Flutra Zymi që dy herë është duke ia mësyer sheshit për të protestuar, herën e parë ishte duke protestuar kundër Qeverisë Hoti, dhe sot është parë duke kundërshtuar pengimin e shprehjes së lirë në Kosovë, për të cilën është marë në pyetje edhe nga policia. Regjisorja Zymi ka thënë për KultPlus se nuk do të ndalet duke protestuar, deri në momentin se kur do ti kthehet e drejta qytetarëve për të votuar. Ajo në këtë intervistë ka treguar edhe për hezitimin e komunitetit artistik që të përfshihen në protesta, dhe sipas saj, ky komunitet është më i pa zëshmi ndaj cdo padrjetësie që i është bërë këtij vendi.
KultPlus: Jeni parë në protestë duke kundërshtuar keqpërdorimin e votës suaj dhe jeni duke kërkuar zgjedhje, pse mendoni se keni të drejtë për këtë kërkesë?
Flutra Zymi: Kur mbahen zgjedhjet në një shtet, atëherë edhe kandidohen individ për pozitën e Kryeministrit, dhe secili paraqet vizionin udhëheqës dhe planprogramin qeverisës dhe premtimet, këto informata janë bazë për standardet e vizionit se si unë do doja të jetë shteti që jetoj, dhe në bazë të kësaj, unë vendosi për votën time, e sidomos kur kësaj radhe kishim edhe një grua, që për herë të parë në Kosovë u kandidua për Kryeministre.
Deri më tani, gjatë këtyre viteve në Kosove niveli i kandidaturës për qeverisje të shtetit të Kosovës ka qenë shumë i ultë me standardet që unë i pres në pozitat kyçe në shtet, por Vjosa dhe Albini ishin një shpresë, me një standard europian të përgatitur, dhe për herë të parë kisha shpresë që do ketë standard të pritshmërive, dhe këtë shpresë ma dhanë zgjedhjet e fundit.
Dhe tani pas mocionit, dhe vendimit te Gjykatës Kushtetuese, të drejtën për të formuar Qeverinë e mori LDK, dhe pikërisht Qeveria Hoti është në kundërshtim me votën time dhe të të gjithë votueseve të tjerë që mbështetën këto dy parti, si parti fituese, pra është në kundërshtim me premtimet që i dhanë në fushatë zgjedhore, po ashtu as personi i kandiduar për kryeministër më nuk është në këtë përbërje, e kjo është pika kyçe për të cilën ka votuar edhe elektorati. Mos harroni, këto dy parti i humbën katër muaj duke pas probleme se si të krijojnë koalicion, dhe tani Qeveria Hoti arriti ta krijoj për 24 orë koalicionin me Listën Srpska dhe AAK, Nisma, pa e diskutuar as pozitën e Presidentit, që ishte shumë problem për LDK-në në koalicion me LVV, a nuk është kjo e çuditshme.
KultPlus: Edhe ditën kur u votua Qeveria e Kosovës, por edhe sot keni dalë në protestë, do të vazhdoni me protesta të tilla?
Flutra Zymi: Ditën që u formua Qeveria Hoti, isha në protestë, sepse kjo Qeveri ishte duke u formuar me manipulimin e votës time si qytetare, nëse edhe njëherë i rishikojmë të gjitha premtimet gjatë fushatës zgjedhore dhe kjo që kemi tash, gjithçka është në kundërshtim me atë që premtuan, dhe prapë është e çuditshme , sepse pas çdo rrëzimi të koalicionit, ne gjithmonë kemi shkuar në zgjedhje, kjo është hera e parë që në Kosovë krijohet një qeveri komplet tjetër me votën time për premtime tjera, kjo është shkelje e demokracisë.
Ndërsa sot protestova, sepse u tmerrova kur pash një video ku një qytetar në kalim e sipër e jep një mendim me zë të lartë, kuptohet negativ ndaj Presidentit, ku e quan hajn, dhe truprojat e Presidentit e sulmojnë fizikisht dhe ai arrestohet nga policët. U tmerrova se si dikush sulmohet fizikisht për një mendim të lirë, dhe kur ndodh kjo atëherë nuk kemi demokraci në shtet por dhunë që të frikëson për mendim ndryshe.
Unë nuk mundem si qytetare të qëndroj e heshtur pas gjithë kësaj çka po ndodh në Kosovë me vite, dhe do të vazhdoj të protestoj në forma të ndryshme, deri sa vendit do ti kthehet e drejta e qytetarëve për të votuar.
KultPlus: Sot hasët në pengesë nga Policia e Kosovës, çfarë ndodhi?
Flutra Zymi: U afruan të më pyesin se çka po bëj, ju tregova që po protestoj për të drejtën e mendimit të lirë, po ashtu ju tregova se si në vitin 1997, njëherë kam brohoritur demokraci dhe forcat policore serbe më kishin goditur, dhe ju thashë policëve të Kosovës se një gjë e tillë nuk dëshiroj të ndodhë edhe sot për qytetarët e Kosovës. Pastaj policët e Kuvendit e lajmëruan rastin, erdhën disa policë të tjerë, të cilët më parashtruan shumë pyetje, po ajo që më pengoi ishte njëra nga pyetjet se në cilën parti jam. Por kjo pyetje tregon shumë, sepse mendojnë që vetëm anëtarët e partive protestojnë, dhe jo një qytetarë. Duhet ta kuptojnë ata se ka qytetarë që e mbrojnë të drejtën e vetë, sepse votojnë për të mirën e vendit, e jo vetëm për interesa personale apo partiake.
KultPlus: Megjithatë nuk jeni parë të jeni e shoqëruar nga artistë apo regjisorë të tjerë, ndiheni mirë të jeni vetëm në këto protesta?
Flutra Zymi: Me një lule nuk qel pranvera, normal që sa më shumë të jemi aq më mirë. Sa i përket komunitetit artistik, ata janë të heshtur për çdo padrejtësi që ndodh, pra asnjëherë në mënyrë të hapur nuk di që kanë kundërshtuar, e sidomos aq me pak kundër figurave të larta politike. Unë ndjehem e dëshpëruar nga ky aspekt me komunitetin artistik, por me siguri edhe karriera e tyre varet nga politika, pra nuk rrezikojnë, e çuditshme sepse arti i artistit të vërtetë është vetë lira.
Ndërkohë, po nga ky komunitet kemi shfaqje, filma, vepra të ndryshme, që prekin disa tema, por këto përpjekje, unë nuk i shoh si rezistencë, por si krijimtari në bazë të përfitimi në temën ku preket politika.
KultPlus: A mendoni se edhe shumë të tjerë mendojnë si ju, por ju mungon guximi?
Flutra Zymi: Gjithsesi ka shume qytetarë që mendojnë njëjtë dhe kemi të njëjtat halle, por partitë politike, sidomos ato që qeverisën gjatë, kanë përdorë një strategji ku populli është hipnotizuar me dyshime, sepse debatet politike në Kosove kanë kontribuar shumë në aso debate që të shpërlajnë trurin, pastaj është strategjia tjetër që në Kosovë është përdorë shumë nepotizmi, dhe e fundit por më e rrezikshmja, këta politikanë kanë punuar shumë që qytetarin e Kosovës, nga një qytetar aktiv ta shndërrojnë në një qytetar të lodhur, të cilët shpesh herë janë të gatshëm të pajtohen me çfarëdo që ju ofrohet.
Por duke u bazuar në atë se guximi kosovarëve nuk ju ka munguar asnjëherë, kam shpresë që së shpejti do jemi të gjithë së bashku kundër të pa drejtës që po ndodh në këtë vend.
KultPlus: Sa është e vështirë të protestohet në Kosovë?
Flutra Zymi: Nuk është e vështirë, por mungon vullneti qytetarë, por me këtë qeverinë e tanishme nuk di se si do ti pranojnë protestat, presim të shohim në ditët në vijim.
KultPlus: A të ka shkruar ndokush që të ndalësh këtë protestë?
Flutra Zymi: Jo, sepse askush nuk e di që po shkoj për protesta, që jam duke i bërë në mënyrën time, por ka njerëz të afërt që më kritikojnë nga frika që mund edhe të më ndodhë diçka e keqe.
KultPlus: Sa jeni optimiste që ëndrrat apo kërkesat e tua të bëhen realitet?
Flutra Zymi: Kësaj pyetje po i përgjigjem kështu: Vlera e veprave të Mozartit u bë realitet pas vdekjes së tij, përderi sa kur Mozarti vdiq, atë e vorrosën në gropën masive ku varroseshin të varfërit.