Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se eksporti i armëve i vendit të tij është rritur në krahasim me vitin e kaluar duke arritur në 13 miliardë dollarë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalimin e tij në mbledhjen e komisionit për bashkëpunim ushtarako-teknik me shtetet e huaja, Putin informoi rreth tregtisë së armëve të Rusisë. Ai tërhoqi vëmendjen në rritjen e eksportëve të armëve dhe pajisjeve ushtarake ruse.
“Këtë vit është realizuar një shitje prej 13 miliardë dollarësh të armëve. Kjo shifër është 2 miliardë më shumë se e periudhës së njëjtë të vitit të kaluar. Përkundër sanksioneve dhe rritjes së konkurrencës së padrejtë, pozita e Rusisë në tregun global të armëve është duke u forcuar”, theksoi Putin.
Nënshkruhet marrëveshje prej 558 milionë dollarësh
Putin më tutje njoftoi se vendet e huaja këtë vit kanë pasur mundësi që të njoftohen me sukseset e Rusisë në industrinë e mbrojtjes gjatë panaireve të ndryshme të organizuara në vendin e tij.
Ai tregoi se në këto panaire janë promovuar mjete ushtarake dhe armë si avioni luftarak Su-57, helikopter për bartjen e ngarkesave Mi-38T dhe sisteme raketore kundërajrore me varg të mesëm Viking.
“Në këto panaire janë arritur marrëveshje prej rreth 35 miliardë ruble (558 milionë dollarë)”, tha ai.