-0.2 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Kur të mund…hunda jote

Më të lexuarat

(Shënime për novelën “Hunda” të N.V.Gogolit)

Agim Baçi
Hunda…si mund të ishim pa të? Thuajse askush nuk arrin ta mendojë të ngrihet pa të, ashtu siç i ndodh asesorit të kolegjit, Kovaliovit, të novelës “Hunda” të N.V.Gogol. Aq më pak ta mendojmë se “hunda jonë” të shëtisë me një gradë më të lartë shoqërore sesa ajo që mbajmë ne në përditshmërinë tonë. Por, ja që personazhit të Gogolit, Kovaliovit, i ndodh e papritura- ngrihet në mëngjes dhe sheh që vendi mes dy faqesh, aty ku qëndron hunda, është bosh. Kërkesës së tij për ta shpallur të humbur në lajmërimet e gazetës së qytetit apo për ta denoncuar në polici nuk i përgjigjet askush. Sepse, për këdo “që e ka hundën në vendin e vet”, hunda nuk duhet dhe nuk mund të humbë. Apo, edhe në pastë mundësi të humbë, ajo është thjesht një gjë që i takon ta gjejë atij që i ka humbur. Por ja që Kovaliovit i shtohen sfidat, teksa ai vetë përballet me hundën e tij që shëtit nëpër qytet me gradën e këshilltarit të shtetit dhe nuk do t’ia dijë për të zotin, i cili kërkon gjithandej të gjejë komplotistin që i ka mbushur mendjen hundës që ta braktisë e të nisë një rrugë më vete…
“O perëndi! O perëndi! Ç’është ky mjerim që më goditi? Do të kish qenë më mirë po të isha pa këmbë ose pa duar; po të kisha qenë pa veshë, keq do të ishte, por prapë do ta duronja. Po njeriu pa hundë – dreqi ta marrë vesh se ç’është: është zog a s’është zog, është qytetar a s’është qytetar; merre e hidhe nga dritarja jashtë! Të paktën të ma kishin prerë në luftë ose në duel, ose ta kisha pasur fajin vetë. Po kështu…” ( Gogol, “Tregime dhe novela”, fragment nga “Hunda”)
Më shumë duket se diçka ka lidhje fillimisht me gradën e tij. Ai është asesor kolegji, por grada e tij, sipas nomenklaturës së kohës, duhet t’i përgjigjet gradës major. Por për shkak të një fisnikërie të trashëguar ai nuk e arrin këtë titull. Madje ai me veten mendon se meriton më shumë, mendon se duhet të ketë tituj me të lartë, duhet të jetë nënguvernator. Ky dyzim dëshirash, në pamje të parë krejt i vogël për çdo njeri të zakonshëm, nuk është i tillëjo vetëm për një ushtarak, por edhe për shumëkënd që vetëm ëndërron e nuk lexon asgjë rreth vetes dhe për veten. Por, shpesh, ngjarjet që vendosin shumë për këdo nga ne, për sjelljen, inatet dhe gëzimet tona, nisin pikërisht nga këto hendeqe, në pamje të parë, fare të vockla.
E më pas, ç’ndodh me ne nëse hunda na rritet nga ajo që mendojmë për veten, nga ajo që ushqejmë përmes egos sonë, përmes ëndrrave tona, përmes mendimeve që nuk na përputhen me atë ç’ka jemi realisht? A nuk e lidhin njerëzit krenarinë e dikujt tjetër me shprehjen që e thonë ashtu, si pa menduar, “hundë përpjetë”? A nuk duam t’i themi dikujt që po sillet me arrogancë se “i është rritur hunda”? A është historia e Pinokut një rrugëdrejtim për atë që duam të rrëfejmë kur gënjeshtrat peshojnë më shumë se gjithçka që kemi?
Asesori i kolegjit Kovaliov është pikërisht njeriu që “hunda ka më shumë kërkesa se vetë ai”. Egoja e tij është duke ëndërruar, duke ecur me një titull tjetër karriere, ç’ka nënkupton një rang tjetër shoqëror, një dëshirë për më shumë respekt dhe pushtet.
Kovaliov i Gogol-it është portreti grotesk i gjithë pamjes që krijon hendeku mes nesh dhe egos sonë. Është një hendek që ndodh kudo dhe kushton shumë, sepse është hendeku që rrezikojmë ta prekim të gjithë, sidomos nëse zgjedhim të jemi dikush tjetër nga ai që jemi, apo duke besuar se ajo që kemi nuk është për ne, e duke rrezikuar që ta shpërfillim, që të mos e vlerësojmë. Dhe ndodh që ta mendojmë kaq shumë, sa “edhe hunda jonë të na shpërfillë!”.
Por çfarë duhet të na ndodhënë jetë që ta dimë “masën e hundës sonë”? A mos duhet të turpërohemi që të besojmë se cilët jemi në të vërtetë? A duhet të këmbëngulim me gjithçka te ajo pjesë të ëndrrës të cilën nuk e arrijmë?
“….Pastaj u hap fjala se jo në Nevski Prospekt, por në Tavriçevski Sad kishte dalë shëtitje hunda e major Kovaliovit, se kjo hundë gjendej atje që në kohën e Hozrev- që ish çuditur aq shumë me këtë lojë të habitshme të natyrës. Atje shkuan disa studentë të Akademisë së Kirurgjisë. Një zonjë e nderuar nga shoqëria e lartë iu lut me anë të një letre administratorit të kopshtit që t’u tregonte fëmijëve të saj këtë fenomen të rrallë dhe t’u jepen të rinjve shpjegimet udhëzuese dhe edukuese… Por…në botë ngjasin shumë gjëra pa kuptim. Ngandonjëherë këto nuk i përshtaten aspak së vërtetës; përnjëherësh e njëjta hundë që shëtiste me gradën e këshilltarit të shtetit dhe kish bërë kaq potere në qytet, papritur, sikur të mos paskej ndodhur asgjë e gjeti vendin e saj, domethënë u fut midis të dy faqeve të major Kovaliovit…” (“Hunda”).
Një rrëfim që fillimisht na zbavit, me stilin elegant dhe me humorin. Përpjekjet e Kovaliovit na bëjnë për të qeshur. Por, më pas, duket se nuk i shpëtojmëedhe ne vetë një lëvizjeje të dorës: “A jemi në rregull me hundën tonë?”. Por për të gjetur një përgjigje, dorën nuk mjafton ta rrëshqasim mes faqeve, ku hunda ka vendin e vet, por në pjesën e pasme të kokës, ku besojmë se është truri ynë që duhet të arsyetojë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit