Sot nga IKSHP u realizuan 138 testime të qytetarëve tanë. Rezultati që morëm sot është 0 raste pozitive.
Këtë lajm e ka bërë të ditur ministri në detyrë i shëndetësisë, Arben Vitia.
Sot pra me 24 maj është dita e parë pas 13 marsit, kur rezultuan rastet e para me COVID-19, ku nuk rezulton asnjë i infektuar nga testimi.
Forca e madhe e vullnetit tuaj vajza e djem, burra e gra, mjeke e mjekë, infermiere e infermierë, policë e police, inspektore e inspektorë, e bëri të mundur këtë rezultat.
Kordinimi me Kryetarët e Komunave dhe degëve të Institutit e laboratorit, përkushtimi i vullnetarëve dhe vigjilenca e Klinikës infektive në trajtimin e rasteve e vendos Republikën e Kosovës në një situatë shpresëdhënëse përballë virusit.
Si në të gjitha vendet, edhe ne jemi futur në një normalitet të ri me të cilin duhet të mësohemi.
Distanca fizike, përdorimi i maskave, shmangja e tubimeve, janë të domosdoshme që ta fitojmë këtë betejë.
Çdo shkujdesje, shpërqendrim apo relaksim dhe kthim në zakonet si para virusit mund të na kushton, madje edhe rëndë.
Në anën tjetër për këta muaj, përmes fondeve të Qeverisë, ndihmës nga miqtë tanë, disporës e shumë organizatave kemi siguruar dhe po sigurojmë mjete të mjaftueshme dhe të domosdoshme për mbrojtje dhe rritje të kapaciteteve tona.
Vepruam bashkë dhe po fitojmë bashkë.
Të vazhdojmë të kujdesemi bashkë.