-3.8 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Japoni, të moshuarat duan të shkojnë në burg

Më të lexuarat

Japonia është vendi me popullsinë më të vjetër në botë, ku 27.3% e qytetarëve janë mbi 65 vjeç.
Ndryshe nga problematikat e zakonshme që kjo dukuri sjell në aspektin socio-ekonomik, Japonia po përballet me një sfidë që nuk e kishte parashikuar: kriminalitetin e të moshuarve.

Arrestimet që përfshijnë njerëz të moshuar, veçanërisht gratë, janë në shifra shumë më të larta se çdo grup tjetër demografik.

Pothuajse 1 në 5 gra në burgjet japoneze është e moshuar. Krimet e tyre janë zakonisht shkelje të lehta ku 9 nga 10 prej tyre janë dënuar për vjedhje dyqanesh.

Po pse kaq shumë të moshuara u janë drejtuar tani vjedhjeve të vogla?

Kujdesi për të moshuarit në Japoni dikur ishte detyrë e familjeve dhe komuniteteve, por kjo po ndryshon. Nga viti 1980 deri në 2015-ën, numri i të moshuarve që jetojnë vetëm u rrit mbi gjashtëfish, në rreth 6 milionë individë.

Një sondazh i kryer nga qeveria tregoi se gjysma e qytetarëve të vjetër që kapen duke vjedhur jetojnë vetëm. 40% e tyre nuk kanë familje, apo flasin shumë rrallë me të afërmit. Këta njerëz shpesh thonë se nuk kanë askënd kujt t’i drejtohen kur kanë nevojë për ndihmë.

“Ata mund të kenë shtëpi, mund të kenë një familje. Por kjo nuk do të thotë se kanë një vend ku ndihen si në shtëpi. Ata ndihen sikur askush nuk i kupton. Ndihen sikur i shohin vetëm si dikush që bën punët e shtëpisë”, shprehet drejtoresha e një burgu për gratë në afërsi të Hiroshimës.

Gratë e moshuara janë gjithashtu një shtresë vulnerabël, pasi gjysma e atyre që jetojnë vetëm, jetojnë gjithashtu në varfëri krahasuar me pjesën tjetër të popullsisë.

Aktualisht, as qeveria dhe as sektori privat nuk kanë mundur të ngrenë një program efektiv për rehabilitimin e të moshuarve. Kostot për mbajtjen e tyre në burgje janë duke u rritur shpejt, për shkak edhe të shpenzimeve mjekësore që janë rritur me 80% krahasuar me një dekadë më parë.

Burgjet kanë punësuar edhe punonjës të veçantë që të ndihmojnë të moshuarit të bëjnë dush apo të shkojnë në tualet gjatë ditës, ndërsa këto detyra gjatë natës kryhen nga rojet. Në disa institucione, të qenurit roje tashmë i ngjan më tepër të qënit një infermiere në shtëpi.

Shumë prej grave të moshuara në burgjet e Japonisë janë duke vuajtur dënimin e tretë ose të katërt, pasi sapo dalin nga burgu kërkojnë të rikthehen. Pjesa më e madhe e tyre vjedhin mallra të lira si ushqime apo veshje./dita

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit