Një vajzë e mitur e moshës dyvjeçare nga komuna e Vitisë ka gjetur vdekjen në kohën kur bashkë me familjarë të saj po e kalonte ilegalisht kufirin për në Hungari.
Burime nga fshati Beguncë e komunës së Vitisë kanë bërë me dije se një e mitur nga fshati i tyre ka gjetur vdekjen kur ilegalisht bashkë me familje po kalonte për në Hungari dhe atë e kanë identifikuar si e mitura A.M. e moshës dyvjeçare.
Togeri Ismet Hashani, zëdhënës rajonal i policisë për Rajonin e Gjilanit, ka thënë për “Zërin” se deri më tashti nuk është raportuar për një rast të tillë, ngase një gjë e tillë nuk është përmendur as në brifingun e mëngjesit.
Sipas tij, ka pasur interesim të gazetarëve në lidhje me rastin, por Policia Rajonale nuk ka marrë një informatë të tillë.
Në fshatin e saj të lindjes, në Beguncë të Vitisë, është thënë se vajza ka ndërruar jetë para dy ditësh dhe se familja e vajzës tashti është në përgatitje të dokumentacionit për kthimin e trupit të saj të pajetë në vendlindje. /Zëri/