Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sot ka shënuar Ditën Botërore Kundër Kancerit.
Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, tha se gjatë vitit 2019 janë regjistruar 1 mijë e 586 raste të reja me kancer në Kosovë.
Duke i paraqitur në mënyrë tabelore, Kurtishi tha se dominon kanceri i gjirit dhe kanceri në mushkëri.
“30-35 gra në muaj janë diagnostikuar me kancer të gjirit. Brenda vitit janë paraqitur 378 raste të reja. Kanceri i mushkërive më së shumti ka prekur gjininë mashkullore, me një numër prej 228 rastesh”, tha Kurtishi.
Në bazë të regjistrave të punës, me kancer gastrointestinal janë paraqitur 352 raste, me kancer urogjenital/gjinekologjik 390, me kancer në kokë dhe qafë 237 dhe me kancer gastrointestinal 352 raste.
Gjatë vitit 2019, Klinika e Onkologjisë ka ofruar 217 mijë e 143 shërbime të kimioterapisë. Ndërsa, sa i përket radioterapisë, janë ofruar 26 mijë shërbime në kujdesin paliativ dhe kurativ.
“Klinika ka regjistruar 1586 raste të reja për vitin 2019, këtë vit dominon kanceri i gjirit, numri i grave qe vizitojnë klinikën është 30-35 vjeçare, dhe dominojnë gratë e moshës mbi 50 vjeçare. Pas kancerit të gjirit vjen kanceri i mushkërive i cili prek më shumë burrat e moshës mbi 50 vjeçare, e të cilët janë pacientë duhanpirës. Klinika e Onkologjisë, ka dhënë shërbime 217.143 mijë shërbime në Kimioterapi, rreth 26 mijë shërbime janë kryer në Radiografi. Numri i të prekurve me kancer në Kosovë është më i vogli në Rajon”, ka vazhduar më tej Kurtishi.
Nafije Latifi, themeluesja e shoqatës “Jeta Vita”, njëherësh edhe paciente që i mbijetoi kancerit, rrëfeu situatën, në të cilën gjendet një pacient me këtë sëmundje.
“E di se në çfarë situate kalon një pacient. Synimi jonë ka qenë vetëdijesimi i gratë. Është mirë të paraqiten te mjeku. Paraqitja e hershme e lehtëson trajtimin. Nëse realizohen synimet e Onkologjisë, atëherë pacientët do të jenë të kënaqur me trajtimin”, tha Latifi.
Çdo vit ka rreth 4.6 milionë raste të reja të kancerit diagnostikohen në Rajonin Evropian të OBSH-së dhe rreth 2.1 milionë njerëz vdesin nga kanceri, ndërsa në botë çdo vit 8.8 milionë njerëz vdesin nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 20 % e këtyre vdekjeve janë nga kanceri i mushkërive, rreth 12 % nga kanceri i zorrësh së trashë, nga kanceri i gjirit vdesin rreth 7%, 6% vdesin nga kanceri i pankreasit dhe rreth 5.7% nga kanceri në stomak.
Sipas Drejtorit Rajonal të OBSH-së për Evropën, kanceri i qafës së mitrës vret 28,000 gra.
Sipas OBSh-së, në të gjithë rajonin, rreziku i një individi për t’u prekur nga një lloj i kancerit gjatë jetës së tij ndryshon: në vendet e Evropës perëndimore ky rrezik është mbi 25%, në vendet e Evropës Lindore ai shkon nga 19% në 25%, dhe në vendet e Azisë Qendrore rreziku është midis 10% dhe 19%.
Sipas Organizatës, rreziku i vdekjes nga kanceri është mbi 12% në vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, dhe më i ulët – midis 9% dhe 12% – në vendet e Evropës Perëndimore.
OBSH paralajmëron se, nëse tendencat aktuale vazhdojnë, bota do të shohë një rritje prej 60% të rasteve të kancerit gjatë dy dekadave të ardhshme. Rritja më e madhe (përafërsisht 81%) në raste të reja do të ndodhë në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku nivelet e mbijetesës janë aktualisht më të ulëtat.