-2.3 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Meta: Shqipëria s’mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi – taksa e Kalimashit, e gabuar!

Më të lexuarat

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar në mënyrë të prerë e të qartë se “Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi”.

Në intervistën dhënë në RTV21, Kreu i Shtetit është ndalur edhe në bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve duke e cilësuar veçanërisht si të gabuar vendosjen e taksës së Kalimashit, shkruan oranews.tv.

Presidenti Meta: Çështja është si do të përmbyllet dialogu Kosovë-Serbi në mënyrën më të mirë për të dyja vendet, por edhe për të gjithë rajonin, pasi është një çështje mjaft kyçe që mund t’i përshpejtojë apo t’i ngadalësojë të gjitha proceset europianizuese të rajonit tonë.

Në këtë drejtim qëndrimi im që dëshiroj t’ju sqaroj ju është pikërisht ky. Për sa u takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, unë kam qenë dhe jam për t’i zhvilluar ato në një mënyrë sa më aktive, pasi marrëdhëniet dypalëshe Serbi-Shqipëri, por edhe bashkëpunimi dypalësh në kuadër të bashkëpunimit të rajonit tonë është mjaft i rëndësishëm. Dhe këtë unë e kam treguar më së miri që në vitet 2000. Që në fillesat e para kur kam qenë kryeministër duke bashkëpunuar me ish-kryeministrin Gjinxhiç. Edhe më pas në funksione të tjera, edhe sot e kësaj dite kam qenë dhe jam shumë i hapur për këtë gjë, por kam thënë gjithmonë dhe sot e theksoj akoma edhe më me forcë: Shqipëria nuk mund të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi!

Shqipëria njeh, dhe është nga vendet e para që ka njohur dhe respekton pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj. Por dialogu me Serbinë është një temë që u takon institucioneve të Kosovës.

Çdo ndërhyrje e Shqipërisë në këtë dialog apo në tema të caktuara të këtij dialogu, praktikisht është një cenim i pavarësisë dhe i legjitimitetit që kanë këto institucione.

Cili është roli i Shqipërisë dhe cili ka qenë dhe është qëndrimi i saj?

Roli i Shqipërisë është që të kontribuojë për të nxitur institucionet dhe faktorët politikë të Kosovës për një bashkëpunim sa më të ngushtë me njëri-tjetrin në mënyrë që të arrijnë një konsensus për temat kryesore dhe për zgjidhjet më të mundshme, që do të bënin realitet këtë moment historik të përmbylljes, të finalizimit të këtij dialogu dhe të njohjes reciproke. Njëkohësisht edhe të garancive se si Serbia, ashtu edhe Kosova do të jenë anëtare të Bashkimit Europian. Kjo është e para.

Gazetari: Zoti President, si mund të arrihet bashkimi kombëtar, që është ëndërr e të gjithë shqiptarëve, duke vendosur taksë 5 Euro për Rrugën e Kombit, raporte të ftohura mes dy kryeministrave, produktet e Kosovës nuk blihen shumë në Shqipëri?

Presidenti Meta: Padyshim ky është një problem mjaft i madh. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona duhet të jenë më komplementare me njëra-tjetrën, duhet të plotësojnë ato boshllëqe apo mangësi që vijnë për shkak të karakteristikave të ndryshme të potencialeve, të burimeve të zhvillimit ekonomik, qoftë të Shqipërisë apo të Kosovës.

Në këtë drejtim duhet të krijojmë sa më shumë lehtësira. Ju e dini qëndrimin tim për taksën e Kalimashit, që është një taksë mjaft e gabuar dhe dekurajuese, qoftë edhe nga ana psikologjike, duke pasur parasysh se sa i rëndësishëm është edhe për Shqipërinë dhe për Kosovën ky qarkullim pa pengesa midis qytetarëve tanë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit