Të shtënat nga armët automatike, që kanë ndodhur pothuajse tërë pasditen e së dielës në Lagjen e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, kanë shqetësuar banorët shqiptarë dhe ata jo serbë të kësaj lagje.
Banorët nga veriu thonë se të shtënat e herë pas hershme në ajër janë bërë nga objekti i quajtur “Vojni remont” dhe kanë zgjatur deri në orët e mbrëmjes, ndërsa nuk kanë përjashtuar mundësinë që ato të jenë orientuar edhe në drejtim të shtëpive të shqiptarëve.
Fatmir Beqiri, banor i kësaj lagje, ka thënë se të dielën rreth orës 16:00 ka parë 6 persona me një armë automatike, të cilët kanë shtënë nga “Vojni remonti” në mënyrë të pakontrolluar, dhe në drejtim të shtëpisë së tij.
“Nga plumbat janë goditur telat e rrymës të cilat janë në një lartësi më të ultë sesa çatia e shtëpisë time, andaj them se plumbat janë orientuar në drejtim të shtëpisë”, ka thënë Beqiri për Kosovapress.
Sipas tij, 6 familjet Beqiri të kësaj lagje kanë mbetur pa rrymë si pasojë e këtyre të shtënave.
Ai theksoi se për fat të mirë nuk ka pësuar askush dhe se rastin e ka lajmëruar në polici.
Ndërkaq, Florent Azemi, përfaqësues i kësaj lagje, tha se nuk është hera e parë që të shtënat pikërisht nga ky objekt shqetësojnë banorët e këtushëm.
“Kohët e fundit ka pasur të shtëna nga ana e serbëve në vazhdimësi, por ajo që ka ndodhur dje ka qenë vërtetë një tmerr për familjet tona, veçanërisht për fëmijët”, ka thënë Azemi.
Ai kritikoi Policinë e Kosovës të stacionit veri, pasi, siç u shpreh ai, që nga ora 13:30 kur kanë filluar të shtënat, e ka lajmëruar policinë, por askush prej tyre nuk ka ndërmarrë asgjë.
“Sa herë që serbët kanë dasma ose ahengje të ndryshme, të cilat organizohen brenda këtij objekti, banorët e këtushëm pa dallim ndjehen të frikësuar nga pasojat e mundshme të të shtënave”, tha ai, duke shtuar se banorët e Lagjes së Boshnjakëve kanë kërkuar në vazhdimësi një pikë kontroll policor afër këtij objekti, por deri tash nuk është ndërmarrë asgjë në këtë drejtim.
Sipas tij, në këtë objekt e kanë bazën kompania e njohur “Soko”, që bënë sigurimin e personaliteteve të larta politike nga Serbia, pastaj organizata ultra nacionaliste “1389”, e njohur për barrikada dhe incidentet në veri, etj.
Zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicë, Besim Hoti, ka konfirmuar të shtënat me armë që kanë ndodhur të dielën pasdite në Lagjen e Boshnjakëve.
“Ka pasur të shtëna të ashtuquajtura gazmore gjatë një ceremonie të dasmës, por ato nuk kanë qenë të drejtuara ndaj askujt”, ka thënë për Kosovapress Hoti, duke shtuar se deri tani nuk është arrestuar askush, ndërsa ngjarja është evidentuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armë mbajtje pa leje. /Telegrafi/kohaislame