Në vitet e ‘90-a, ish-pushteti i atëhershëm, pa lejen e pronarëve, kishte ndërtuar nëpër tokat e tyre rrugën qarkore 11-kilometërshe që lidh Ferizajn, Gjilanin e Bujanocin.
Atëkohë, familjet serbe ishin kompensuar, ndërsa ato shqiptare jo.
Pas luftës, pronarët e këtyre tokave kanë paditur Komunën në Gjykatën Themelore, për të kërkuar kompensim për pronat e marra me dhunë.
Dy raste për të cilat vitin e kaluar Gjykata vendosi në favor të pronarëve, buxhetit të Komunës i kushtuan mbi 200 mijë euro.
E, këtë vit, Komuna rrezikon që t’i humbasë edhe 5 milionë euro të tjera, për shpronësimin e këtyre pronave. Në Komunën e Gjilanit thonë se nuk kanë mjete për shpronësim, shkaku i buxhetit të vogël.
Zijadin Maliqi, drejtor i Financave në Komunën e Gjilanit, është i bindur se drejtësia do të vendosë në favor edhe të rasteve të tjera, që janë në procedurë gjyqësore.
Kështu, sipas tij, qytetarët do të mbesin pa investime kapitale, pasi që kompensimi për shpronësim është i barabartë me atë për investime.
Kritika për vonesa në shpronësim ka hedhur opozita, sipas së cilës Komuna ka pasur mënyra të ndryshme për zgjidhje të problemit.
Sipas kryetarit të Qendrës së Vetëvendosjes, Nevzad Isufi, Komuna tash do të paguajë edhe kamata.
Sidoqoftë, kryetari i kësaj Komune, Lutfi Haziri, tashmë i ka nisur një kërkesë kryeministrit Ramush Haradinaj, për t’i dalë në ndihmë lidhur me këtë çështje.
Në Qeveri nuk janë përgjigjur nëse do t’i dalin në ndihmë Gjilanit apo jo./KTV