3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A gjendet mish njeriu në sofrën tonë?

Më të lexuarat

Çdo ditë, dhe nga disa herë në ditë, i lajmë dhëmbët tonë, e pastrojmë gojën nga era e keqe dhe i kushtojmë vëmendje që njerëzit e tjerë në praninë tonë, të mos ndjejnë erë të pakëndshme nga gojët tona, ndërsa në të njëjtën kohë vazhdimisht i ndotim në mënyrën më të urryer të mundur.

Ne e hamë mishin e vëllezërve tonë, të motrave tona, e rrëmbejmë si kafshët më të uritura dhe të tmerrshme,  pa asnjë përpjekje, pa turp dhe pa hezitim dhe aq jemi të zhytur në këtë mëkat, saqë nuk po e ndjejmë atë erën e tmerrshme të mishit të njeriut, atë shije të tmerrshme, por ashtu të pangopur, pranë gjithë atyre ushqimeve të mrekullueshme, ne vetevetes po i servojmë, si kanibalë të egër nga xhungla, shumë lloje të mishit të njeriut, ndërsa dëshirojmë që për vete të themi se jemi pjesë e një shoqërie moderne, të përparuar dhe kulturore.

Allahu i Plotfuqishëm thotë në Kuran:

“Mos përgojoni njëri tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin.” (el-Huxhurat, 12)

Ebu Hurejre (r.a.) ka transmetuar se Pejgamberi (savs) i ka pyetur sahabët: “A e dini se çka është përgojimi (gibeti)?”

Të pranishmit iu përgjigjen: Allahu dhe i Dërguari i tij e din ma së miri.

Ai tha: ,,Kur ta përmendni vëllanë tuaj për diç që atij nuk i vjen mirë ta dëgjojë apo ta dijë, atëherë e keni përgojuar.”

Sahabët e pyetën: Çka nëse themi diçka që është e vërtetë?

Ai u përgjigj: “Nëse është e vërtetë ajo që e thoni, atëherë e keni përgojuar, se po të thoni diçka që nuk është e vërtetë ajo nuk është përgojim, por është shpifje. Për të e keni thënë të pavërtetën.” (Muslimi)

Le ta imagjinojmë një grup njerëzish të cilët janë mbledhur në një tubim të caktuar. Papritmas, dikush prej tyre të propozojë që të shërbehen me mishin e ndonjërit prej njerëzve tanë të dashur, pastaj ta vendosin në sofër, të fillojnë të këpusin nga mishi i tij, të qeshen me tallje dhe pa ngurim të gostiten me mishin e tij.

Morbide? Rrëqethëse? Vetëm kur mendojmë, na ngrihet gjaku në vena, apo jo ?!

Kurse ne këtë gjë e bëjmë çdo ditë! Qerasemi me mishin e djemve dhe vajzave të huaja, të nënave dhe baballarëve të dashur të dikujt, pa menduar fare se kjo atyre ju dhemb dhe ju vjen keq. Gjithashtu, e harrojmë faktin se edhe ne i kemi bijtë dhe bijat tona, baballarët, nënat, vëllezërit dhe motrat, të cilët i mbrojmë nga sulmet e të tjerëve, dhe ne ndihemi keq për vuajtjet e tyre.

Mirëpo, ne vazhdojmë, nuk kërkojmë leje. Nuk pyesim nëse i lëndojmë. Nuk pyesim a kemi të drejtë. Nuk pyesim a e përjetojnë vështirë atë që ne bëjmë, ne vetëm këpusim, shqyejmë, rrëmbejmë dhe e ndotim gojën tonë, e ndotim trupin tonë dhe e ngarkojmë me barrë të rëndë. Dhe më e keqja e të gjithave, është ndotja e zemrave tona!

E pse na nevojiten të gjitha këto? Pse e kemi këtë nevojë të sëmurë që të flasim për njerëzit tjerë, të përzihemi në jetën e tyre, t’i komentojnë vendimet e tyre, ndërsa nga ana tjetër na vjen rëndë, kur njerëzit tjerë këtë na e bëjnë neve?!

A është jeta jonë kaq jointeresante, kaq e parëndësishme, që të kemi nevojë të flasim për jetën e tjetrit, a ndjehemi mirë nëse tjetrin e fyejmë me gjuhën tonë, se zemrat na janë sëmurë, andaj gëzohemi kur arrijmë që dikën tjetër ta shtyjmë të mendoj keq për ndonjë person, apo ne jemi aq të mirë, aq njerëz të mrekullueshëm, e të sigurtë se kemi numër të madh të veprave të mira, se e kemi siguruar xhenetin, andaj, duam që veprat e mira t’i shkapërderdhim përreth dhe t’ua ndajmë e tu ndihmojmë njerëzve tjerë.

Le t’i pushojmë gjuhët tona nga gibeti!

Le t’i angazhojmë me dhikër, me Kuran dhe istigfar!

Le t’i pastrojmë zemrat tona nga keqdashja e zilia, edhe nëse ndjejmë zili apo zemërim ndaj ndonjë njeriu!

Le të shërohemi duke u lutur për atë person, pastaj me siguri Allahu i Plotfuqishëm, do të na e largojë atë ndjenjë nga zemrat tona.

Jeta në këtë botë është e shkurtër, çdo moment është i vlefshëm dhe i çmuar, andaj mos ta shpenzojmë kohën tonë në përgojim dhe shqetësim të njerëzve të tjerë me gjuhët tona kureshtare apo ziliqare.

Le ta mbajmë në mend se me këtë vetëm vetvetes dëm i bëjmë, e kurrsesi atij të cilin e përmendim.

Le të imagjinojmë sikur meleku i vdekjes të na vjen në kohën derisa jemi duke u qerasur me mishin e vëllait apo motrës sonë, dhe pastaj Zoti të na ringjall në atë gjendje?!

Transmetohet nga Halid Er-Rabi, se ka thënë: “Unë një herë me shoqërinë time ishim në xhami dhe ata filluan të flasin për një njeri, kurse unë i qortova që mos ta bëjnë këtë dhe ata më dëgjuan mua.

Pas një kohe, ata përsëri filluan të flasin për atë njeriun, e edhe unë iu bashkëngjita bisedës.

Kur kam ra në gjumë atë natë, pashë në ëndërr se më erdhi një njeri i zi dhe i gjatë, i cili në pjatë po mbante një copë mish derri dhe më urdhëroi të ha!

Thirra për ndihmë: “Unë nuk ha mish derri!” Ai më shtrëngoi fort, më tronditi dhe më bërtiti:

“Ti ke ngrënë diçka që është edhe më e keqe se kjo!” – pastaj filloi të ma shtyjë në gojë pjesë-pjesë. Nga gjumi u zgjova i tmerruar. Pasha Allahun, pastaj edhe 30 ose 40 ditë e kam ndjerë erën e keqe të atij mishi në gojën time!”

Ummu Sara Zhuzhiq; muslimanka.org;

Përshtati: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit