, ashtu siç u urdhërua nga Allahu ditën kur Ai krijoi qiejt dhe tokën; nga këta, katër janë të shenjtë. Kjo është feja e drejtë dhe mos i bëni padrejtësi vetes suaj në ta dhe luftoni kundër mushrikëve të bashkuar siç ju luftojnë edhe ata juve të bashkuar, por dijeni se Allahu është me muttekunët 
(të përkushtuarit ndaj Allahut në besimin e pastër islam).” (Teube, 36)

Po ashtu, edhe Muhamedi salallahu alejhi ue selem na tregoi muajt e shenjtë duke na treguar:

إِنَّ الزَّمَانَ قَدْ اسْتَدَارَ كَهَيْئَتِهِ يَوْمَ خَلَقَ اللَّهُ السَّمَوَاتِ وَالْأَرْضَ السَّنَةُ اثْنَا عَشَرَ شَهْرًا مِنْهَا أَرْبَعَةٌ حُرُمٌ ثَلَاثٌ مُتَوَالِيَاتٌ ذُو الْقَعْدَةِ وَذُو الْحِجَّةِ وَالْمُحَرَّمُ وَرَجَبُ ‏ ‏مُضَرَ ‏ ‏الَّذِي بَيْنَ جُمَادَى وَشَعْبَانَ.

“Viti e bën rrotullimin në një formë të njëjtë që kur Allahu krijoi qiejt dhe tokën, viti ka dymbëdhjetë muaj dhe katër prej tyre janë të shenjtë, tre janë (vijnë) radhazi, si: dhilkade, dhilhixhe dhe muharrem, ndërsa rexhebi gjendet mes xhumades dhe shabanit.”
 (Transmeton Buhariu)

Të nderuar muslimanë!
Dhjetë ditët e muajit hënor të Dhul-hixhes kanë vlerë të madhe tek Allahu i Lartësuar, sepse është një dhjetëshe e bekuar. Allahu i Lartësuar betohet për ditët dhe netët duke thënë:

وَالْفَجْرِ. وَلَيَالٍ عَشْرٍ. وَالشَّفْعِ وَالْوَتْرِ.

“Pasha agimin! Pasha dhjetë netët! Pasha çiftin dhe pasha tekun!” (Fexhr, 1-3)
Mendimi i shumicës së ulemave është se dhjetë netët për të cilët Allahu betohet këtu janë dhjetë netët e Dhul-hixhes. Nga Suneti mësojmë se Muahmedi salallahu alejhi ue selem ka thënë:

ما العمل في أيام أفضل من هذه العشر” قالوا: ولا الجهاد؟ قال: “ولا الجهاد إلا رجلٌ خرج يخاطر بنفسه وماله فلم يرجع بشيء

“Nuk ka ditë në të cilat vepra e mirë është më e dashur tek Allahu sesa në këtë ditë (të Dhul-hixhes).” I thanë: “As xhihadi?” Tha: “As xhihadi, përveç nëse del ndokush vetë dhe me pasurinë e vet dhe nuk kthehet me asgjë.” (Transmeton Buhariu)
Po ashtu, Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë:

ما من أيام أعظم عند الله سبحانه ولا أحب إليه العمل فيهن من هذه الأيام العشر. فأكثروا فيهن من التهليل والتكبير والتحميد

“Nuk ka ditë që vepra të jetë më madhështore dhe më e dashur tek Allahu sesa këto dhjetë ditë, prandaj sa më shumë shqiptoni tehlil (La ilahe il-lall-llah), tekbir (Allahu ekber) dhe tahmid (El-hamdu lil-lah).” (Transmeton Ahmedi)

Të nderuar besimtarë!
Le t’i kujtojmë së bashku disa veprime që mund t’i bëjmë dhe me anë të tyre të fitojmë kënaqësinë dhe faljen e Allahut të Lartësuar:
-pendimi nga të gjitha gjynahet (teube), sepse mëkatet janë shkak i largimit nga mëshira e Allahut;
-shtimi i veprave të mira, i ibadeteve të tjera vullnetare, i urdhërimit në të mirë dhe i ndalimit nga e keqja;
-kryerja e haxhit, që është ndër veprat më të mira;
-madhërimi i Allahut të Lartësuar në këto ditë është ndër adhurimet më të dashura tek Allahu i Lartësuar;
-agjërimi i Ditës së Arafatit, me të cilën Allahu i Lartësuar i fal mëkatet e dy viteve. Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë:

صيام يوم عرفه أحتسب على الله أنه يكفر السنة التي قبله والسنة التي بعده

“Agjërimi i ditës së Arafatit, shpresoj se Allahu për të i fal mëkatet e një viti para dhe të një viti pas.” (Transmeton Muslimi)

Të nderuar besimtarë!
Shfrytëzojini këto ditë me adhurimet e ndryshme. Vetëm me këto porosi dhe këshilla do ta fitoni mëshirën dhe kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.

Përgatiti: Ulvi Fejullahu
7.12.2007

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit