Dje pasdite, Developpement de projets Socio-culturels (DPSC) nga Gjeneva, shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, në bashkëpunim me Komunën e Malishevës, ju kanë dorëzuar çelësat e shtëpive tri familjeve në fshatin Kërvasari në Malishevë. Çelësat u janë dorëzuar familjeve të Rifat Bytyçit, Dritan Avdi Bytyçit dhe Lulzim Bytyçit, shtëpitë e të cilëve kishin filluar më 29 mars të këtij viti.
Në ceremoninë e dhënies së çelësave për këto familje, ishin Halil Kastrati, udhëheqës i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Ragip Begaj, kryetar i Komunës së Malishevës dhe kryetari i fshatit Besnik Bytyçi, të cilët i kanë uruar familjet përfituese.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka falënderuar shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, për ndërtimin e shtëpive dhe për marrëveshjen që kanë me komunën, për ndërtimin e shtëpive për familjet që e kanë të pazgjidhur çështjen e strehimit.
“Çdo fjalë që ne mund të flasim është shumë pak, pasi vepra është shumë e madhe, si nga ana e shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, ashtu edhe nga DPSC, të cilët në bashkëpunim me komunën, arritëm ti ndërtojmë këto tri shtëpi, e shumë të tjera që janë në ndërtim e sipër, dhe nuk ka kënaqësi më të madhe se kur realizohen këto vepra, prandaj në emër të komunës, ju falënderoj juve Halil Kastrati dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e këtyre shtëpive”, ka thënë kryetari Begaj, pas dorëzimit të çelësave për këto familje.
Begaj po ashtu ka falënderuar edhe DPSC nga Gjeneva, për ndërtimin e shtëpive.
Halil Kastrati, gjithashtu i ka falënderuar DPSC dhe të gjithë donatorët, që kanë mundësuar ndërtimin e shtëpive, si e ka falënderuar edhe Komunën e Malishevës, për bashkëfinancim në ndërtimin e njërës prej shtëpive.
DPSC me seli në Gjenevë, i ka ndërtuar dy nga tri shtëpitë në Kërvasari, ndërsa “Jetimat e Ballkanit”, në bashkëpunim me Komunën e Malishevës, e kanë ndërtuar njërën shtëpi./tg