-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Propaganda në Sferën Publike dhe Private

Më të lexuarat

Redi Shehu

Hapësira publike që na përshkon sot, mbushet me idenë se nuk ka rëndësi nëse informacioni është i vërtetë apo jo. Ajo që ka rëndësi, është se si paragjykimet, stereotipet apo mitet tona të kalçifikuara, të cilat manipulohen publikisht e vazhdimisht në mënyrë sistematike, të mund t’i transfomojmë mediatikisht nga paragjykime në argumente të logjikshme. Në mënyrë që, me anë të ndërlikimit dhe kthimit të tyre në një ritual të përhershëm insistues të mund të fitojnë bindjen e audiencës mbi “vërtetësinë” e tyre.

Kjo është një histori e gjatë e cila daton që në shekullin e 18-të, pikërisht aty ku Jurgen Habermas vendosi piketat e para të shfaqsjes së “sferës publike”. Sipas tij, në vendet si Gjermani, Angli dhe Francë, ishte bërë pothuaj e zakonshme që të shikoje qytetarë që mblidheshin në sallone apo kafene duke debatuar për ngjarjet e fundit, me synimin e një dakortësimi pas debatit, i cili duhe të ishte në harmoni me interesin publik.

Që një çështje e tillë konsesuale të mund të fitonte pastaj të drejtë publike, duhej së pari të kalonte në sitën e debateve dhe diskutimeve të atyre që mund të quheshin borgjezia e asaj kohe, e përbërë nga njerëz tregëtarë dhe posedues pronash. Ky diskutim racional publik, në fakt, përfaqësonte për herë të parë një rrugëzgjidhje ndaj pushtetit absolut që mbreti kishte në të gjitha sferat e shoqërisë.

Habermas thotë se, diskutimet arritën deri në atë pikë, sa të vinin në pikëpyetje pushtetin e mbretit pasi ai nuk garantonte liri, e për këtë arsye, pushtetit i kurorës duhej hequr. Pyetja që dilte më vonë ishte se si mund të bëhej një gjë e tillë pa gjetur një njeri tjetër për ta zëvendsuar atë, ose pa i dhënë pushtetin e mbretit, popullit. Një popull, që duhej të ishte edhe i qeverisur nga një njeri, por në të njëjtën kohë duhej të ishte edhe i lirë. Po si mund të bëhej kjo? Si përfundim, debatet publike çuan në konkluzionin e famshëm se, ai që duhet të udhëheqë, nuk duhet të jetë njeriu por arsyeja. Arsye e shprehur përmes ligjit, një ligji të drejtë i përbërë nga parime. Kështu, debatet publike do të shndërronin interesat individuale në një konsesus racional, i cili do të ishte baza e punës së një qeverie e cila në të njëjtën kohë do të dominonte mbi njerëzit por edhe do të bënte që ata të ndiheshin të lirë.

Më vonë, Hegel saktësoi se debatet publike të kësaj natyre kishin një të metë, pasi përbëheshin ekskluzivisht nga tregtarë dhe poseduesh pronash të cilët vështirë se mund të përfaqësonin interesin publik gjithpërfshirës. Po ashtu Hegel, ishte i bindjes se, që “arsyeja” të dominojë, duhet të jetë e lirë nga presioni i interesave të shtresave të veçanta të shoqërisë. Pastaj, panoramën e debateve mbi hapësirën publike e devijojnë Marksi dhe Engelsi, të cilët u futen me tezën se interesi publik nuk mund të mbrohet në sferën publike nëse në debate nuk merr pjese edhe “klasa punëtore”. Marksi argumentonte se debatet në “sferën publike” që prodhojnë ligje racionale, janë thjesht ideologji për sa kohë ato mbrojnë interesat e borgjezisë e cila posedon prona në sferën private dhe kërkon që t’i mbrojë ato përmes legjitimitetit në sferën publike. Për këtë arsye, e vetmja rrugë ishte që secili, atë që posedonte në sferën private, ta vinte në dispozicion të sferës publike. Kështu, dallimet dhe ndarjet mes njerëzve do të zhdukeshin, dhe debati racional për të mirën e interesit të përbashkët do të ishte vërtetë i tillë. Me pak fjalë, thjesht lindja e komunizmit, të cilin tashmë të gjithë e njohim shumë mirë.

Ideja e gjithë këtij parashtrimi ishte për të ndërtuar më mirë konceptin se, që nga krijimi i “sferës publike” dhe me vazhdimin e kohës, ajo ka devijuar nga qëllimi primar i saj për të arritur konsesus publik përmes debateve të lira dhe të drejta. Ajo që ndodhi, është fragmentarizimi i kësaj sfere ne minisfera interesash kundërshtuese me njëra-tjetrën, shpesh edhe konfliktuese të cilat në vend të prodhimit të një konsensusi racional, prodhuan kompromise jo të qëndrueshme. Në fakt, ajo që Habermas e thekson me forcë, ështe se sot ne kemi të njëjtën gjë, një demokraci në zemër të së cilës është kontradiksioni eksponencial, aktualizimi i së cilës është zëvendësuar nga një skenogafi publiciteti manipulativ që realizohet përmes organizatash interesi në sferën publike dhe private, në emër dhe përpara audiencave. Një iluzion të një “sfere publike politike” ku në mënyrë imagjinare publiku ushtron funksione dhe presione mbi të. Pikërisht, për shkak të transformimit të debatit publik për të mirën e interesit të përgjithshëm, drejt një propagande publike për të mirën e interesit të një kaste të caktuar, sot, pothuaj kemi dështuar në strukturimin e një shoqërie e cila të jetë njëkohësisht e dominuar dhe e lirë. Mainstream media, është padyshim ambasadorja e grupit sundues të një shoqërie, e cila përpiqet të bindë publikun se të vërtetat e këtij grupi janë të vërtetat e gjithë shoqërisë, se privatja e tyre është publikja e të gjithëve. Miti i pjesmarrjes dhe angazhimit politik si pasurim i demokracisë është shndërruar në atë, se ata që përfshihen në debatet publike, më shumë tentojnë të konfirmojnë idetë e tyre se sa të ofrojnë seriozisht një të mirë të vërtetë publike.

Harold Laswell, Edward Bernays, Walter Lippman, në mënyrë të përsëritur kanë deklaruar se audiencat nuk janë të afta dhe të mundura të ushtrojnë mekanizmin bazë të demokracisë, përcaktimin e fateve të veta politike. Ata kanë folur për një “kriptokraci”, një qeverisje në hije, një kastë qeverisëse që komandon përmes propagandës me frerë në dorë njerëzit e thjeshtë të cilët ushtrojnë të vetmen mundësi që kanë, atë të qenurit spektatorë

Që burimi të jetë autoritativ ai duhet të përcillet nga njerëz autoritativ që ndërtojnë struktura autoritative pushteti dhe komunikimi që mesazi të ngjisë në audiencë. Nga vetë natyra e njerëzve, dimë që sa më nga “lart” të vijë mesazhi, aq më i besueshëm bëhet ai në ndërgjegjet kolektive të masës. Pa, “lartësia” si paralele pushteti, përcakton besueshmërinë dhe autoritetin e mesazhit. Por jo vetëm kaq, përcakton edhe shpejtësinë me të cilën audienca është e prirur ta besojë e ta përvetësojë atë.

Propaganda, si formë e cila përqëndrohet më shumë në qëllimin ideologjik të rezultateve të saj, duke përdorur kontekste të gjetura të momentit, duke përdorur teknika të komunikimit publik me shënjestër audiencat e ndryshme të shoqërisë, është kostumi që i rri më perfekt rendit të sotëm postmodern, me qëllim që masat e audiencave t’i nënshtrohen cunamit të gjuhës së imazhit dhe simboleve. Qëllimi i saj përmblidhet në krijimin e konfuzionit mes reales dhe një realiteti të ndërtuar simbolik, ku imazhi është më i fuqishëmn se fjala, ku media dhe televizionet janë dominuese ndaj penës dhe bojës, ku tradita dhe komunitetet janë tashmë thjesht nocione të zbehura nga ndërtuesit dhe paketuesit e identeteve të reja moderne.

Shenjtërimi i mediave dhe i kanaleve të komunikimit, ka shenjtëruar edhe propagandën e cila në sajë të këtij mekanzmi proliferimi, është e aftë të krijojë trende, prirje për t’u djekur nga miliona pasues të cilët thjesht i ndjekin ato duke mos vënë kurrë në dyshim autoritetin e shenjtë propagandues. E gjithë kjo situatë pastaj përmblidhet në ekzistenëcën e asaj që Jean Baudrillard e quan “hiperrealitet”, një gjëndje e paaftësisë së ndërgjegjes së njerëzve për të dalluar realitetin nga simulimi i tij, pikërisht në epokën e digjitales dhe shoqërive të ndërlidhura teknologjikisht. Aty ku realja dhe e sajuara janë kaq të përziera me njëra-tjetrën, kaq të ndërthura, saqë ndarja e tyre bëhet e , deri sa ndodh që shumë njerëz të rehatohen më shumë me hiperrealitetin imagjinar se me përditshmërinë fizike të tyre, duke rritur sasinë e gësnjeshtrës dhe zvoglëuar atë të të vërtetës.

Propaganda pikërisht për të mbajtur gjallë këtë atmosferë të konfuzionit mes reales dhe hiperreales, ndërton mite përmes të cilave, ne njerëzit, duhet të gjykojmë më pas realitetin tonë. “Mite të vdekshme” që “ringjallen” sa herë që në pikëpyetje vendoset mbushja e humnerës midis reales dhe joreales. Mite të cilat psikologjikisht i vendosin audiencat përballë të vërtetave përplasëse me njëra-tjetrën, mite të cilat përkthejnë konceptet e një minorance të përhershme kontrolluese, në brand-e për të gjithë pjesën tjetër të përtypësve dixhitalë. Për këtë, propaganda nuk ka nevojë tu mësojë risitë të tjerëve, mjafton që ajo të sjellë koncepte të vjetra me forma dhe metodologji të reja. Ja vlen, në pikëpamjen e propagandistit që të shndërroje konceptet e vjetrat në brand-e, në emër të një të mire më të madhe për t’u mbrojtur si gjthmonë, nga e keqja më e madhe.

Bota jonë sot në mënyrë të pakuptuar po shndërrohet gradualisht në një produkt të unifikuar të propagandës, suksesi i së cilës qëndron në bazamentet e veta komunikuese përmes “patriarkanës dixhitale” që mbretëron në sytë dhe mendjet e tufës së vet kokëulur. Kur disa njerëzve u jepen mekanizma të papreçedent force, atëhere manipulimi i njerëzve të tjerë bëhet i papreçedent.

Marrë nga Revista Medius

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit