-4.3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Bëhu i kënaqur me atë që të ka dhënë Allahu, do të jesh njeriu më i pasur!

Më të lexuarat

Allahu e ka ndarë furnizimin dhe begatitë e tjera midis njerëzve. Dikush fizikisht është i fortë, por është i varfër, dikush është inteligjent, por me shëndet të dobët, dikush është i pasur, por nuk ka fëmijë, disave Allahu nuk ju jep fëmijë meshkuj, kurse ju jep fëmijë femra, e të ngjashme.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Vallë, a mos e ndajnë ata mëshirën e Zotit tënd? Na, furnizimin e kësaj jete e kemi ndarë, në mes tyre dhe i ngritëm disa mbi të tjerët me shkallë (për nga pozita dhe malli), që disa t’u shërbejnë të tjerëve, e mëshira e Zotit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata.” (ez-Zuhruf, 32)

Allahu nuk e ka harruar dhe nuk e ka lënë as një milingonë të vogël pa ia caktuar nafakën, atëherë, pse ne duhet të kemi frikë për nafakën, nëse e dimë se nuk do të vdesim para se të shpenzohet nafaka jonë.

Imam Shafiu ka thënë: Krenaria dhe reputacioni janë tek tri gjëra: tek devotshmëria në vetmi, tek ndarja në varfëri dhe tek thënia e së vërtetës para atij prej të cilit shpreson shpërblim dhe nderim dhe nga ndëshkimi i të cilit ke frikë.

Pak njerëz i posedojnë këto cilësi, por kjo është dëshmi e besimit të sinqert, e devotshmërisë dhe njohjes së fuqisë, mëshirës dhe ​​mirësisë së Allahut, si dhe e begative të pakufishme të cilat Ai ua ka dhuruar njerëzve.

Imam Dhehebiu në veprën e tij Sijerul-e’alamin-nubela’, ka regjistruar tregimin për një njeri të quajtur Ebu Kilabe, që përndryshe ishte mufesir, i cili në një nga udhëtimet e tij, kishte kaluar pranë një tende të vjetër, dhe kishte hyrë brenda për të parë nëse kishte dikush në tendë. Në tendë brenda e gjeti një plak të verbër, i cili ishte i mbështjellë me një mantel të vjetër dhe e dëgjoi duke përsëritur të njëjtat fjalë: Faleminderit Allahut që më ka dalluar me shumë begati mbi njerëzit e tjerë!

Ebu Kilabe rrëfen: “Hyra brenda tek ai dhe i dhashë selam, edhe ai ma ktheu selamin.

Unë i thashë: ‘Unë jam një udhëtar dhe ty të gjeta pranë tendës sate dhe i dëgjova fjalët që po i përsërisësh, të cilat më mahnitën.

Ai më pyeti: Cilat janë ato fjalë?

Unë i thashë: Faleminderit Allahut që më ka dalluar me shumë begati mbi njerëzit e tjerë!

Vëlla i dashur, ti nuk ke pasuri, nuk ke fëmijë, nuk ke shtëpi, nuk ke shëndet, je i verbër, atëherë, me çka të ka dalluar ty Allahu?

Ai më tha: Ulu dhe unë do të tregoj. A nuk më dha Allahu dëgjimin?

Unë u përgjigja: Po.

Ai më pas më pyeti: Po sa njerëz ka që janë të shurdhër dhe Allahu i ka privuar nga begatia e të dëgjuarit?’

Shumë – u përgjigja unë.

Ai tha: Faleminderit Allahut që më ka dalluar me begatinë e dëgjimit mbi të gjithë ata.

Pastaj, ai më pyeti: A nuk më dha Allahu mua gjuhën dhe fuqinë e të folurit?

Po – u përgjigja unë.

Ai tha: Po sa ka, të cilët nuk kanë mundësi që të flasin?

Shumë – u përgjigja unë.

Kurse ai më tha: Faleminderit Allahut që më ka dalluar mbi të gjithë ata të cilët i ka privuar nga kjo begati.

Pastaj më pyeti: A nuk më ka dhënë Allahu mendjen?

Po – i thashë unë.

Kurse ai më tha: Po sa njerëz ka, që nuk kanë mendje?

Shumë – i thashë unë.

Kurse ai tha: Faleminderit Allahut që më ka dalluar mbi të gjithë ata mua.

Atëherë ai e pyeti: A nuk më ka bërë Allahu mua musliman?

Po – i thashë unë.

Kurse ai më pyeti: Po sa njerëz ka, që enden të devijuar?

Shumë – i thashë unë.

Kurse ai tha: Faleminderit Allahut që më ka dhuruar begatinë e udhëzimit dhe më ka dalluar mbi shumë njerëz.

Besimtari musliman gjithnjë duhet të mendojë për madhësinë e begative të cilat i posedon, dhe jo për ato që nuk i posedon, dhe pastaj të demoralizohet, të bëhet mosmirënjohës ndaj Allahut dhe ziliqar ndaj njerëzve.

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit