1.4 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Bizneset nga Kosova fajësojnë Shqipërinë për barriera tregtare shumë të larta

Më të lexuarat

Pavarësisht dhjetëra marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat kanë për qëllim lehtësimin e marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike, barrierat tregtare vazhdojnë mes dy shteteve.

Përfaqësues të bizneseve në Kosovë paraqesin një gjendje jo të mirë të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike mes këtyre dy shteteve. Gjatë një konference për media ata thanë se janë autoritetet shqiptare të cilat po pengojnë bizneset nga Kosova që të jenë më të pranishme në tregun e Shqipërisë.

Prodhuesve nga Kosova, sipas përfaqësuesve të bizneseve, po iu paraqiten barriera tarifore dhe jotarifore, procedurat e zhdoganimit në Shqipëri, pagesa e skanerit, noterizimi i analizave, mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga Dogana Shqiptare e shumë pengesa tjera që sipas tyre, po dëmtojnë konkurrueshmerinë e produkteve të Kosovës në Shqipëri.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se kompanitë nga Kosova nuk kanë arritur që të kenë një pozicion të duhur në tregun e Shqipërisë. Barrierat tarifore dhe jotarifore që paraqesin autoritetet shqiptare për bizneset nga Kosova, thotë Rukiqi, kanë penguar zhvillimin e veprimtarive të këtyre bizneseve.

“Kemi shumë çështje të pazgjidhura që pothuajse janë të mbledhura më shumë se një dekadë dhe të cilat nuk po duket se ka vullnet politik ose një plan të qëndrueshëm se si të trajtohen, dhe kur them vullnet politik po i referohemi qeverisë së Shqipërisë. Qoftë të prokurimet publike, qoftë tek investimet e drejtpërdrejta, qoftë eksporti i mallrave tona drejt tregut të Shqipërisë apo çfarë partneriteti që është tentuar të ndërtohet në tregun e Shqipërisë nga kompanitë e Kosovës, ka pasur barriera të ndryshme tarifore dhe jotarifore dhe deri te cenimi i investimeve”, thotë Rukiqi.

Ndërkohë, liderët në Kosovë dhe Shqipëri në vazhdimësi janë deklaruar për rritje të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve dhe eliminimit të të gjitha barrierave.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë çdo vit i mbajnë edhe mbledhjet e përbashkëta ku premtohet në vazhdimësi për bashkëpunim të ndërsjellë, por që të gjitha këto, sipas përfaqësuesve të bizneseve mbesin vetëm në letër.

Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve thotë se përgjatë viteve prodhuesit vendorë janë duke hasur në pengesa të shumta gjatë tregtimit të produkteve të tyre në Shqipëri.

“Pa marrë parasysh gjuhën e ëmbël që e përdorin politikanët e Shqipërisë, procedurat po i kanë shumë të hidhura me prodhuesit e Kosovës. Vetëm në vitin 2019, eksporti i produkteve të Shqipërisë në Kosovë kap vlerën 64 milionë euro, ndërsa eksporti i Kosovës në Shqipëri është 18 milionë euro”, thotë Panxha.

Panxha duke iu referuar një raporti të Komisionit Evropian, thotë se pas Serbisë, Shqipëria është e dyta që vendos barriera tregtare ndaj Kosovës.

Për të pasur një bashkëpunim më të lehtë ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, ishin investuar miliarda euro në infrastrukturë rrugore. Të dy vendet kishin ndërtuar autostrada të cilat lidhen të dy shtetet.

Por, në shtator të vitit të kaluar, autoritetet shqiptare vendosën që autostrada “Rruga e Kombit” në pjesën e Shqipërisë, e cila është e gjatë 114 kilometra, të bëhet me pagesë.

Kjo pagesë cila për një drejtim ka shumën prej 5 euro deri në 22.5 euro, u konsiderua barrierë shtesë për bizneset nga Kosova të cilat eksportojnë në Shqipëri./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit