Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e 55 deputetëve që të amendamentohet Kushtetuta, në mënyrë që përfaqësimi i grave në Qeveri të jetë i rregulluar me ligj.
Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, “amendamenti i propozuar pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut në Kapitullin II dhe në atë III të Kushtetutës, siç përcaktohet në praktikën gjyqësore të gjykatës”, transmeton KTV.
Nga deputetët ishte propozuar një paragraf i ri pas paragrafit 7 të nenit 96, ku thuhej “asnjëra nga gjinitë nuk mund të përfaqësohet me më pak se 40 për qind në poste ministrore dhe të zëvendësministrave të Qeverisë së Kosovës”.
Amendamenti ishte iniciuar nga deputetja Alma Lama dhe nënshkruesit e kërkesës ishin mbështetur në faktin se në kabinetin qeveritar mungojnë gratë në postin e ministreve dhe zv.ministreve.