-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Dënohet me tre vjet e tetë muaj Arian Kryeziu që luftoi për ISIS-in

Më të lexuarat

Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me tre vjet e tetë muaj burg, të akuzuarin për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, Arijan Krujezi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësit Valon Kurtaj, dënimi me burgim do të ekzekutohet në afat prej15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Gjykatësi Kurtaj, gjatë shpalljes së aktgjykimit ka njoftuar se të akuzuarit Krujezi, do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është obliguar të paguajë paushallin gjyqësor në shumën prej 15 euro, nën kërcënimin e përmbarimit të dhunshëm.

Ndërsa, me aktvendim të veçantë, gjykata do t’ia vazhdojë paraburgimin të akuzuarit Krujezi, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, mirëpo siç e theksoi gjykatësi Kurtaj, pa e kaluar kohën e përcaktuar me këtë aktgjykim.

I akuzuari Arian Krujezi, e ka pranuar fajësinë për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grup terrorist.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 8 janar 2020, i akuzuari Krujezi e ka pranuar fajësinë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, Arian Krujezi, akuzohet se në kohë të pavërtetuar të muajit korrik të vitit 2014, me paramendim dhe dashje, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatave terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Kosovës, duke udhëtuar për në Stamboll, përmes aeroportit “Adem Jashari”.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Krujezi, me një linjë tjetër të autobusit kishte arritur në qytetit Gazientep të Turqisë dhe sipas udhëzimeve të ISIS, kishte kaluar kufirin në këmbë për të arritur në qytetin Raqa të Sirisë.

Më pas, sipas aktakuzës, Ai është regjistruar në ISIS dhe kishte vijuar trajnimet taktike dhe luftarake me armë të zjarrit, duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, si anëtar i batalionit “Abu Musab Zarqaëi” dhe pastaj në “Umar Hattab” në Damask të Sirisë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në pranverë të vitit 2016, i akuzuari Krujezi, gjatë një sulmi në aeroportin ushtarak, “AL – DAMAY”, derisa ishte në automjet me pjesëtarë të tjerë të ISIS, kanë hasur në një minë tokësore, ku është plagosur rëndë në kokë dhe pas katër muajsh qëndrimi në spital, i njëjti është aktivizuar në policinë ushtarake të ISIS.

Në aktakuzë thuhet se më 29 dhjetor 2017, i akuzuar Krujezi, është arrestuar nga forcat demokratike siriane ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Për këto veprime, Prokuroria Speciale të akuzuarin Arian Krujezi e ka ngarkuar me veprën penale, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit