Në Gjermani rrogat janë të larta, kështu mendojnë shumë migrantë, që duan të vijnë e jetojnë në këtë vend. Por sa paguhen vërtet punonjësit dhe sa tatime të mban shteti?
Shifrat nuk të gënjejnë, por ato duhen “lexuar” siç duhet: kështu për shembull duhet ditur, se po të pyesësh në Gjermani se sa e ke rrogën, përgjigja që të jepet është ajo për rrogën bruto, dhe jo neto, atë që merr vërtet në xhirollogari. Sigurisht, nëse të kthejnë përgjigje, sepse gjermanët e konsiderojnë shumë të papërshtatshme t’i pyesësh, se sa e kanë rrogën.
Sipas statistikave në vitin 2018, e ardhura mesatare mujore në Gjermani është 2,950 euro. E ardhura neto, pra ajo që merr vërtet punëmarrësi është më e vogël. 33 për qind më e vogël dhe shkon afërsisht 1.945 euro. Pas kësaj diference prej një mijë eurosh fshihen taksat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.
Sasia e tatimeve që duhen paguar varet në Gjermani nga klasifikimi tatimor i punëmarrësit. Në Gjermani ka nga 1-6 klasifikime. Se në cilën kategori klasifikohesh varet nga disa faktorë, nëse je i martuar apo beqar, nëse ke fëmijë apo jeton vetëm, nëse je prind që rrit vetëm fëmijët, nëse je ushqyesi kryesor i familjes, nëse ke disa punë me deklarime tatimore.
E ardhura bruto dhe neto – çfarë do të thotë kjo konkretisht?
Rasti 1: Le të marrim rastin e një burri të martuar, baba i dy fëmijëve, e që është rrogëtari kryesor në familje. Ai fiton 2,948 euro bruto në muaj. Paga mujore e tij i përket kështu të ardhurave mesatare në Gjermani. Nga kjo pagë mbahen 167 euro tatim mbi rrogën, 215 euro apo 7.5 për qind për sigurimin shëndetësor, 274 euro apo 9.3 për qind për pensionin, 36 euro apo 1.25 për qind për sigurimin në rast papunësie dhe 45 euro apo 1.5 për qind për sigurimin në rast paaftësie fizike. Në fund ai merr realisht një pagë mujore prej 2,209 euro.
Rasti 2: Një person beqar, pa fëmijë merr të njëjtën pagë mujorë, pra 2,948 euro në muaj bruto. Por ky ka një shkallë më të lartë tatimi dhe duhet të paguajë edhe 22 euro tatim solidariteti, nga kjo babai me fëmijë është i çliruar. Në fund ky person ka një pagë mujore më të ulët, pas heqjes së tatimeve e kontributeve, i mbeten 1,944 euro në muaj. Nëse ky person është edhe anëtar i kishës katolike apo protestante, kjo shumë pakësohet edhe me 40 euro të tjera.
Profesione të paguara më mirë dhe më keq
E ardhura mesatare që përmendëm më lart është një vlerë statistikore, që nuk të thotë shumë për pagat në degë të caktuara. Në disa profesione, të punësuarit fitojnë shumë, në disa të tjera fitojnë aq pak, sa me zor arrijnë të përballojnë muajin. Vendin e parë mes profesioneve më të mirë paguara – pa përgjegjësi personeli – e zënë kryemjekët. Këta paguhen mesatarisht 120 mijë euro në vit. Edhe mjekët e specializuar paguhen shumë mirë, mesatarisht 90 mijë euro në vit. Mes të shumëpaguarve në Gjermani renditen të punësuarit në sektorin financiar dhe ekonomik, menaxherë fondesh e menaxherë të ndryshëm në firma.
Më të keqpaguara janë punët e ndihmësve në gastronomi, rreth dy mijë euro bruto në muaj. Pak paguhen edhe parukieret, kamerierët, mes profesioneve më të keq paguara renditen edhe punëtorët e Call Center, ndihmësit e dentistëve, dhe personeli i kujdestarisë për të moshuarit. Edhe infermieret kanë një pagë relativisht të ulët mujore, mes dy mijë dhe 2,400 euro bruto.
Paga minimale ligjore
Gjermania bën pjesë në vendet që e kanë të përcaktuar me Ligj Pagën Minimale. Ajo është e përcaktuar me 9,19 euro ora (nëntor 2019). Luksemburgu është vendi me pagën minimale më të lartë, 11.97 euro në orë. Belgjika, Irlanda, Holanda dhe Franca janë vende në Bashkimin Evropian që e kanë pagën minimale më të lartë se Gjermania. Më të ulët pagën minimale e ka Bullgaria me 1.72 euro, Letonia me 2.54 euro, Rumania me 2.68 euro, Hungaria me 2.69 euro dhe Kroacia me 2.92 euro. Edhe këtu bëhet fjalë për pagë minimale bruto.
Nëse nuk je i punësuar me kontratë e detyrim tatimor page, por mbi bazën e honorarit, pra i vetëpunësuar, duhet të kujdesesh vetë për tatimet dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Këtu është e këshillueshme që të marrësh këshilla nga konsulenti tatimor, sepse deklarata tatimore është një nga gjërat më të vështira për t’u përgatitur në Gjermani.
Edhe diçka duhet ditur: me autoritetet tatimore në Gjermani nuk bëhet shaka. E drejta ligjore tatimore në Gjermani është shumë e komplikuar dhe vetëm një konsulent specialist mund t’iu ndihmojë për të ulur tatimet.
Rrogat janë mesatarisht të larta në Gjermani, por për të kuptuar realitetin duhen parë edhe faktorë të tjerë.
Më e lartë se mesatarja, më të ulta se rrogat në Zvicër
Pra a janë të larta pagat në Gjermani? Parë nga perspektiva e shumë vendeve evropiane, ato janë nganjëherë dy herë ose më shumë më të larta, se në disa vende Evropë. Në Shqipëri për shembull paga mesatare bruto për një të punësuar me pagë është afërsisht 400 euro, sipas INSTAT 52,645 lekë, statistika për tremujorin e dytë 2019, ndërsa në Kosovë në vitin 2017 paga mesatare shënonte 527 euro sipas Agjencisë Kosovare të Statistikave. Në Kroaci paga mesatare shënon 870 euro, afër 6436 Kuna.
Pra nga statistikat del, se pagat në Gjermani janë më të larta se mesatarja evropiane, por më të ulta se Zvicra, Luksemburgu apo Danimarka. Megjithatë numrat nuk të thonë gjithçka. Ato duhen parë në kontekst më të gjerë. Për shembull duhet ditur po ashtu, se në vitin 2017, shpenzimet mesatare mujore të një familjeje të zakonshme gjermane arrijnë 2.517 euro në muaj, ku mesatarisht 900 euro shpenzohen vetëm për qiranë e apartamentit dhe kostot anësore, dritat, uji, shërbimet bashkiake. Nëse ke edhe informacione të tilla shtesë, atëherë ndoshta mund ta kuptosh më mirë se si janë të ardhurat në Gjermani e çfarë të mbetet pas pagesës së tatimeve. /Deutsche Welle/