Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar dekretin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare Kosovë-Turqi për tregti të lirë.
Dekreti është nënshkruar në bazë të kompetencave kushtetuese të presidentit Thaçi dhe me kërkesë të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Begjet Pacolli, më 4 prill të këtij viti drejtuar Thaçit.
Presidenti Thaçi e ka nënshkruar më 11 qershor të këtij viti dekretin që përfundimisht ratifikon marrëveshjen e tregtisë së lirë me Turqinë, e cila është nënshkruar më 27 shtator të vitit 2013, ndërsa është pranuar në Zyrën e Presidentit të Kosovës më 4 prill të këtij viti, sipas dokumentit.
“Marrëveshja e ratifikuar i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për njoftim, në përputhje me nenin 18, paragrafi 3 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, shkruan në dekret.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është bërë publik edhe në gazetën zyrtare të Qeverisë së Kosovës më 13 qershor 2019.
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në atë kohë, Mimoza Kusari-Lila, pati thënë se marrëveshja do të ndihmojë zhvillimin e bizneseve, jetën e qytetarëve dhe ngritjen e investimeve të huaja. Njëkohësisht si lajm të mirë për të dyja vendet, për qytetarët dhe për bizneset e kishte konsideruar këtë marrëveshje edhe ministri i Ekonomisë së Turqisë në atë kohë, Zafer Caglayan.
Të dhënat nga tregtia e mallrave në Kosovë, në vitin 2018, tregojnë për një deficit tregtar në vlerë prej 2.9 milionë euro, ose në përqindje 11.6 për qind. Pra, gjatë këtij viti pati bilanc negativ sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 83.1 milionë euro, ose 22.6 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport janë India dhe Zvicra.
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në mbi 1 milion euro, ose 31.0 për qind. Turqia ishte ndër vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup me 10.1 për qind./AA