Listës së personave të prekur nga kanceri çdo ditë po i shtohen pacient të rinj. Në ditën botërore kundër kancerit, thuhet se në Maqedoninë e Veriut, në nivel vjetor zbulohen mbi 7 mijë raste të reja me kancer, prej të cilëve 2.700 me kancer në mushkëri të bardha dhe gji. Ndërkohë, në nivel vjetor raportohet se mbi 4 mijë persona vdesin nga kanceri. Këto numra u bënë të ditur nga Shoqata kundër kancerit “Borka”. Nikolinka Kotevska tashmë katër herë është prekur nga kanceri. Thotë se shpëtimi i vetëm nga kjo sëmundje është zbulimi i hershëm përmes kontrolleve të rregullta të të gjitha organeve.
Herën e parë jam operuar në vitin 2008 nga gjëndra tiroide, në vitin 2009 nga laringu dhe gjiri dhe në vitin 2016 sërish në gji. Kanë kaluar 12 vjet ndërsa unë nuk ndjehem më e sëmurë, jam e shëndoshë, jam nënë dhe gjyshe krenare. Ato që për momentin po përballen me kancerin do u kisha rekomanduar mos të dorëzohen, të mendojnë pozitivisht dhe të luftojnë, sigurisht që do të fitojnë”-pohoi Nikolinka Kotevska, e prekur nga kanceri.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe mes tjerash përmendi se në vendin tonë nuk ka asnjë pacient në pritje të ilaçeve për sëmundjet malinje. Sipas Filipçes, interesim i lartë po tregohet edhe për vaksinën katër valente kundër kancerit në qafën e mitrës.
Në fushën e kancerit të gjirit kemi lexim të dyfishtë të fotografive mamo-grafike që jashtëzakonisht ulë rrezikun nga interpretimi i gabuar. Në fushën e kancerit në qafën e mitrës kemi vaksinën katër valente për të cilën ka nisur të rritet interesimi nga gratë dhe vajzat, këtë e dëshmon edhe numri i ulur i këtyre rasteve në vitin 2019. Ekzistojnë diagnoza malinje të cilat nëse zbulohen herët mund të shërohen plotësisht”-tha Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë.
Në botë, çdo vit vdesin 8.8 milionë njerëz nga kanceri, shumica në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Sipas OBSH-së 20 % e këtyre vdekjeve janë nga kanceri i mushkërive, rreth 12 % nga kanceri i zorrësh së trashë, 7 % nga kanceri i gjirit, 6% vdesin nga kanceri i pankreasit dhe rreth 5.7% nga kanceri në stomak. OBSH-ja paralajmëron se, nëse tendencat aktuale vazhdojnë, bota do të shohë një rritje prej 60% të rasteve të kancerit gjatë dy dekadave të ardhshme. Madje, faktorët kryesorë që rrisin rrezikun për kancer janë: duhani, obeziteti i shoqëruar nga dieta e pashëndetshme dhe mungesa e aktivitetit fizik. Të gjithë këto faktorë përfaqësojnë afro 50% të rasteve të kancerit.
Melihate Rustemi