Ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Vesel Krasniqi tha se ashtu si në të kaluarën edhe gjatë periudhës së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) vazhdojnë marrëdhëniet e mira me Turqinë.
Krasniqi në deklaratën për Anadolu Agency (AA) foli për periudhën gjatë pandemisë së COVID-19, masat e ndërmarra për rimëkëmbjen e ekonomisë si dhe marrëdhëniet tregtare me Turqinë gjatë kësaj periudhe.
Ai tha se në kohën e pandemisë importi ka qenë në rritje duke pasur parasysh edhe faktin e taksës 100 për qind që zbatohej deri në muajin prill ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. “Është e vërtetë se ne me shtetin turk kemi pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë edhe në të kaluarën, sidomos në kohën e pandemisë”, u shpreh ai.
Krasniqi duke rikujtuar se javën e parë kur ka ardhur në detyrë ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Prishtinë, Çağrı Sakar tha se “Kemi biseduar për marrëveshjen (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis Kosovës dhe Turqisë) të cilën e kemi bërë. Po ashtu edhe për mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen në fushën e ekonomisë së vendit duke krijuar biznese të reja nga shteti turk këtu në Kosovë”.
Ai shprehu mendimin se të dyja shtetet do ta rrisin frymën e bashkëpunimit që kanë pasur çdo herë.
“Ne e dimë mirë që Turqia edhe në kushte të jashtëzakonshme i ka dalë në ndihmë Kosovës. Duke filluar nga lufta, në rindërtim, pastaj në zhvillim të vendit, tash vazhdon të mbështetë edhe me investime në fushën e ekonomisë. Ligji (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë midis Kosovës dhe Turqisë) i cili me të vërtet është lehtësim për të dyja vendet do të thotë sidomos bizneset të cilat furnizimet kryesore i bëjnë në shtetin e Turqisë po jep hapësirë që të proklamohen produktet tona vendore në shtetin e Turqisë si dhe produktet e Turqisë në shtetin tonë”, thotë ministri Krasniqi.
“Qeveria e Kosovës ka marrë dy hapa kundër ndikimeve të COVID-19 në ekonomi”
Sa i përket pandemisë, vazhdon ai, në Kosovë ashtu si në gjithë botën ka ndikuar uljen e zhvillimit ekonomik, duke treguar se Qeveria e Kosovës ka marrë dy hapa.
Sipas tij, në hapin e parë është faza emergjente ose programi emergjent fiskal me të cilin janë në fazën përfundimtare të zbatimit, që parasheh një ndihmë prej afër 180 milionë euro për vitin 2020.
“Pastaj është faza e dytë, lidhur me programin e rimëkëmbjes së ekonomisë së vendit. Kjo ka vlerën diku 1.2 miliardë euro. Kjo pritet zakonisht të zbatohet gjatë vitit 2021. Ne mendojmë se në ketë rast diku rreth 70 për qind e bizneseve do të kenë mundësinë të ndihmohen nga dora e shtetit dhe në ketë rast do të jetë një lloj lehtësie që ata të jenë likuid apo rentabil në biznesin e tyre”, u shpreh Krasniqi.
“Shumë kompani nga Evropa dhe Azia duan të investojnë në Kosovë”
Sa i përket investitorëve të huaj, Krasniqi potencoi se kanë një ligj, i quajtur Ligji për Investime Strategjike i cili ofron shumë mundësi të mira për investitorët e huaj.
Ai konsideron se shumë kompani nga Evropa dhe Azia duan të investojnë në Kosovë.
“Jemi të gatshëm të ofrojmë kushte dhe mundësi të ushtrimit të biznesit këtu në Kosovë. Në kuadër të ligjit për investime strategjike sigurohet hapësira, do të thotë për investitorët që janë mbi 10 milionë euro jepet vendi në shfrytëzim për 99 vite. Pastaj janë disa lirime të taksave, tatimeve në kuadër të bërjes së biznesit. Gjithashtu është tjetra që duhet të vlerësohet se Kosova ka një fuqi punëtore që është më e reja ne Evropë dhe është më e lira në Evropë. Andaj janë shumë favore të cilat u mundësojnë dhe janë në favor te bizneseve të huaja që të vijnë të investojnë në Kosovë”, theksoi Krasniqi.
Sipas informacionit të Doganës së Kosovës, në muajt prill dhe maj, kur ishin në fuqi masat kundër pandemisë së COVID-19, Turqia u radhit në vend të parë në mesin e vendeve që Kosova ka eksportuar më së shumti.
Kosova gjatë muajve prill-maj eksportoi mallra në vlerë prej 1 milion euro në Turqi dhe importoi 51,1 milionë euro mallra nga Turqia. Gjatë kësaj periudhe më së shumti importoi mjete dhe pjesë elektronike, pjesë të makinave, tekstil, rroba të gatshme dhe plastikë.
Marrëveshja për tregti të lirë midis Kosovës dhe Turqisë ka hyrë në fuqi vitin e kaluar.